Kërcënimi ndaj Kusari Lilës e ka tronditur Pacollin

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar në lidhje me kërcënimin që ka marr kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.




Pacolli thotë se lajmi për kërcënimin me jetë ndaj të vetmes kryetare femër në Kosovë është vërtet tronditës.

«Kërcënime të tilla tregojnë edhe një herë faktin që në Kosovë vazhdon të jetë prezente dhuna dhe strukturat mafioze të cilat zgjidhjet i shohin si produkt i dhunës të cilën e gjenerojnë vetë. Është inkurajuese deklarata e sotme e Kryeparlamentarit Veseli, grave deputete dhe disa përfaqësuesve institucional», ka thënë Pacolli, raporton Koha.net.

Megjithatë, thotë Pacolli, dhuna e shfaqur apo lajmëruar ndaj Kryetares Kusari-Lila, është pasojë e mungesës së funksionimit të sistemit apo besimit të dikujt se mund t’i ikin ndëshkimit dhe jo shkak i saj.

Nga përkrahja e shfaqur, Pacolli shpreson që ky incident të mos mbetet vetëm i shënuar, por edhe i sanksionuar.

Sipas kreut të AKR-së, Kusari-Lila, nga aq sa të gjithë jemi dëshmitarë, profesionalisht dhe moralisht ka përfaqësuar gjithmonë institucionin e shtetit me ndershmëri.

«Kujt i pengoi kjo punë dhe ky përfaqësim, është me të vërtetë e neveritshme. Dikujt që nuk ia duan të mirën zhvillimit dhe proceseve të mbara në Komunën e Gjakovës», ka thënë Pacolli.

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë që Komuna e Gjakovës më shumë se vetëm për përkrahje morale dhe retorike, ka nevojë për mbështetje konkrete dhe të vazhdueshme. Deri më tani, thotë Pacolli, e kemi parë se kjo mbështetje mungon, sidomos nga niveli qendror.

«Siç e dini edhe ju, Komuna e Gjakovës dhe ajo e Mitrovicës, janë bllokuar tashmë për më shumë se një vit nga qeveria e Kosovës në mënyrë skandaloze. Në Gjakovë, Znj Kusari-Lila është përballur, pos bllokimeve nga qeveria qendrore edhe me borxhe të shumta, me përpjekje të vazhdueshme për krijimin e ambientit të punës, krijimin e stafit dinjitoz, është përballur më kërcënime të llojllojshme, deri më tani tri kërcënime serioze për jetë iu kanë bërë stafit të Kryetares. Kërcënimi më serioz tani erdhi për vetë jetën e saj», thotë Pacolli.

«Sa i përket zhvillimit ekonomik në Gjakovë, unë personalisht jam dëshmitar i shumë rasteve ku janë sjellë investitorët dhe është punuar deri tek veprimi i fundit, kur është kërkuar toka apo hapësira për ngritjen e veprimtarisë, moment ky kur edhe ka dështuar për mungesë të këtyre tokave apo hapësirave prodhuese», shton më tej ai.

Pacolli thotë se, me aq sa është i informuar, Kusari-Lila shumë herë ka kërkuar nga Qeveria qendrore rregullimin e kësaj çështjeje, por deri tani premtimet e Kryeministrit e të tjerëve kanë mbetur vetëm fjalë.

Ai thekson se nuk mund të ketë zhvillim të kësaj komune me një bllokadë kaq serioze nga ana e Qeverisë, dhe shton se mungesa e vendimeve të Qeverisë sjell ngecje, frustrim dhe bllokim serioz të zhvillimit.

«Krime më të mëdha se vetë kërcënimi me jetë ndaj Znj. Kusari-Lila janë duke u bërë nga vetë institucionet qendrore që kanë bllokuar zonat e lira ekonomike, tokat dhe hapësirat prodhuese të cilat mbahen peng dhe çdo ditë degradohen e më tepër. Dashtë Zoti, institucionet, ashtu siç thotë Kryeparlamentari Veseli, të funksionojnë, përndryshe situata zhvillimore është katastrofale e me të edhe kriza sociale dhe morale», thotë Pacolli më tej në këtë reagim të publikuar në rrjetin social Facebook.

Pacolli thotë se është e pamoralshme dhe e pakuptimtë që investitorët të marrin tokë dhe objekte me qira, (siç ndodhë në tërë Kosovën), ndërsa në anën tjetër, me mijëra metra katror mbesin bosh. Prandaj, thotë ai, «Qeveria qendrore do t’i ndihmonte shumë komunat me zhbllokimin e këtyre aseteve të bllokuara, menjëherë».

«Një është e sigurt: nëse vazhdohet kështu, situata në tërë Kosovën do të jetë e përcjellë me shumë kërcënime tjera të gjitha formave dhe natyrave pamundësi të përmirësimit apo shansit të dytë», ka përfunduar Pacolli.