Kërko falje për krimet e luftës: Prefekti i Dubrovnikut refuzon të fotografohet me politikanin serb

Mato Frankoviq nuk pranoi të dalë në fotografi me zëvendësprefektin e Trebinjes, një qytet në Bosnjë i qeverisur nga serbët.

Pasojat e sulmeve serbe mbi Dubrovnik më 1991.



Prefekti i Dubrovnikut, një qytet i sulmuar nga forcat serbe dhe malazeze në fillim të viteve ’90, deklaroi se nuk mjafton vetëm shprehja e vullnetit të mirë nga ana e zyrtarëve të Trebinjes për të bashkëpunuar këto dy qytete. «Më parë është e nevojshme t’u kërkohet falje qytetarëve të Dubrovnikut, nënave që kanë humbur bijtë, familjeve që kanë humbur fëmijët dhe fëmijëve që kanë mbetur pa prindër», tha Mato Frankoviq, njoftojnë mediat e Beogradit.

«Kur të kërkojnë falje siç ka bërë Mali i Zi, Dubrovniku është i gatshëm të bashkëpunojë me Trebinjen. Për aq kohë sa kjo nuk ndodhë, nuk jemi të gatshëm të bashkëpunojmë», tha prefekti i Dubrovnikut. Ai nuk pranoi të dalë në fotografi me zëvendësprefektin e Trebinjes, një qytet në Bosnjë i qeverisur nga serbët, gjatë një takimi në pikën kufitare Ivanica, e cila u hap të martën.

Rrethimi dhe sulmet ndaj Dubrovnikit më 1991 tronditën opinionin botëror, sepse përveç dëmtimit të popullsisë civile bëhej fjalë për një qytet të mbrojtur nga UNESCO. Më shumë se dy mijë predha goditën pjesën e vjetër të qytetit atëbotë. Vetëm më 6 dhjetor 1991 qyteti u qëllua me 600 granata nga trupat serbe. Qëllimi ishte të provokohej një ikje masive e popullsisë kroate nga qyteti. Kryetari i atëhershëm i Trebinjes, Bozhidar Vuçureviq, kishte deklaruar se pas marrjes së Dubrovnikut «do ta ndërtojmë një qytet edhe më të vjetër». Gjatë rrethimit të Dubrovnikut u vranë 114 civilë dhe 200 ushtarë kroatë. (dp)