Këngëtarja që elektrizon folklorin për t’i dhënë zë grave në muzikën moderne

Pak para koncertit të saj të parë si Andrra, të martën mbrëma u ulëm me muzicienten dhe producenten Fatime Kosumi për ta diskutuar jetën në diasporë, muzikën popullore dhe sinqeritetin në tregimet e grave.

Fatime Kosumi- Andrra || Foto: Atdhe Mulla



«Çka ki Palinë, çka je idhnue?» pëshpërit Fatime Kosumi, duke e çelur lehtazi këngën titullore të EP albumit të saj të parë si Andrra. «Po don baba me m’martue / Pse po m’qet o babë jashtë?» vazhdon Kosumi duke u përgjigjur në emër të Palinës, protagonistes 14 vjeçare që do të martohet me një burrë që s’e ka takuar kurrë. Teksti i këngës, marrë nga një këngë popullore e Ulqinit (e regjistruar në vitin 1950), ishte frymëzimi prapa albumit të parë të shkurtër të Kosumit si Andrra, pseudonimi i saj artistik që nga viti 2014. EP-ja është një projekt narrativ që e rrëfen fejesën dhe martesën e Palinës përmes pese këngëve popullore të rikomponuara nga Kosumi dhe bashkëpunëtoret e saj Jonas Mueller dhe PC Nackt.

Koncepti EP-ja është fantastike jo vetëm sepse Kosumi ka zbuluar këngë të vjetra popullore dhe i ka komponuar plotësisht prej zeros në hibridë elektronikë, po edhe sepse përkundër pikëllimit që përmbajnë, këngët s’të hiqen nga mendja.

U takova me Kosumin në pjesën e vjetër të Prishtinës, ku si dy «shaci» të papërvoja, u ulëm të pimë çaj në një çajtore, vetëm për të zbuluar se ata servonin pijen e ngrohtë vetëm me filter. Kosumi kishte ardhur në Kosovë për ta promovuar EP-në e saj të re dhe videon «Palinë», që ishin publikuar javën që shkoi (EP albumi mund të blihet nëBandcamp aq pak sa pesë euro). Më me rëndësi, Kosumi kishte ardhur për premierën botërore të Andrrës në Teatrin Oda të martën.

E lindur në Gjermaninë Jugore nga prindër kosovarë, 36-vjeçarja Kosumi ishte rritur në Rosenheimin periferik dhe thotë se kishte pasur tepër pak njohuri për muzikën shqiptare përtej muzikës argëtuese që i servohej diasporës kosovare në video-kaseta.  U vendos në Kosovë në vitin 2001, ku merrej me muzikë dhe aktivizëm politik – ajo kishte qenë anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje para se të shndërrohej në parti politike. Albumi i saj i parë, një përzierje e pop dhe R’n’B quhej «Nata Përbin çdo Rëndësi», një titull aq mendjemadh që sot e bën Kosumin t’ia plasë së qeshuri. Në vitin 2009 Kosumi u zhvendos në Berlin dhe në vitin 2014 u kthye kah muzika popullore shqipe për frymëzim artistik, duke e shpikur personin e vet artistik- Andrrën.

Fatime Kosumi- Andrra || Foto: Atdhe Mulla

«Unë jam kanë mishërimi i dilemës së diasporës», më tha plot modesti Kosumi. «Para se me ardhë në Kosovë – s’kam njoftë hiç muzikë shqipe. Kur kom ardhë në Kosovë jam njoftu me disa prej këtyre emrave.»

Por prindërit e saj i kishin mbajtur gjallë dashurinë për muzikën popullore dhe kishin pasur kaseta me këngë tradicionale folklorike, me defa dhe çifteli. Nëna e saj në veçanti kishte pasur kaseta me këngë të grave, të përcjella vetëm me def, të incizuara në kanagjegj- mbledhje tradicionale për t’i thënë lamtumirën nuses që simbolikisht dhe në të kaluarën literalisht – duhet ta lë familjen e saj.

«Kur kam qenë 15 ose 16 vjeç, ne i kena fshi kasetat e nënës teme, tu incizu gjëra që tash i gjen me miliona herë në internet – kena inçizu Hole a Kurt Cobain», thotë Kosumi duke qeshur, po jo pa ndier pak faj.

Më vonë, duke dëgjuar video-incizime të festivaleve folklorike të mbajtura në Shqipëri në vitet e ‘60 dhe ‘70, Kosumi kishte rizbuluar këngët e nënës së saj, por s’mund t’i gjente askund tjetër në internet.

«Përderisa kangët qytetare rikomponohen rregullisht dhe nuk janë harru’, këto këngët e fshatit, mendoja, ishin sikur nana jeme – të harrume», tha Kosumi. «Kangë me defa hiç s’kam gjetë – shumë pak. Shumë kisha qejf me i ndi ma shumë, se edhe tekstet më prekshin tepër»

Kjo e shtyu Kosumin të krijonte një dokumentar për këngët e grave anembanë Kosovës. Bashkë me regjisorin francez Vincent Moon, ajo prodhoi dokumentarin “Kangë e Defa” në vitin 2015 (filmi është tash edhe në internet).

Rreth kësaj kohe Kosumi po ashtu filloi të adaptohej me Berlinin, një qytet që për të kishte qenë «i papërthekueshëm».

