Kërkesa për ndryshimin e kufijve të Shqipërisë së 1913-s

Pasqyrimi i zhvillimeve politike në Shqipëri dhe rreth saj në shtypin britanik gjatë viteve 1919-1921.

Përmendorja e Skenderbeut në Shkup. Foto: Shuttersrtock



Përfundimi i Luftës së Parë Botërore, rivendosja e paqes dhe negociatat për ardhmërinë e botës ngritën interesimin e qytetarëve të gjithë botës, e në veçanti të Britanisë së Madhe, e cila kishte dalë fuqi fituese dhe kishte interesa politike, ekonomike dhe zotërime koloniale në botë, gjersa një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të saj kishin marrë pjesë si ushtarë të armatës britanike në luftime, në pjesë të ndryshme të botës. Pasi i kishte fituar në luftë të gjitha ato që dëshironte: thyerjen e fuqisë gjermane, asgjësimin e flotës ushtarake gjermane dhe pushtimin e kolonive gjermane, tani Britania e Madhe kërkonte qetësinë dhe paqen, në mënyrë që të mund t’i shfrytëzonte frytet e fitores. Në një memorandum të Foreign Office thuhej: «Ne… nuk kemi ambicie territoriale as dëshirë për zmadhim. Ne kemi marrë gjitha ato që dëshirojmë – ndoshta më shumë. Objektivi ynë i vetëm është që të mbajmë çfarë të duam dhe të jetojmë në paqe…cilido që të jetë rezultati i një prishjeje të paqes, ne do të jemi të humburit».

Prandaj në këto rrethana shtypi britanik u jepte rëndësi të madhe zhvillimeve politike në Evropën e pasluftës, sidomos punimeve të Konferencës së Paqes në Paris dhe mundohej t’u ofronte qytetarëve informacione të bollshme mbi këto zhvillime. Se interesimi i opinionit britanik ishte i madh, dëshmon edhe fakti se mediat britanike qysh herët kishin filluar me shkrime rreth pjesëmarrjes britanike në Konferencë, mbi delegacionin dhe objektivat, apo duke specifikuar si tema të veçanta problemet në Turqi, Ballkan, Evropën Veriore dhe atë Perëndimore.

Një interesim i tillë i shtypit britanik bazohej kryesisht në dy argumente. I pari ishte se Britania e Madhe përfaqësohej në këtë konferencë në nivelin më të lartë politik, me kryeministrin, i përcjellë me ministra dhe diplomatë me përvojë, si dhe në faktin se pasojat që kishte sjellë lufta ishin aq të rënda saqë popullsia britanike dyshonte se një marrëveshje për paqe mund të arrihej me të vërtetë.

Përveç çështjes së Gjermanisë, që ishte primare në këtë konferencë, në sferën e interesimit të shtypit britanik hyri edhe Shqipëria. Vitet 1919-1921 paraqesin periudhën më të vështirë në historinë e shtetit shqiptar. Ishin vitet kur Shqipëria e shkatërruar nga lufta po përpiqej ta ruante sovranitetin dhe tërësinë territoriale që ishte vënë nën lakminë e shteteve fqinje. Shkrimet e para për zhvillimet rreth Shqipërisë botohen qysh në fillim të vitit 1919, kur çështja shqiptare doli në diskutim dhe kur Greqia, respektivisht kryeministri i saj Venizelos, në takimin me përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, i paraqiti pretendimet territoriale greke, në të cilat përfshihej edhe Shqipëria Jugore.

Raportimi mbi pretendimet greke përcillet me paraqitjen e kërkesave të delegacionit shqiptar në Konferencë, ku përfaqësimi dhe kërkesat shqiptare paraqiten me një saktësi të madhe. Me titullin «Supozimet për mizoritë serbe dhe greke», gazeta «Aberdeen Daily Journal» e datës 25 shkurt 1919, shkruan mbi qëndrimin e delegacionit shqiptar në Konferencë. Në fakt, gazeta përveç tjerash publikon edhe memorandumin e plotë të parashtruar nga delegacioni shqiptar.

