Këngëtarit serb i ndalohet paraqitja në një koncert në Zvicër

Një shoqatë kulturore nga Bazeli ka organizuar në Aarburg një koncert me këngëtarin Mirko Pajcin. Komuna ndërkohë e ka ndaluar atë.

Foto: Attila JANDI / Shutterstock

Koncerti i Mirko Pajcinit më 10 shtator në palestrën «Paradiesli» në Aarburg të kantonit Aargau nuk bëhet: Këshilli Komunal ia ka tërhequr lejen organizatorit të koncertit, një shoqate kulturore serbe me seli në Basel. Sipas autoriteteve, koncerti paraqet një rrezik për sigurinë, ka shkruar gazeta «Basler Zeitung».

Sipas raportit të gazetës, Këshilli Komunal në vendimin e tij është bazuar edhe në rekomandimet e policisë kantonale. Këgëtari 49-vjeçar Mirko Pajcin, i njohur me nofkën «Knindža», që i referohet një njësie paramilitare, ka rënë në sy me repertorin e tij radikal dhe nacionalist. Ai, ndër të tjera e ka hyjnizuar krimet serbe gjatë luftës në Kroaci në vitet 1991 deri 1995.

Organizatori është i habitur me vendimin e Këshillit Komunal të Aarburgut, thotë raporti i gazetës. Kryetari i shoqatës Ilja Jovic ka konfirmuar që «Knindža» më parë ka pasur një repertor të tillë, por tani ai qenka transformuar dhe këndoka këngë gazmore. Organizatori është shprehur i bindur që Pajcin në palestrën e Aarburgut nuk do të këndonte asnjë nga këngët e tij të moçme.

Dhe, ky nuk është rasti i vetëm. Vetëm një javë më parë, koncerti i një këngëtari nga ish Jugosllavia kishte shkaktuar debate. Startiket kishte njoftuar se nuk do të shiste bileta për koncertin e rokerit nacionalist kroat Marko Perkovic dhe bendit të tij Thompson. Arsyeja: Ndër të tjera edhe për shkak të reagimeve negative që kishte pasur për këtë. ks