Kërcënimi rus në Bosnjë është i vërtetë

Ndërsa Kremlini po përfshihet më shumë në mbështetjen e regjimit të Milorad Dodikut në Republika Srpska, nuk duhet të përjashtojmë mundësinë e eskalimit të dhunës.

Autokrati i madh me autokratin e vogël: Vladimir Putin dhe Millorad Dodik gjatë një takimi.



Prania e paraushtarakëve serbë të trajnuar nga Rusia, zyrtarëve nga Osetia Jugore dhe banda famëkeqe e motoçiklistëve «Ujqërit e Natës» në përkujtimet e fundit dhe jokushtetuese të 9 janarit në Banjallukë, kryeqytetin e entitetit kryesisht serb të Bosnjës, Republika Srpska (RS), kanë zbuluar thellësinë befasuese të lidhjeve ruse me presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, dhe qeverinë e tij. Raporte të tjera kanë ekspozuar fakte edhe më shqetësuese: militarizimi i shpejtë i policisë së RS-së dhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme të RS-së dhe zyrtarëve rusë të sigurisë për të trajnuar njësinë e «forcave speciale» brenda policisë së RS-së.

Këto zhvillime nuk përfaqësojnë vetëm një përkeqësim të thellë në klimën e sigurisë të Bosnjë-Hercegovinës, por ndoshta sfidën më të drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të vitit 1995 që nga nënshkrimi i saj. Është e rëndësishme të përcaktohet qartë se pse po ndodh kjo dhe pse po ndodh tani. Dodik, sigurisht, është përfaqësues i rusëve për një kohë të gjatë. Ngatërresa aktuale midis Banjallukës dhe Kremlinit daton më së paku që nga viti 2014. Pasi Rusia pushtoi Ukrainën dhe aneksoi Krimenë, natyra e marrëdhënieve të Moskës me Perëndimin ndryshoi dukshëm. Ishte fillimi i një periudhe të konfrontimit të drejtpërdrejtë me NATO-n, në veçanti, dhe përfundimi i periudhës së gjatë iluzionare, ulja e tensioneve e dy blloqeve që (kryesisht) kishte vazhduar që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Po atë vit, Dodik dhe partia e tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, SNSD, pësuan një rezultat shokues në zgjedhjet e përgjithshme të Bosnjës, duke humbur vendin e tyre në presidencën e shtetit ndaj bllokut të opozitës së bashkuar të RS-së dhe pothuajse duke humbur kontrollin e legjislaturës së entitetit. Qëndrimi i padiskutueshëm i tyre që dikur ishte i paarritshëm në elektoratin serb të Bosnjës u shkatërrua. Gjatë dy viteve të ardhshme, Dodik dhe partia e tij nisën një seri konfrontimesh gjithnjë e më të dëshpëruara me opozitën e RS-së dhe me qeverinë qendrore në Sarajevë, duke arritur në përfundimin se një program nacionalist edhe më ekstremist do të ndikonte në zemrat dhe mendjet e votuesve.

Në të njëjtën kohë, ata filluan të bëjnë më shumë kërkesa direkte te rusët, duke kërkuar në mënyrë eksplicite fonde nga Kremlini për të arnuar vrimat e hapura në buxhetin e qeverisë, të shkaktuara nga një dekadë korrupsioni dhe keqmenaxhimi dhe të përkeqësuar nga refuzimi në rritje i FMN-së dhe donatorëve të tjerë dhe institucioneve për të mbështetur agjendën shkatërruese të Banjallukës. Rusët, ndërkohë, i bënë të qarta qëllimin e tyre për të sabotuar proceset e zgjerimit europian dhe atlantik në Ballkanin Perëndimor. Prioritetet e tyre të menjëhershme ishin ta mbajnë Malin e Zi jashtë NATO-s dhe ta mbështesin regjimin e Nikola Gruevskit në Maqedoni.

Por, në një afat të gjatë, ishte Bosnja që duhej të ballafaqohej me të. Për Moskën, ballafaqimi me Bosnjën nënkuptonte që qendra strategjike e rajonit të mbetet jofunksionale dhe politikisht e copëtuar, sidomos pasi Mali i Zi dhe Maqedonia të kalonin nëpër gishtat e tyre. Megjithatë, për aq kohë sa Bosnja mbeti një plagë e hapur, rajoni i Ballkanit do të mbetet një vorbull paqëndrueshmërie për Europën në tërësinë e saj. Bashkimi i interesave të SNSD-së dhe Rusisë tani përqendrohet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2018. Siç e thashë më parë, Dodik dëshpërimisht dëshiron të ngjitet në pushtet, sepse nëse ai mundet në votime pothuajse është e sigurt se do të paditet dhe ka mundësi të burgoset për një dekadë kriminaliteti në krye të RS-së. E ardhmja e vetme që e pret Dodikun jashtë detyrës është burgu, që ende vërvitet mbi kokën e kolegut të tij autokrat, Gruevski, ose mërgimi në Serbi (ose Rusi), siç ishte rasti me ish presidentin ukrainas, Viktor Janukoviq.