«Çështja e Shqipërisë, e cila u paraqit sot në Konferencë», citon gazeta, «u shtjellua nga Turhan Pasha, delegat në delegacionin e Qeverisë së Përkohshme shqiptare, i cili në memorandumin që e kishte përgatitur për Konferencën, kërkoi nga Mali i Zi, Serbia e Greqia një sipërfaqe territoriale, e cila do ta dyfishonte territorin e Shqipërisë të krijuar nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, dhe që popullsisë së Shqipërisë do t’ia shtonin edhe një milion e gjysmë banorë. Ai kërkon nga Fuqitë që gjitha këto territore t’i njihen Shqipërisë për ta formuar një shtet të ri dhe të pavarur shqiptar».
Me një objektivitet të njëjtë pasqyrohet edhe memorandumi i delegacionit shqiptar paraqitur Këshillit të Dhjetëve, duke theksuar që nëse kërkesat shqiptare nuk mbështetën nga Këshilli Suprem, atëherë ky i fundit, duhet t’i lejojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta marrin përsipër mandatin njëvjeçar për administrimin e territoreve të kërkuara nga Shqipëria, që nënkupton territorin e Çamërisë në jug, si dhe territoret e aneksuara nga Serbia e Mali i Zi.

Se shtypi britanik trajtoi me interesim çështjen shqiptare flet edhe raporti i mëposhtëm i hartuar nga z. Perceval London, i cili kishte njohuri mbi çështjen shqiptare, e që u botua si shkrim special për gazetat «The Yorkshire Post» dhe «Daily Telegraph», më datë 25 shkurt 1919, e që shkruan: «Sot doli në diskutim një prej problemeve më pak të njohura të Evropës. Nuk është shumë të thuhet se Shqipëria, përkundër mbizotërimit të saj jo të rastësishëm në historinë ballkanike, ende ndodhet jashtë sferës së shqyrtimit dhe të interesave raciale evropiane. Gjeografikisht, tri fuqi preken drejtpërdrejt nga vendimet që do të merren në Konferencë në lidhje me këta malësorë trima. Pozitat e tyre mund të sqarohen kështu: Shqipëria Qendrore, mbi të cilën, me pajtimin e aleatëve, Italia ka ushtruar një protektorat pak a shumë efikas gjatë luftës, është një krahinë myslimane, pa ndonjë bazë apo tendencë mbi të cilat mbështetet qeverisja kushtetuese perëndimore. Në jug mund të thuhet se qarku i Gjirokastrës përbëhet nga grekë, qoftë nga besimi apo gjaku. Pjesët veriore të Shqipërisë kryesisht kanë racë serbe, edhe pse në aspektin politik i gjithë rajoni në jug të lumin Drin është i shqiptarëve. Çështja ngrihet tani mbi administrimin e ardhshëm të këtij populli të panjohur në mesin e popujve evropianë. Shqiptarët përfaqësohen në Paris nga Turhan Pasha. Ai është nga Durrësi, qytet nën ndikimin e plotë italian, dhe mund të thuhet se Italia është zëdhënëse e vërtetë e Shqipërisë në Konferencë. Italia kërkon që të ketë një mbikëqyrje të përgjithshme dhe mandat mbi Shqipërinë me arsyen se duhet t’i kontrollojë dy anët e Adriatikut, e që është i gjerë vetëm 50 milje. Ky qëndrim e fut Italinë në konflikt me aspiratat greke, kurse ne ende nuk e dimë qëndrimin që do ta mbajë Komisioni për Greqinë, në të cilin komision gjenden përfaqësuesit britanikë, si Sir Robert Borden dhe Sir Eyre Crown, gjersa pjesë të Shqipërisë Jugore mund t’i jepen Greqisë. Në veri mund të ndodhë që Shkodra t’i jepet Serbisë së Madhe, si kryezot i Malit të Zi. Pjesa tjetër me siguri do t’i besohet Italisë. Mandati që duhet t’u jepet aleatëve tanë përbëhet nga një interes i pazakontë, e sa për ilustrim kjo provincë myslimane duhet që t‘i pranojë plotësisht normat kushtetuese. Autorët e punimeve të Konferencës kanë hedhur pak dritë në çështjen shqiptare. Nuk është për t’u habitur aspak, pasi që historia e kaluar e këtij shteti të vogël, qoftë nën sundimin formal të sulltanit, apo të Princ Vidit, apo të një njeriu me ndikim që me të vërtetë e ka kontrolluar atë, Esat Pasha, ka qenë pothuaj një kaos i pandërprerë».

