Keqkuptimi i temave politike

Një shikim i detajuar i lajmeve në televizionin «Klan Kosova» tregon se si hapësira informative e lajmeve kryesore është në gjendje të krijojë një realitet të përçudnuar të problemeve që i ka shoqëria. Gjatë monitorimit të lajmeve të javës së fundit të prillit të vitit 2018 në «Klan Kosova» shihet se kemi të bëjmë me humbjen e të «përditshmes», të «kudondodhurës» si probleme për shoqërinë, dhe ngujimin në tema të politikës së nivelit të lartë, që rëndom njihen edhe si «makro-politikë».



Pavarësisht zhvillimit të teknologjisë informative, televizioni dhe lajmet qendrore vazhdojnë të mbesin pikë e rëndësishme e informimit për shumicën e njerëzve në Kosovë. Lajmet qendrore janë segmenti informativ kryesor ku bëjnë pjesë ngjarjet më të rëndësishme të ditës. Nga data 21 deri me 28 prill në edicionin qendror të lajmeve të televizionit «Klan Kosova» shtatë lajmet e para dalin të jenë «makro-politikë», ndër të cilat tri janë më të shpeshtat: Serbia si problem i vazhdueshëm i Kosovës (1), integrimet europiane dhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel (2), dhe lajme nga takime e tryeza të rrumbullakëta protokollare të liderëve të vendit dhe konferenca (3).

Në këtë tipologji informacionesh, kemi të bëjmë me një keqkuptim madhor rreth asaj se çka quajmë politikë dhe çka është politikë. Këtu mendohet se politikë dhe ngjarje të rëndësishme janë vetëm takimet e nivelit të lartë. Për shikuesin jokritik të lajmeve, me fjalë të tjera, për masën e gjerë, kjo është Kosova dhe problemet e saj. Këto janë temat që duhet trajtuar për t’i dhënë zgjidhje problemeve në vend.

Kjo nuk është drejtpërsëdrejti kritikë e redaksisë së lajmeve në televizionin përkatës. Teknikisht, gjithçka mund të jetë në rregull sa i përket informacionit dhe plasimit të lajmit. Por, kur përcaktojmë rrjedhën dhe radhitjen e lajmeve në edicionin qendror të lajmeve, atëherë bëjmë shumë më shumë se kaq. Krijojmë një realitet të ditës, të jetës dhe të shoqërisë. Përcaktojmë problemet e rëndësishme dhe, për rrjedhojë, përcaktojmë edhe çka është e parëndësishme. Në këtë tipologji lajmesh e parëndësishmja del të jetë e përditshmja, e kudondodhura. Me pak fjalë, vetë jeta, e kundërta e politikës së lartë, pra problemet e jetës së përditshme dhe «banalitetet» e së përditshmes.

Duhet thënë se ndonëse kjo analizë ka në fokus vetëm lajmet e Klan Kosovës, një pasqyrë e ngjashme është pak a shumë edhe në televizione tjera, e posaçërisht në Radio Televizionin e Kosovës i cili paguhet me paratë e kosovarëve. T’i marrim me radhë temat makro-politike që trajtohen në edicionin e lajmeve.

Problemi Serbi

Vetë ekzistenca e shtetit serb, problemet e vazhdueshme që Serbia i shkakton Kosovës në rrafshin praktik dhe atë diskursiv, si dhe çdo deklaratë e liderëve serbë për Kosovën dalin të jenë lajmet më të përhapura në këtë monitorim. Për shembull, lajmet qendrore të datës 28 prill 2018 Klan Kosova i hap me një lajm për ngritjen e një lapidari gjigand të Idriz Seferit në Kaçanik, i cili pritet të ndërtohet brenda një shkëmbi të madh i ngjashëm me malin Rushmore në SHBA. Lapidari pritet të ndërtohet brenda tri vjetëve dhe do të kushtojë rreth një milion euro. Idriz Seferi ka qenë luftëtar shqiptar nga Kosova i shekullit të kaluar. Bashkë me Isa Boletinin ai ka udhëhequr kryengritjet në vilajetin e Kosovës kundër Perandorisë Osmane.

Lajmin e dytë spikerja e lidhë kështu me të parin: «Më shumë se një shekull pas heroizmave të Idriz Seferit, Serbia ende po e pengon shtetin e Kosovës të ketë ushtri dhe për më tepër po arreston pjesëtarët e saj». Bëhet fjalë për arrestimin e dy pjesëtarëve të FSK-së të nacionalitetit serb në Konçul. Nuk po ndalem të analizojë strukturën e fjalisë e cila në këtë formë është problematike në gjuhën shqipe. Më problematike në këtë rast është lidhja që i bëhet Idriz Seferit i cili ka jetuar në fillim të viteve 1900 dhe problemeve që Serbia vazhdon t’ia krijojë Kosovës sot, më 2018. Në mënyrën se si jepet lajmi, krijohet ideja se nga koha e Idriz Seferit në ushtrinë e sotme të Kosovës është një trajektore e pangatërrueshme e «armiqve» të Kosovës dhe përpjekjes për shtetformim.

