«Këmbësorë, dele dhe automjete ushtarake kineze»

Ditari zviceran (6): Si e përshkruante Shqipërinë Ambasadori i Zvicrës në Beograd në vitin 1976?




Sot tingëllon absurde, por në vitet ’70 ishte realitet: shumica e ambasadorëve të vendeve perëndimore të akredituar në Beograd ishin përgjegjës jorezident edhe për Shqipërinë. Shpesh në raportet e tyre për situatën në Shqipëri, të cilat ua dërgonin ministrive të Jashtme përkatëse, diplomatët perëndimorë i referoheshin shtypit jugosllav (për shembull gazetës «Politika») dhe agjencisë së lajmeve «Tanjug». Ambasadorët mund të vizitonin Shqipërinë një herë ose dy herë gjatë vitit, ku zhvillonin takime me anëtarë të nomenklaturës komuniste dhe, të mbikëqyrur nga agjentë të sigurimit, lejoheshin të bënin ndonjë vizitë «në provincë».

Nga data 27 maj deri më 3 qershor 1976 Shqipërinë pati rastin ta vizitojë ambasadori i atëhershëm zviceran Hansjörg Hess. Shqipëria ishte në kulmin e miqësisë me Kinën – dhe shumë ambasadorë perëndimorë ishin të interesuar të shihnin rezultatet e këtij eksperimenti të Pekinit në brigjet e Adriatikut. Ambasadori Hess fillimisht në raportin e tij tregon se në Shqipëri kishte shkuar përmes Titogradit (Podgoricës së sotme) duke kaluar nëpër Shkodër drejt Tiranës. Në Jugosllavi ishte kthyer përmes Elbasanit dhe Ohrit. Diplomati zviceran krenohej se, për dallim nga ambasadorët e akredituar në Tiranë, të cilët mund të udhëtonin nëpër Shqipëri vetëm me leje speciale të autoriteteve, kishte pasur rastin të shohë disa pjesë të Shqipërisë.

Përshtypjet e para të ambasadorit janë këto: mes Shkodrës dhe Tiranës një rrafshinë e mbjellë me të lashta, misër, luledielli dhe duhan, plantacione me pemë, «qindra ushtarë që u ndihmojnë bujqve». Në rrugën e kthimit ambasadorit i kishte rënë në sy kantieri gjigant i Kombinatit të Çelikut në Elbasan, i cili atëbotë ndërtohej nga kinezët. Sipas ambasadorit Hess rrugët ishin të mira (për rrethanat shqiptare), por shumë rrallë kishte parë vetura dhe pak kamionë, autobusë dhe automjete ushtarake kineze. «Rrugët kryesisht përdoren nga këmbësorët dhe nga kopetë e deleve».

Ambasadori raporton se gjatë shëtitjeve në Tiranë dhe vizitave në rrethinë nuk kishte përjetuar armiqësi ndaj të huajve. «Ne (ambasadori vizitoi Shqipërinë me bashkëshorten e tij) dhe Mercedesi ynë gjithkund u shikuam si të ishim një mrekulli e botës». Në përgjithësi njerëzit dukeshin me disponim të mirë, por Hess ishte habitur me mallrat e pakta dhe me cilësi të dobët. Niveli i jetesës ishte i ulët, aq i ulët, saqë «ne s’mund ta marrim me mend», theksonte ambasadori.

Hansjörg Hess njoftonte se ishte pritur me protokoll të njëjtë si kolegët e tij nga Austria, Danimarka, Belgjika dhe Libia, të cilët «së fundi» kanë vizituar Tiranën. Përkundër dëshirës nuk ia kishte dalë të takonte kryeministrin Mehmet Shehu. Por, ambasadori ngushëllonte veten duke informuar Bernën zyrtare se edhe ambasadori francez, i cili ishte rezident në Tiranë, nuk ishte pritur asnjëherë zyrtarisht nga Shehu. «Ministri i Jashtëm Nesti Nase priti vetëm kolegun danez në një takim lamtumirës». Ambasadori nënvizonte se kishte dëgjuar që pozita e Nastes ishte lëkundur dhe thuhej se nuk ishte parë në takime të rëndësishme, por Hess ankohej se në atmosferën e sekreteve në Tiranë nuk ishte e mundur të bëhej një analizë e qartë e zhvillimeve. Në Tiranë ambasadori ishte përpjekur të takonte ministren e Bujqësisë, por ajo ishte diku të jug për të inspektuar tokat e dëmtuara nga breshëri.

Në përgjithësi ambasadori zviceran nuk arrin të mësojë shumë mbi zhvillimet në Shqipërinë e asaj kohe – dhe kjo nuk ishte befasi për shkak të mbylljes hermetike të vendit dhe paranojës së regjimit.

Rrjedhimisht, ambasadori zviceran në fund të raportit merret me rolin e kinezëve. Tregon se vetëm kinezët kanë një atashe ushtarak në Tiranë. Kina, shton ai, po e armatos ushtrinë shqiptare dhe me gjasë këtë po e bën falas. Funksioni i atasheut ushtarak kinez në Tiranë, sipas Hess, ka rëndësi të madhe. Edhe ambasadori kinez në Tiranë gëzon trajtim të privilegjuar. «Gjatë qëndrimit tim ambasadori kinez, gjenerali Liu Xhen Hua, pas shërbimit pesëvjeçar në Tiranë, u kthye në Pekin, ku pritet të avancohet në postin e zëvendësministrit të Jashtëm. Para se të largohej ai u nderua disa herë me bankete, me pritje dhe me audienca te Enver Hoxha dhe kryeministri Shehu, një nder që nuk iu bë ambasadorit italian, i cili ishte larguar pak më herët (nga Tirana). Përkundër kërkesës së tij kryeministri Shehu nuk e kishte pritur për një audiencë lamtumirëse», shkruan ambasadori Hess, i cili ishte ftuar që bashkë me diplomatë të tjerë në Tiranë të shkojë në aeroportin e Rinasit për të përcjellë ambasadorin kinez. Me atë rast – çfarë gëzimi! – ambasadori helvetik kishte pasur rastin së paku të përshëndes zëvendësministrin e Jashtëm Reis Malile, i cili po ashtu kishte vrapuar në aeroport për të përqafuar vëllain kinez, para se ky të hipte në një avion kinez, i cili do të çonte në Bukuresht dhe tutje në Pekin. Në aeroportin e Tiranës diplomati zviceran ishte habitur me dhjetëra burra e gra kinezë – «një përqendrim që mbase s’mund ta shohësh askund në Europë».