Kënga e lirisë

Xhevahir Spahiu.



Toka, qengj i therur, përpëlitet.

Pyet bari: ç’do të thotë jetë?
Pyet i vrari: hyj a dal në mesjetë?

Si lumenj të turbullt,
nga zemërimi flasin përçart
poetët.

Plumbii ua vodhën,
me plumb i goditën,
gotat delirante kryeqyteteve ngritën.
Po foshnja e mbytur në gjak,
po plaku i këputur në prag,
edhe të vdekur shpallin fjalë zgjimi:
Bashkimvëllazërimi – perdekrimi.

Po këngët,
këngët a do të gdhihen pa pranga?
A do ta shkulë jeta me dorën e vet
atë thikë të ngulur mbi shpinë?

Kosova është në muajin e nëntë
dhe do të pjellë lirinë.

1990