Keqpërdorime në projektin për pastrimin e lumit Llap

Komunarët e Podujevës kanë krijuar kaskada në lumin Llap nga mbeturinat që kanë mbledhur përgjatë shtratit të një pjese në qendër të qytetit.




Ata kanë angazhuar një kompani private për të bërë pastrimin e lumit Llap në qendër të qytetit. Por mbeturinat që mblidhen nga ekskavatorët grumbullohen vende-vende brenda shtratit për të formuar kaskada, shkruan sot «Koha Ditore».

Zyrtarët e Podujevës nuk kanë kthyer asnjë përgjigje lidhur me këtë çështje të mërkurën. Ata nuk kanë treguar se sa mjete kishin paguar kompaninë dhe pse kanë lejuar një gjë të tillë.

Ndërkohë shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se qeverisja komunale po bën keqpërdorime financiare në emër të pastrimit të shtratit të lumit Llap.

«Ekskavatori i kompanisë «Bini», të cilin e kishte angazhuar kryetari Veliu së bashku me drejtorin kompetent për këto çështje me mbeturinat, të cilat gjendeshin në shtratin e lumit, formonte kaskada në distanca të ndryshme dhe mbeturinat nuk largoheshin nga shtrati fare». Sipas shefit të Grupit të këshilltarëve të PDK-së, dëshmitarë për këtë janë edhe shumë qytetarë që kanë qenë aty pranë gjatë kohës që po punohej.