Me gjithë këtë analizë të thukët nuk duhet anashkaluar faktin se edhe ky publicist, sikurse një pjesë e madhe e opinionit publik evropian, kishte rënë në grackën e propagandës serbe dhe greke, duke ngatërruar kombësinë dhe përkatësinë fetare të shqiptarëve në jug apo origjinën racore në veri të Shqipërisë.

Në raportimet rreth zhvillimeve në Shqipëri, duke mos pasur korrespondent të vetin, gazetat britanike bazoheshin në lajmet që i botonin gazetat serbe, greke dhe italiane, të cilët kryesisht ngjarjet i interpretonin sipas nevojave të politikës së tyre shtetërore dhe përmbanin elemente propagandistike, të orientuara kundër interesave të mirëfillta të shtetit dhe kombit shqiptar. Sidoqoftë, duhet vlerësuar faktin se mediat britanike në rastin e këtyre shkrimeve tendencioze e kanë cituar edhe burimin e informacionit, që për njohësit e rrethanave atëbotë dhe për studiuesit e historisë sot paraqesin dyshime në vërtetësinë apo korrektësinë e tyre.
Në këtë mënyrë gazeta «The Lancashire Daily Post» e datës 28 shkurt 1919 boton një artikull nga korrespondenti i gazetës «Journal de Debata» nga Selaniku, i cili kishte zhvilluar një intervistë, siç thuhej, me “gjeneral Esat Pashën, kryetar i Qeverisë shqiptare», i cili kishte pretenduar të jetë përfaqësuesi i vetëm i popullit shqiptar në Konferencë. Shkrimi citon, siç thuhet, fjalët e Esat Pashës: «E kam një bindje (thotë ai) se qeveritë aleate do t’i pyesin se çfarë kishin bërë ata dhe kolegët e tyre gjatë ditëve kritike të luftës botërore, dhe kur e fituan ata besimin e popullit shqiptar? Nëse Antanta sinqerisht kërkon që ta zgjidhë çështjen shqiptare në bazë të drejtësisë, e cila mund ta sigurojë paqen në Ballkan, atëherë ajo (Antanta) duhet ta njohë qeverinë time si përfaqësues të vetëm të popullit shqiptar. Do të ishte një padrejtësi nëse delegacionet e Turhan Pashës dhe Halit Pashës shprehin aspiratat e popullit shqiptar».

Gjithashtu, edhe gazeta «Aberdeen Daily Journal» e datës 4 mars 1919 botoi shkrimin e gazetës greke «Macedonia», duke cituar: «Gazeta Macedoine shkruan se ka mësuar nga burime të besueshme se qeveria e Turhan Pashës, e cila ishte vetëshpallur rishtazi në Shqipëri, në asnjë mënyrë nuk i përfaqëson ndjenjat e shqiptarëve. Asambleja Kombëtare, e cila ishte thirrur dy herë nga ushtria që e ka okupuar këtë shtet, u mbajt dy herë pa asnjë rezultat. Në një rast 69 delegatë të cilët me dhunë ishin sjellë në Durrës nuk mund të merreshin vesh mes vete edhe pas udhëzimeve të dhëna nga autoritetet okupuese ushtarake, kështu që ata e shpërndanë më vonë këtë asamble, dhe formuan qeverinë e Turhan Pashës. Princ Dodë Pasha, i cili ka ndikim të madh në Shqipërinë e Veriut, kur ishte ftuar t’i bashkëngjitet qeverisë, ishte përgjigjur se, duke pasur në zemër interesat e Shqipërisë refuzon t’i bashkëngjitet pasi që Esat Pasha nuk ishte anëtar i kësaj qeverie».