Në edicionin e datës 27 prill, jepen dy lajme të detajuara rreth një konference rajonale në Shkup. Në fakt në lajme nuk jepen detaje rreth temës, përmbajtjes dhe punimeve të konferencës. Rëndësia e kësaj ngjarjeje është se gjatë saj qenkan «përplasur» Thaçi e Vučić gjatë një takimi me dyer të mbyllura. Megjithatë, nuk bëhet e ditur se për çfarë janë përplasur liderët e të dyja vendeve, por lihet të vetëkuptohet se përplasja ka qenë për Kosovën. Në lajmin pasues është një deklaratë e presidentit Thaçi lidhur me po këtë përplasje.

Lajmi për samitin e Shkupit jepet përsëri në edicionin e datës 28 prill. Edhe në këtë rast, samiti në vetvete nuk është në fokus të lajmit, por fakti se sa i shqetësuar është shfaqur Vučići në të për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës në samit. Pamjet që shfaqen tregojnë teksa burrështetasit ballkanas fotografohen së bashku dhe ndërkohë Vučić sheh orën i paduruar të përfundojë ceremonia.

***

Çdo deklaratë e liderëve serbë për Kosovën e dhënë për çfarëdo medie figuron në edicionin qendror të lajmeve. Shpesh madje duke i dhënë rëndësi më të madhe këtyre deklaratave se sa që realisht janë. Për shembull, në lajmet kryesore të datës 23 prill thuhet se sipas gazetës spanjolle «El Pais», e cila thirret në burime të saja, Spanja mund të përdorë veton kundër Kosovës në Samitin e Sofjes.

Në shtatë lajmet e para të datës 24 prill janë dy lajme për arrestimin e Marko Djurić në Kosovë. «Hetohen policët që arrestuan Djurićin», është lajmi i parë, dhe «Deputeti i Listës Serbe është traumatizuar nga pamjet për arrestimin e Djurićit» si lajm i dytë. Tutje, lajmi tjetër në po këtë datë është një deklaratë e presidenti serb Vučić dhënë për një media beogradase, në të cilën ai deklarohet kundër platformës së Prishtinës për dialog me Beogradin. Ngjashëm, në shtatë lajmet e para të datës 26 prill është edhe një deklaratë që Vučić i ka dhënë gazetës britanike «The Guardian» në të cilën thotë se një marrëveshje me Kosovën mund të arrihet, «por jo pa fituar edhe Serbia diçka në këtë mes». Në të njëjtin edicion të lajmeve është edhe një tjetër lajm i cili thirret në burimet e mediave serbe të cilat tregojnë se disa vende po e konsiderojnë tërheqjen e njohjes për Kosovën.

Në lajmet e para të edicionit të datës 27 prill është një lajm që i referohet gazetës «Veçernje Novosti», e cila thirret në burime të saj sipas të cilave ministrat serbë qenkan udhëzuar t’i kushtojnë vëmendje të veçantë Kosovës gjatë çdo takimi me kolegët e tyre ndërkombëtarë «sidomos më ata të vendeve që janë në gjendja të tërheqin njohjen e Kosovës». Për të disatën herë nuk do të ndalem të analizojë strukturën e fjalisë paraprake. Si përmbajtje, nuk dihet cilave burime i referohet lajmi për lajmin e gazetës «Veçernje novosti» dhe çka në fakt nënkupton ky lajm. Fjalët «njohje», «Serbi», «Kosovë» i mjaftojnë kronikës për të «problematizuar» një lajm, paçka se nuk është e qartë se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë.

Krejt në fund, në shtatë lajmet e para të datës 28 prill, është një lajm që tregon se presidenti serb Vučić i ka thënë mediave beogradase se ai e konsideron të vështirë një arritje kompromisi për Kosovën, pasi, sipas tij, pala shqiptare nuk po heq dore nga pavarësia. «Vučić thotë se Serbia duhet të vazhdojë të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës anipse shqiptarët i kanë aleatë të fuqishëm SHBA-në dhe vende të tjera me ndikim».