Sido që të jetë, nuk ka të ardhme për Dodikun si udhëheqës i SNSD-së si një parti opozitare. Ndërkohë, për Rusinë, humbja e Dodikut do të nënkuptonte që rruga e Bosnjës drejt pranimit në NATO do të rimaterializohej shpejt, siç ka ndodhur edhe për Maqedoninë që kur Gruevski dha dorëheqje. Dhe nëse Bosnja është në gjendje të bashkohet me NATO-n, së bashku me Maqedoninë, plani i Rusisë për «një numër të shteteve ushtarake neutrale» në rajon është i vdekur në ujë, edhe me Serbinë dhe Kosovën ende jashtë aleancës.

Megjithatë, pyetja mbetet, çfarë pikërisht Dodik, SNSD dhe bamirësit e tyre rusë po përpiqen të bëjnë përpara sondazheve të tetorit për të siguruar fitore. Referendumi jokushtetues i shtatorit të vitit 2016, i orkestruar nga autoritetet e RS-së na jep planin themelor: plani është t’i sabotojë zgjedhjet përmes një kombinimi të politikës nacionaliste dhe përdorimit të forcës në mënyrë direkte. Për shkak se SNSD nuk mund t’i fitojë më zgjedhjet në bazë të të dhënave të saj aktuale, ajo ka rënë duke u mbështetur në marifetet politike gjithnjë e më paqëndrueshme si referendumi i festave të njësisë. Problemi është se partia e ka pikturuar veten në një qoshe; lojërat e saj shoviniste e shfaqin një ndjenjë të vërtetë paniku në udhëheqjen e saj, se çfarë do të jetë e ardhmja për ta, sikur të humbnin fuqinë.

Si rezultat i kësaj, Dodik dhe SNSD nuk mund të lejojnë të bëhet një votim i lirë në tetor. Në përputhje me rrethanat, ata do të përdorin rojet ruse të financuara nga Rusia për të frikësuar opozitën, për të shtypur shtypin e lirë dhe shoqërinë civile në njësi dhe për të hartuar për elektoratin e RS-së një zgjedhje në dukje ekzistenciale: mbështetja e regjimit ose rrezikimi i asgjësimit kombëtar. Sidoqoftë, nuk mund ta hedhim poshtë mundësinë që kjo zgjedhje e rreme të përfshijë dhunë të vërtetë. Në fund të fundit, një qeveri e këtij lloji nuk siguron armë ose nuk organizon paraushtarakët pa ndonjë qëllim të përdorimit të tyre. Duke pasur parasysh se Dodik ishte tashmë në prag të përpjekjes për t’u ndarë nga Bosnja në vorbullën e aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe ka qenë i qartë në lidhje me qëllimet e tij të shkëputjes për vite me radhë, shanset e një hapi të madh të rrezikshëm janë të mëdha.

Kështu që nuk mund të injorohet një «skenar transnistrian», domethënë, me premtimin e ndihmës dhe armëve ruse, Dodik mund të tërheqë këmbëzën për përpjekjet për t’u shkëputur plotësisht nga Bosnja. Qëllimi nuk do të ishte të fitonte njohje zyrtare nga bashkësia ndërkombëtare për këtë entitet të ri, të cilën ata e kuptojnë plotësisht, por, si në Transnistria, për të siguruar mbijetesën e regjimit. Është e domosdoshme që BE-ja, SHBA-ja dhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë ta kuptojnë se sa vonë është në Bosnje dhe Hercegovinë. Duhet të përgatitet një pengesë e besueshme dhe ekzistenca e saj t’i komunikohet qartë Banjallukës, Moskës dhe publikut boshnjak. Fatkeqësia ende mund të shmanget, por vetëm nëse e kuptojmë plotësisht seriozitetin e krizës aktuale. Kërcënimi rus në Bosnje është i vërtetë.
(BIRN)

Jasmin Mujanoviq ka studiuar shkencat politike dhe ka specializuar në politikën e Europës Juglindore dhe në demokratizimin pas-autoritar dhe pas-konfliktit. Libri i tij i parë, «Uria dhe tërbimi: Kriza e demokracisë në Ballkan» është tani në dispozicion nga Hurst Publishers.