«Shqiptarët ngritën në revoltë kundër okupimit italian». Ky ishte titulli përmes së cilës gazetat britanike bazoheshin në burime greke për ta pasqyruar gjendjen në Shqipëri. Ato botojnë artikullin e gazetës greke Hellas, e cila citon: «Revolta shqiptare kundër okupimit italian po përhapet gjithnjë e më shumë. Udhëheqësi i shqiptarëve, ndonëse i plagosur, është ende duke i udhëhequr operacionet e kryengritësve të cilët tani e kanë arritur numrin 4.000. Disa qindra shqiptarë i kanë dërguar një telegram Konferencës së Paqes duke i denoncuar planet italiane në Shqipëri dhe duke rivërtetuar besimin e tyre në Esat Pashën».

«Beogradi nuk qëndron prapa revoltës shqiptare, por beson në parimin Ballkani për ballkanasit», shkruhet në artikullin e botuar nga gazeta britanike marrë nga gazeta serbe «Politika», e cila thekson: «Është e vërtetë se kryengritja ka marrë përpjesëtime të mëdha nën udhëheqjen e patriotëve. U aprovua parimi ynë – Ballkani për ballkanasit. Personalisht besoj se mund të arrihet lehtë një mirëkuptim ndërmjet nesh dhe shqiptarëve. Gjatë tërheqjes sonë përmes Shqipërisë, neve na u ofruan shërbime të mira jo vetëm nga Esat Pasha, por edhe nga të gjitha fiset e krishtera të Shqipërisë së Veriut. Me ndihmën e tyre, në tetor të vitit 1918, ushtria jonë çliroi gjithë Shqipërinë Qendrore dhe Veriore. Mirëkuptimi mund të arrihet edhe më lehtë kur dihet se ne gjithmonë kemi qenë mbrojtës të pavarësisë së Shqipërisë, një çështje për të cilën delegacioni ynë vazhdimisht ka insistuar në Konferencën e Paqes. Gjëja më e natyrshme për shqiptarët do të ishte kërkimi i përkrahjes sonë morale, sepse ekzistojnë mundësitë reale që ne, si aleatë të besueshëm, do t’i përkrahnim ata. Prandaj, ata, në emër të gjithë popullit i dërguan një peticion Konferencës së Paqes në Paris duke kërkuar që t’i bashkëngjiteshin shtetit tonë. Gatishmëria jonë për popullin shqiptar nuk e arsyeton konkluzionin se jemi duke e përkrahur revoltën aktuale».

Shkrimet e cekura më lart pasqyrojnë qartë tendencat greke dhe serbe që ta zhvlerësojnë legjitimitetin e delegacionit zyrtar shqiptar në Konferencë dhe ta përligjin Esat Pashën si përfaqësues i vetëm dhe autentik i popullit shqiptar, si dhe ta zbehin ndikimin e Italisë në Konferencë. Për më tepër Qeverinë e Durrësit e paraqesin pro-italiane duke raportuar madje edhe për kryengritje kundër italianëve. Gjithë kjo mbështetje për Esat Pashën nënkuptonte realizim më të lehtë të pretendimeve greke dhe serbe, pasi që ishte e qartë se Esat Pasha luftonte për një shtet mysliman në Shqipërinë Qendrore. Nuk duhet anashkaluar as marrëveshjet e mëhershme të Esat Pashës me qeverinë serbe, si ajo e vitit 1915 përmes së cilave Serbia synonte gllabërimin e tërësishëm të Shqipërisë.

Edhe gjatë vitit 1920 gazetat britanike vazhdojnë të paraqesin informacione të rëndësishme për Shqipërinë. Ndër informacionet më të rëndësishme janë mbështetja e presidentit Wilson për çështjen shqiptare dhe kundërshtimi i tij për të miratuar ndonjë marrëveshje që shkon në dëm të shqiptarëve. Në një artikull që gazeta «The Courier» e datës 8 mars 1920 e kishte huazuar nga gazeta franceze «Paris Temps», lidhur me negociatat italiano-jugosllave, citohet perceptimi i presidentit Wilson: «Ai pranon dy pikat e para në procedurën e propozuar, dhe demonstron se është i gatshëm të mbështesë një marrëveshje në mes dy palëve që bazohet ngushtë në parimet themelore të marrëveshjes së 9 dhjetorit dhe se kjo marrëveshje mbetet baza e fundit në të cilën mund ta zbatojnë palët. z. Wilson mban qëndrim kundërshtues ndaj çdo aplikimi eventual të Traktatit të vitit 1915 në lidhje me çështjen shqiptare, duke dëshiruar, sikurse thekson, ruajtjen e të drejtave të shqiptarëve të cilët janë sakrifikuar aq shumë nga jugosllavët në dy marrëveshjet që i ishin dorëzuar atij».

