Këngëtarja luftëtare

«Zemrat na janë thyer, na kanë ndarë dhe tash jetojmë pa shpresë» është teksti i këngës që këndohet në kor prej vajzave derisa Xate Shingali po u prin ushtrimeve përpjetë kodrave.




Por ylli i muzikës folklorike nuk do të mund të kishte haber se pikërisht këto fjalë paraqesin gjendjen e jazidëve, që historikisht janë përballur me probleme.

Vetëm një vit pas ngarkimit të këngës në «YouTube», luftëtarët e ISIS-it bombarduan krahinën Sinjar, ku është numri më i madh i anëtarëve të minoritetit jazidi në Irak. Bombardimet shkaktuan tmerr në mesin e banorëve të zonës, transmeton sot «Koha Ditore» shkrimin e CCN.

Armët në vend të instrumenteve

Tani, në vend të këndimit të këngëve të dashurisë dhe humbjes, Shingali po trimëron vajzat për fushëbetejë. Ajo ka lëshuar nga duart instrumentet dhe ka rrokur armët që të luftojë të akuzuarit për kryerje të gjenocidit kundër popullit të saj. Është në krye të «Brigadës së diellit», një njësit vetëm me gra në kuadër të Peshmergas, forca të armatosura kryengritëse kurde.

Shingali thekson se normalisht është kundër çfarëdo lloj dhune, por janë militantët e «Shtetit Islamik» ata që nuk u kanë lënë tjetër çare asaj dhe bashkëluftëtareve të saj.

«Në botë nuk duhet të ketë vrasje», thekson ajo. «Në librin jazidi, thuhet se duhet të keni zemër të pastër. Secili njeri duhet të ketë zemër të pastër».

ISIS-i ka marrë fushatë të ashpër kundër komunitetit jazidi në Irak vetëm për shkak se nuk besojnë sikur myslimanët sunitë. Militantët e organizatës më të madhe terroriste kanë poshtëruar familjet jazide, duke vrarë, rrëmbyer e dhunuar femrat me qëllim që të binden që të kthehen në islamin sunit.

Por Shingali dhe bashkëluftëtaret e saj thonë se nuk e kanë ndër mend të heqin dorë prej luftës së tyre për të drejtat e komunitetit pavarësisht krimeve të kryera nga ISIS-i kundër jazidëve të pambrojtur.

«Por çfarë bëni kur nuk keni çare pa luftuar, kur nuk ka kush të të mbrojë ty dhe familjen?».