Integrimet europiane – dialogu në Bruksel

Lajmet për dialogun dhe integrimet europiane duket se janë lajme në vetvete, edhe kur nuk ka ndonjë element përmbajtësor në to. «Në Prishtinë u mbajt një tryezë për dialogun Kosovë-Serbi» – është një nga shtatë lajmet e para të datës 24 prill. Në lajm më tepër rëndësi i jepet faktit se është mbajtur një tryezë për dialogun se sa për çfarë është folur dhe cila është rëndësia e kësaj ngjarjeje.

Pavarësisht se janë lajmet më të shpeshta, këto lajme jo gjithmonë kontekstualizohen qartë në storjet e përgatitura. «Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera janë kritikuar se nuk kanë qenë serioze gjatë zbatimit të planit të agjendës për reforma europiane… Rezultatet jo të mira prishin imazhin e Kosovës në Europë». Ky është një nga shtatë lajmet e para të edicionit qendror të datës 28 prill, lajm i cili bazohet nga të dhënat e një instituti kërkimor në Prishtinë. Lajmi jepet pa ndonjë kontekstualizim ose shpjegim të mëtutjeshëm, a thua se «agjenda për reformë europiane» është koncept i njohur për shikuesin po aq sa është «moti me shi» për ditën e nesërme.

Shpeshherë në vend të kontekstualizimit të lajmit, jepen komente emocionale. Për shembull, në shtatë lajmet e para të lajmeve qendrore të datës 27 prill, është një kronikë e detajuar për vizitën e presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk. Gjatë vizitës së tij në Serbi, Tusk paska folur edhe serbisht. «Tusk foli me simpati për shtetin serb, i cili nga shumëkush njihet si shtet që nxiti luftëra në Ballkan… Kësi fjalori Tusk nuk pati kur një ditë më pas vizitoi Kosovën. Goja nuk i foli shqip as kur uroi për ratifikimin e demarkacionit», thuhet në kronikë. Ndryshe, paralajmërimi dhe vizita e Tusk në Ballkan u përsërit në lajmet e datës 24, 25, 26 e 27 prill.

Samite, tryeza të rrumbullakëta

Një pjesë e mirë e lajmeve, janë më shumë informacione për takime protokollare. «Partitë politike kosovarë diskutojnë për tema të mëdha», është një lajm i datës 25 prill i cili i referohet iniciativës së LDK-së për një tryezë ndërpartiake.

«Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u takua me kancelaren Angela Merkel. Merkel e vlerësoi tepër të rëndësishëm takimin me Ramën», është një lajm tjetër përsëri i datës 25 prill. «Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj merr pjesë në Samitin e Bërdos», është një tjetër lajm i ngjashëm i datës 24 prill.

Në lajmet e datës 22 prill thuhet se presidenti Thaçi ka udhëtuar në Hagë për një ligjëratë dhe promovim të librit për biografinë e tij. I njëjti lajm hap edicioni qendror të ditës së nesërme, me datën 23 prill. Madje-madje, një ekip i Klan Kosovës kishte shkuar për ta përcjellë këtë ngjarje në Hagë. Në kronikë paraqitet Thaçi duke deklaruar se «nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut me Serbinë». Shtrohet pyetja, për kë është i rëndësishëm ky lajm? Për më tepër, pse është dashur të përcillet presidenti deri në Hagë për të transmetuar këtë deklaratë të tijën?

Në këtë format, një nga lajmet më të panevojshme dhe ndoshta edhe më joprofesionale ishte një lajm i detajuar i datës 26 prill për takimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me kancelaren gjermane Angela Merkel. Në lajm thuhet kështu: «Hashim Thaçi pritet të realizojë një nga takimet më të rëndësishme të karrierës së tij politike. Takimi mbahet në orën 17:50 ndërmjet gruas më të fuqishme në botë dhe Hashim Thaçit. Ky është takim jo vetëm për marrëdhëniet bilaterale, pasi që Merkel e ka ftuar Hashim Thaçin në kuadër të iniciativës së saj për stabilizimin e Ballkanit». Ekspertët dhe studiuesit e mediave mund të flasin më gjerësisht për këtë lajm në veçanti, por ky informacion është i tejngarkuar me detaje protokollare të cilat nuk i interesojnë shikuesit, ku përsëritet me zor disa herë brenda fjalisë «Hashim Thaçi», dhe ka nota të panevojshme kualifikuese si për shembull «takimi më i rëndësishëm i karrierës», apo «gruaja më e fuqishme në botë».

Nëse kjo pasqyrë njëjavore e lajmeve është sadopak indikative për çka shfaqet gjatë një viti, logjikisht duhet pyetur cila është përgjegjësia e medias kur përcakton agjendën e ditës? Duke përcaktuar se e rëndësishmja është vetëm në «makro politikë», media e largon edhe më shumë qytetarin nga problemet e përditshme.