Në vazhdën e këtyre zhvillimeve gazetat britanike botojnë informacione plotësuese mbi «Traktin e fshehtë të Londrës», që u cek më lart, e që ishte mbajtur fshehur deri atëherë nga shtetet nënshkruese dhe që kishte të bënte me plotësimin e orekseve ekspansioniste territoriale të shteteve fqinje kundër Shqipërisë. Gazeta «The Courier» citon se «marrëveshja ndërmjet Francës, Rusisë, Britanisë së Madhe dhe Italisë, nënshkruar në Londër më 26 prill 1915», përbëhet nga 16 nene dhe një deklarate të veçantë përmes së cilës katër fuqitë pajtohen që të mos arrijnë marrëveshje të veçanta. Në rastin e Shqipërisë marrëveshja thotë se Durrësi i jepet shtetit të pavarur mysliman të Shqipërisë, Italia merr Vlorën dhe pajtohej që të mos e kundërshtonte copëtimin e Shqipërisë Veriore dhe Jugore ndërmjet Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, nëse Italia i merr ato që i janë caktuar asaj».
Një ndër ngjarjet që bëri jehonë në opinionin ballkanik dhe në atë evropian pa dyshim ishte edhe vrasja e Esad Pashës. Gazetat britanike me artikuj të ndryshëm e përshkruajnë aktin e vrasjes dhe personalitetin e Esad Pashës.
«Gjenerali vritet gjersa po dilte nga hoteli», shkruan «The Courier», duke raportuar se gjersa gjeneral Esad Pasha, ish-diktator i Shqipërisë dhe kreu i delegacionit shqiptar në Paris, ishte duke dalë nga hoteli “Kontinental» në Paris dhe po qëndronte aty jashtë, befas para tij u shfaq një djalë i ri, i cili ia shkrepi dy plumba në gjoks. Gjenerali ra në tokë, ai u bart në dhomën e tij në hotel ku edhe vdiq si pasojë e plagëve. Sulmuesi iku, në ikje ai u ndoq nga një polic, një kamerier i hotelit dhe njerëz në rrugë, dhe brenda një kohe të shkurtër u kap. Gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor ai deklaroi se quhet Rrustem, se ishte 27 vjeç dhe ishte shqiptar, dhe se kishte ardhur në Paris më 21 maj. Ai theksoi se në asnjë mënyrë nuk e kishte paramenduar krimin, por befasisht duke e njohur diktatorin shqiptar ai kishte vepruar në ndjenja të momentit, i kapluar nga mendimet mbi vuajtjet e popullit të tij.

