Këndon shiu

Foto: Shutterstock



Këndon shiu
dhe unë qaj –
veshët e nënës bëhen si dheu i ftohtë,
dhe të ftohta bëhen
duart e saj.
Kur hap derën,
të gjitha rrugët do të thërrasin dhe tërheqin,
kur hap dritaren,
hëna jetën time shuan.

Përktheu: Enver Robelli

Rajzel Zychlinski u lind më 27 korrik 1910 në Gąbin të Polonisë si Rajzla Żychlińska. Vdiq më 13 qershor 2001 në Concord, Kaliforni, SHBA. Vepra e saj poetike mbizotërohet nga përvoja në botën e hebrenjve të Europës Lindore. Poezitë e saj përshkruajnë me saktësi sizmike dridhjet e mëdha gjatë shekullit XX. Këto dridhje Zychlinski i përjetoi dhe mbijetoi edhe vetë. Pasi shpërtheu ngushtësinë e qytetit të lindjes, punoi si administratore e një shtëpie jetimësh; jetoi në Varshavë; mbijetoi bombardimet e nazistëve; u arratis në Bashkimin Sovjetik; vuajti traumat e luftës. Nëna, vëllezërit dhe motrat e saj u vranë në dhomat e gazit në Chelmnos (Kulmhof) të Polonisë së pushtuar nga gjermanët. Pas luftës u kthye në Poloni, ku hebrenjtë e mbetur gjallë u ballafaquan me antisemitizmin e popullsisë vendore; emigroi në SHBA. Jeta në qytetin multikulturor dhe shumëkombësh të New Yorkut ishte temë e shumë poezive të saj.