Këngë

Allen Ginsberg.



Pesha e botës
është dashuria
nën barrën
e vetmisë
nën barrën
e pakënaqësisë
pesha
që na rëndon
është dashuria.
Kush mund ta mohojë
Në ëndrra
ajo prek
trupin,
në mendime
ngre
mrekulli,
në imagjinatë
na ankthon
derisa lind
tek njeriu –
Shiko jashtë zemrës
që digjet dëlirësisht –
sepse pesha e jetës
është dashuria,
dhe ne e mbajmë këtë peshë
ndonëse të kapitur,
që të mund të prehemi
në krahët e së dashurës
më në fund
që të mund të pushojmë në krahët
e së dashurës –
S’ka prehje
pa dashuri
s’ka gjumë
pa ëndrra
dashurie –
daç bëhu i çmendur, daç bëhu i akullt
bëhu maniak engjëjsh
apo maniak makinash;
por e fundit dëshirë e jotja
mbetet dashuria
-s’mund të jetë e hidhur
s’mund të mohohet
s mund të fshihet
edhe nëse mohohet;
Shumë e rëndë kjo peshë
– na është dhënë
njëherë e përgjithmonë
si mendimi
që jepet
në vetmi
me gjithë shkëlqimin
e marrisë së tij.
Trupat e ngrohtë
shkëlqejnë së bashku
në errësirë,
dora shkon
drejt qendrës
së trupit
lëkura drithërohet
lumturisht
dhe shpirti shfaqet beftë,
gëzueshëm në sy –
po, po
Kjo është çka unë dëshiroja
Unë gjithmonë dëshiroja
të kthehesha
tek trupi
nga i cili lindim.