Keqkuptime shqiptare për biçikletën

Ngasja e biçikletës nuk na injekton me vlera evropiane e as nuk na bën të tillë. Biçikleta vetëm do të përmirësojë kualitetin e ajrit dhe do të mund të na shërojë prej komplekseve të të dukurit si «yje filmash» - qoftë kjo edhe kur punojmë në bankë, në komunë, në shkollë apo në furrë buke.



Ditë më parë u shënua dita botërore e qyteteve pa vetura. Në hapësirat shqiptare u rrihet gati shënimit dhe manifestimit të këtyre ditëve si mundësi e vetme për t’u bërë pjesë e botës. Jepen disa shfaqje teatrale të kryetarëve te komunave, të cilët i ngasin biçikletat për disa minuta, duke ofruar kështu një pamje goxha të panatyrshme. Një amnezi kolektive pason të nesërmen dhe nuk pyet më kush për simbolikën apo esencën e ngjarjes. Janë dy keqkuptime kryesore në Prishtinë dhe në Tiranë për, hajde të themi, institucionin e biçikletës dhe fetishin për të.

Bashkëkombësit e mi në Kosovë i shoh të entuziazmuar me biçikletën vetëm në parkun e Gërmisë në Prishtinë. Aty e duan biçikletën si paketë që duhet të ketë brenda «trenerkat» e shtrenjta, të kombinuara bukur me atlete, bluzë, kapelë dhe syze. Kështu e do Instagrami. Jashtë Germisë nuk e duan as natyrën, as gjelbërimin, as biçikletën. Jashtë Gërmisë ka rregulla të tjera të shfaqjes dhe të jetesës. Jashtë Gërmisë, biçikleta është ende sinonim i Migjenit – një njeriu të varfër ose ndonjë profesori me pagë qesharake. Prandaj ende më bëhen komente të tipit «kuku, edhe doktor shkence – edhe me biçikletë!»

Nuk është kjo kritikë sa për të vënë në pah sjellje të tilla dëshpëruese. Është mirë të promovohet biçikleta, ajri më i pastër në kryeqytet përballë qyngjeve gjigante të Obiliqit. Por biçikleta, dashuria për ambientin dhe preokupimi me cilësinë e jetesës nuk është ngjarje as aktivitet, është mënyrë jetese. Mënyrë jetese ku shërbyesi civil shkon në punë me biçikletë, një i ri shkon në bar me biçikletë, një tjetër shkon në një takim te dentisti me biçikletë. Dhe kjo mund të stimulohet me krijimin e një infrastrukture më pak të rrezikshme për ata që ngasin biçikleta. Me rikonceptimin e qytetit si hapësirë ku të ecurit dhe ngasja e biçikletës kanë më shumë përparësi se sa një makinë për kokë banori. Të paktën edhe qytetet të cilat e kanë të zhvilluar këtë traditë nuk është se u rrafshuan për tokë për t’u ndërtuar nga fillimi për t’ju përshtatur biçikletave dhe formave më të shëndetshme të transportit. Këto qytete e rikonceptuan hapësirën publike brenda zonave të banimit duke e bërë atë minimalisht të qasshme për makina të vogla dhe të mëdha. Prandaj në qytetin ku jetoj është e pamundur të defilosh nëpër «rrethin e qytetit» me veturë, sepse duhet detyrimisht të parkohesh të paktën disa kilometra jashtë zonës qendrore.

Sikurse të gjithë shërbyesit civilë në Belgjikë, duke qenë punëtore universiteti unë paguhem 22 centë për kilometër në ditë për faktin se shkoj në punë me biçikletë. Për shkak të relievit të përshtatshëm të vendeve të ulëta, me biçikletë udhëtojnë shumë njerëz deri në 60 kilometra në ditë. Pra, njerëzit mund marrin deri në 300 euro e më shumë në muaj për faktin se zgjedhin një metodë më të shëndetshme dhe më të mirë për ambientin për të shkuar në punë. Më shumë se sa shuma e parave, stimulimi për të përdorur sa më pak vetura, i bën njerëzit që edhe kur nuk ka mot të mirë, edhe kur mund të jenë të lodhur, përsëri të mos i ndahen biçikletës. Në fund të fundit, edhe i bëjmë shërbim vetes për sportin e mëngjesit.

Kjo edhe mund të duket karakteristikë e kufizuar vetëm në vende si Holanda dhe Belgjika, të cilat e kanë çiklizmin sportin kryesor dhe formën më të përhapur dhe më të dëshiruar të transportit. Por hiç më larg se vitin e kaluar, një rregullore e tillë është adoptuar edhe në Shkupin fqinj për të gjithë shërbyesit civilë që udhëtojnë me biçikletë në punë. Pra, është edhe çështje kreativiteti, jo vetëm çështje tradite apo relievi.

Tani, a mund ta paramendojmë sa shërbyes tanë civilë do të preferonin biçikletën në vend të veturave personale dhe zyrtare? A mund ta paramendoni dikë që del me biçikletë të premten mbrëma nga shtëpia dhe e parkon atë rrëzë bareve më «in» të Prishtinës? Biçikleta është mënyrë jetese, që do të nënkuptonte për shërbyesit civilë të visheshin më komodë në punë, e jo sikur janë nisur për të bërë «photo-shooting».

Në Tiranë për dallim prej Prishtinës, përpos një keqkuptimi për biçikletën, ka edhe një fetishizëm të asaj që biçikleta përfaqëson. Nëse shikoni fotografi të Tiranës dhe qyteteve tjera shqiptare para 1990, dalloni lehtësisht mungesën totale të veturave nëpër rrugë. Numri i veturave në kohën e komunizmit në të gjithë Shqipërinë numërohej me gishtat e dorës. Pavarësisht motiveve dhe gjendjes ekonomike për mungesën e veturave, kualiteti i ajrit dhe i ambientit kanë qenë shumëfish më të mirë. Menjëherë pas hyrjes së demokracisë, edhe biçikleta u pa si një relikt i komunizmit dhe nuk mund të vihej në të njëjtin nivel me «benzin» e shumëdëshiruar. Dhe, vetëm kur shqiptarët dolën përtej Greqisë dhe Italisë, dhe rizbuluan «bukuritë» e biçikletës në Amsterdam, Berlin e Kopenhagë, e rikthyen biçikletën si sinonim të evropianizimit në Tiranë. Në ditën ndërkombëtare të qyteteve pa vetura në Tiranë u tha se qëllimi i aktivitetit ishte «promovimi i vlerave dhe standardeve evropiane … për përmirësimin e mjedisit dhe cilësisë së ajrit…».

Është ky fetishizëm që i bën këto «ditë të shënuara» akoma më qesharake. Fetishizëm i çdo lëvizje për një jetë më të mirë, për një demokraci më të qëndrueshme, për të drejtat e fëmijëve si «vlera evropiane». Njerëzit ngasin biçikletën për të kontribuar për një kualitet më të mirë të ajrit, për të kontribuar në uljen e ndotjes së ambientit. Ngasja e biçikletës nuk na injekton me vlera evropiane e as nuk na bën të tillë. Biçikleta vetëm do të përmirësojë kualitetin e ajrit që thithim, do të krijojë një ambient më pak të ndotur për fëmijët tanë dhe eventualisht edhe do të mund të na shërojë prej komplekseve të të dukurit si «yje filmash» – qoftë kjo edhe kur punojmë në bankë, në komunë, në shkollë apo në furrë buke.