Këpucët tradicionale zvicerane do të prodhohen në Shqipëri

Firma Künzli dikur prodhonte këpucë edhe për kombëtaren e futbollit të Zvicrës. Tani prodhimi do të zhvendoset në Shqipëri.

Atlete të firmës Künzli. Foto: Keystone



Futbollistët e Zvicrës dikur luanin në fushën e blertë me këpucë të firmës Künzli. Mbi 90 vjet kjo firmë nga kantoni Aargau ka prodhuar këpucë me të cilat janë identifikuar shumë zviceranë. Tani kësaj historie i ka ardhur fundi. Ndërmarrja ka vendosur të zhvendosë prodhimin në Shqipëri. Sipas televizionit publik zviceran drejtorja e kësaj ndërmarrjeve ka vendosur t’i mbyllë portat e prodhimit në Zvicër dhe të hapë një fabrikë në Shqipëri. Vendimi është marrë për shkak të shpenzimeve të larta të prodhimit në Zvicër.

Barbara Artmann, drejtore e firmës Künzli, ka deklaruar se vendimi për të mbyllur firmën në Zvicër ka qenë i dhimbshëm, por duke e zhvendosur prodhimin në Shqipëri kjo markë zvicerane do të vazhdojë të ekzistojë edhe në të ardhmen. Artmann ka thënë se nuk u beson paragjykimeve të zviceranëve ndaj Shqipërisë. Njerëzit atje, sipas saj, janë të sjellshëm dhe të seriozë. Punëtorët në Shqipëri do të marrin rreth 400 euro rrogë, shumëfish më pak se kolegët e tyre në Zvicër, të cilët tani do të mbesin pa punë. Bëhet fjalë për gjashtë vende të punës që do të shkurtohen.

Firma Künzli u themelua më 1927. Me rritjen e konkurrencës Künzli u koncentrua para së gjithash në këpucë ortopedike. Barbara Artmann mori drejtimin e firmës në vitin 2004, pastaj lansoi një linjë atletesh dhe arriti sukses të konsiderueshëm në tregun zviceran. Më 2010 ajo u shpërblye me Swiss Award si biznesmene e vitit. (dp)