Gazetat britanike japin edhe një pasqyrim të plotë dhe interesant në aspekt të personalitetit, karrierës dhe bëmave të Esad Pashës. «The Evening Telegraph» shkruante: «Ahmet Esad Pasha ishte 55 vjeçar dhe gjatë jetës së tij kishte zhvilluar një veprimtari aktive. Një shqiptar tipik, që jetën kohë pas kohe e kaloi përmes paligjshmërisë. Vëllai i tij ishte vrarë me urdhër të sulltan Abyl Hamitit. Një javë më vonë, vrasësi i paguar ishte vrarë në Urën Gallata në Stamboll mu gjatë ditës, kurse në plagën e të vrarit ishte shënuar ‘E kryer nga Esadi’. Ai ishte dërguar në Janinë si komandant i xhandarmërisë. Këtu kishte pasur një zënkë me guvernatorin e Janinës, Tatar Osmanin. Njerëzit e Esadit e kishin hasur guvernatorin në një shtëpi me reputacion të keq, ai ishte tërhequr zvarrë jashtë ku Esadi e kishte poshtëruar publikisht. Më 1908 Esadi la Shqipërinë për t’iu bashkuar marshit të Turqve të Rinj në Stamboll, dhe ishte mu ai i cili ishte paraqitur para Abyl Hamitit që dridhej duke i thënë: ‘Abdyl, ti je rrëzuar nga froni’. Si deputet i Durrësit në parlamentin e ri, thuhet se ai e kishte kërcënuar folësin me jetë dhe me polici ishte dëbuar nga parlamenti. Kur princ Vidi ishte bërë princ i Shqipërisë, Esadi kishte shkuar për ta përshëndetur atë në bord të anijes. Ai e kishte bërë Vidin për vete dhe në këtë mënyrë e fitoi pozitën e ministrit të Brendshëm dhe të Luftës. Më pas kishte tentuar ta krynte një revolucion, por kishte dështuar dhe ishte arrestuar. Ai ishte liruar më vonë, kurse pas ikjes së Vidit e kishte shpallur veten mbret. Ishte fillimi i vitit 1916 kur ai u deklarua se rreshtohet në anën e Aleatëve duke i dëbuar austriakët dhe bullgarët nga territori që ai kontrollonte. Por në shkurt, austriakët e pushtuan gjithë vendin kështu që Esadi, i cili një vit më parë i kishte ndihmuar serbët gjatë tërheqjes së tyre, kishte ikur dhe ishte vënë në shërbim të aleatëve. Për veprimet e veta gjatë luftës ai ishte shpërblyer me mirënjohje nga disa shtete. Shqipëria sot është një shtet i trazirave të dhunshme. Italianët ndodhen të rrethuar në Vlorë nga kryengritësit të cilët po e kundërshtojnë qeverinë e tyre të përkohshme».

Zhvillimet në raportet shqiptaro-jugosllave ishin në fokus të shtypit britanik gjatë vitit 1921. Në fakt, në historinë e shtetit shqiptar viti 1921 paraqet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ruajtjen e tërësisë territoriale, përkatësisht përpjekjeve për çlirimin e territoreve që gjendeshin brenda kufijve të shtetit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht qysh më 1913 dhe faktikisht të okupuara nga Greqia dhe Jugosllavia. Gazetat britanike pasqyrojnë përpjekjet e Qeverisë shqiptare për realizimin e synimeve të cekura më lart. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve gazeta «The Herald» e datës 25 qershor 1921 boton kërkesën e Qeverisë shqiptare drejtuar Lidhjes së Kombeve për të intervenuar për faktin se «… jugosllavët janë në okupim faktik të disa pikave strategjike ndërmjet liqenit të Ohrit dhe Shkodrës, brenda kufijve të Shqipërisë të caktuara nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. Grekët gjithashtu mbajnë të okupuara disa fshatra në rrethin e Korçës brenda kufirit shqiptar. Në rastin e parë, shqiptarët ankohen se rajonet e okupuara nga serbët janë shkatërruar kurse popullsia është dëbuar».

Gazetat vazhdojnë t’i përshkruajnë ngjarjet që zhvilloheshin në Shqipëri edhe gjatë fundit të vitit 1921. Gazeta «The Western Morning News and Mercury» e datës 5 nëntor 1921, boton njoftimin e Qeverisë shqiptare për Lidhjen e Kombeve, ku thuhet: «Me gjithë faktin se Qeveria shqiptare për muaj të tërë ka bërë ankesa të vazhdueshme në adresë të Lidhjes së Kombeve dhe të Fuqive të Mëdha për t’u dhënë fund sulmeve të pandërprera të serbëve në Shqipëri dhe me gjithë rekomandimet nga Lidhja e Kombeve, qeveria e Beogradit tani haptazi i ka shpallur luftë Shqipërisë nëpërmjet trupave të veta të rregullta dhe mjeteve më moderne të Luftës». Letra përmban edhe telegramet nga Tirana të datës 30 dhe 31 tetor, duke theksuar se pas bombardimeve të ashpra forca të mëdha sulmuan dhe si pasojë u zhvillua një luftë ku të dyja palët pësuan humbje të konsiderueshme. Delegatët shqiptarë gjithashtu pranuan një telegram nga Tirana, me datë të djeshme, që thekson se ofensiva serbe vazhdon me një intensitet të lartë dhe se serbët kanë pushtuar Lurin, një pikë strategjike, dhe tani po përparojnë drejt krahinës së Mirditës, banorët e së cilës po ikin në drejtim të bregdetit.