«Isha plot ndrojtje ndaj Berlinit. Më vjen marre me thënë se m’u kanë dashtë gati katër vjet për me u çelë ndaj qytetit», thotë Kosumi, e cila do të performojë «Palinën» sonte me bendin gjerman «Apparat» dhe muzicientin/dirigjentin PC Nackt. «Mendoja që Berlini do të më humbte…në fakt e kuptova që ajo «mbyllje» ishte çka më humbte më së shumti, e bante bash atë që mendoja që liria do e bante.»

Kosumit i është dashur ca kohë për të mos e parë veten «vetëm si shqiptare». Ndonëse Gjermania nuk kishte qenë e huaj për të, pa familje dhe një rreth të gjerë të miqve shqiptarë në Berlin, Kosumi mund ta kuptonte se si dikush mund të ndihej i tëhuajtur. Si shërim për izolimin e saj, ajo i ishte kthyer këngëve shqipe, duke dëgjuar gjithçka prej këngëve argëtuese të Sinan Vllasaliut e deri tek këngët e vjetra qytetare si balada e Fitnete Rexhës «Dashurinë që kam për ty», një version të së cilës ajo e kishte incizuar si Andrra.

«Më ngjallshin njëfarë ndjenje, më kujtojshin kur shkojsha te tezja jeme në Dobratin, ajo ndigjojke kësi farë kangësh. Më afrojshin me familjen teme», shpjegoi Kosumi.

Gjatë fazës hulumtuese për «Kangë e Defa», ekipi i Kosumit zbuloi shumë këngë popullore për tema të ndryshme, prej festës së shëngjergjit, te këngët për çeljen e kulaçit, si dhe këngët e kanagjegjit.

«Për dashuri natyrisht që s’ka [kangë] sepse gratë nuk kanë pasë pse me u dashuru», tha Kosumi me shpoti. «Ose s’kanë pasë me dashuru».

Sipas Kosumit, deri në vitet e 80-ta, edhe kur gratë kanë kënduar këngë dashurie, ato nuk janë kënduar nga perspektiva e gruas, por e burrit. Kjo vlente edhe për këngë të fshatit dhe ato të qytetit.

Fatime Kosumi- Andrra || Foto: Atdhe Mulla

«Për dallim prej këngëve tjera, këngët e fshatit për kanagjegj janë këngë në të cilat gratë munden me këndu për jetët e tyne sepse po këndojnë në rreth të ngushtë, në mes vete», shpjegon Kosumi e cila u obsesionua me tekstet e këngëve që u këndoheshin nuseve para se të linin shtëpinë e babait.

«Ato janë të sinqerta dhe tregojnë jetën e vërtetë të këtyre grave. Për dallim prej kangëve qytetare, që janë poetike, kangët e kanagjegjit janë të drejtpërdrejta, pa zbukurime».

Pesë këngët që Kosumi i ka zgjedhur për EP-në e saj janë marrë nga një libër i Anton Çettës, albanologut dhe folkloristit më me nam që ka mbledhur volume të shumta të folklorit shqiptar. Këngët janë nga rajone të ndryshme të banuara me shqiptarë nga Ulqini në Mal të Zi, Zymi në Kosovë, Janina në Greqi dhe Tetova në Maqedoni. Të thuash se janë të pikëllueshme është minimizim, sepse këngët e kanagjegjit e kanë pasur për qëllim të shtyjnë nusen të qajë e vajtojë ikjen e saj. EP-ja e Kosumit e dokumenton një premtim të dhunshëm të një fëmijë-nuseje, protestimin e saj dhe pranimin e saj me gjysmë zemër.

«Palinë» që pritet të përcillet me një EP të dytë me tematikë tjetër, fillon me «Kalle Llamën», një këngë për fejesë dhe përfundon me «Kur dola te porta», në të cilën nusja vajton me mall burrin e saj që ka shkuar jashtë dhe e ka lënë të vetme me familjen e tij.

«Ky është cikli jetësor për shumicën e grave në familjen time të cilat janë një gjeneratë më të vjetra se unë», tha Kosumi, për të cilën incizimi i këngëve ishte i dhimbshëm dhe emocional, sidomos pasi që tezja e saj kishte vdekur gjatë kohës që po incizonte.

«Nana jeme ka kajtë mas çdo kange, fillimisht sepse i ka njoftë, por edhe sepse kur e ka pa që dikush po bën kangë me storiet e veta, asht ndi e vlefshme», tha Kosumi.

«Dhimbja kryesore është kur nuk ndëgjohet, kur duket që ti je vetëm me atë që ke përjetu», më shpjegoi Kosumi.

«Mu mu dukke që këto gra nuk janë të dëgjume. Kur diçka të ka ndodhë dhe kur e sheh veten t’reprezentume, t’ban mu ndi ma lehtë».

«Mu dukke që po bëj diçka mirë», buzëqeshi Kosumi me modesti.

EP-ja e Andrrës “Palinë” mund të blihet në websajtin e saj. Koncerti i parë promocional u mbajt në Teatrin Oda në Prishtinë me 23 maj.

(https://www.reporter.al/kengetarja-qe-elektrizon-folklorin-per-ti-dhene-ze-grave-ne-muziken-moderne/)