Në këtë periudhë, në Lidhjen e Kombeve një rol të madh filloi të luante Britania e Madhe, interesimi i së cilës për burimet vajgurore të Shqipërisë po shtohej gjithnjë e më shumë. Duke përfituar nga pozita e vështirë ndërkombëtare e shtetit shqiptar, qeveria e Londrës njoftonte Tiranën se do të interesohej për pranimin e Shqipërisë në Lidhje të Kombeve, në rast se Qeveria shqiptare do t’i jepte shoqërisë vajgurore Anglo-Persiane të drejtën ekskluzive për të kërkuar dhe shfrytëzuar vajgurin në Shqipëri.

Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, kryeministri britanik bëri një lëvizje të fuqishme. Sekretaria e Lidhjes së Kombeve deklaroi të ketë pranuar një telegram nga z. George Lloyd, i cili kërkon masa të menjëhershme për ta thirrur Këshillin e Lidhjes për ta shqyrtuar situatën e krijuar pas avancimit të vazhdueshëm të trupave jugosllave në Shqipëri, e «cila për nga natyra e çrregullon paqen ndërkombëtare». Telegrami shton se kufijtë e Shqipërisë ishin caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve.

Intervenimi britanik përforcoi vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për ruajtjen e integritetit territorial prandaj aksioni ushtarak për çlirimin e regjionit të Mirditës u raportua edhe nga gazeta «Western Times» e cila shkroi se «trupat shqiptare kanë pushtuar regjionet e Mirditës pa ndonjë problem. 15 prijës mirditorë kishin ikur për Serbi, prijësit e tjerë të mbetur zyrtarisht i ishin nënshtruar Qeverisë shqiptare. Jugosllavëve u ishte dhënë afati që të largoheshin nga Shqipëria deri më 20 dhjetor».

Lufta e Parë Botërore ishte shoqëruar me humbje të miliona jetëve dhe shkatërrime të papara prandaj edhe vëmendja e njerëzimit ishte përqendruar në përpjekjet e komunitetit politik ndërkombëtar për arritjen e paqes. Sikurse të gjitha gazetat evropiane, ashtu edhe gazetat britanike përcillnin me vëmendje zhvillimet politike të pasluftës. Një rëndësi ato ia kushtuan edhe zhvillimeve në Shqipëri dhe rreth saj, sidomos gjatë viteve 1919-1921 kur ekzistimi i Shqipërisë si shtet ishte vënë në rrezik nga pretendimet territoriale të fqinjëve të saj. Në rastin e Shqipërisë, pasqyrimi i këtyre zhvillimeve nga gazetat britanike është gjithëpërfshirës, të shumtën e rasteve korrekt dhe me informacione të plota. Ato kryesisht me kujdes përcillnin zhvillet rreth Shqipërisë në Konferencë dhe i raportonin ato me saktësi. Në disa raste mediet britanike huazonin materiale nga gazetat e vendeve të tjera, sidomos rreth zhvillimeve në Shqipëri, artikujt e të cilave ishin tendenciozë dhe më tepër përmbanin elemente propagandistike. Mirëpo, i një rëndësie ishte edhe citimi i burimit të këtyre informacioneve, sepse njohësit e rrethanave që jetuan atëbotë apo studiuesit e ardhshëm të historisë do të paraqesin dyshime në vërtetësinë e tyre. Një fakt interesant që duhet cekur ishin edhe artikujt specialë në gazetat britanike, të cilat ofronin mendime dhe perceptime kryesisht nga radhët e opinioni publik sikurse ishte rasti me z. Perceval London, apo të dhënat rreth vrasjes dhe personalitetit të Esad Pashës që ishin gjerësisht të interpretuara pothuaj nga gjitha gazetat e kohës në Britani të Madhe. Sidoqoftë, mund të themi se gazetat britanike me korrektësi dhe saktësi kanë pasqyruar ngjarjet në Shqipëri dhe rreth saj, edhe pse ndonjëherë lëshimet e vogla mund të jenë të padiktueshme.