Kelmendi zgjedhet kryetar i FJALA-s, thotë se duhet të bashkohemi në luftën kundër terrorizmit




Partia FJALA sot ka mbajtur Kuvendin e parë Zgjedhor, ku zgjodhi kryetarin e saj.

Në ketë Kuvend, delegatët votuan Gëzim Kelmendin për kryetar të partisë FJALA. Punimet e këtij Kuvendi i udhëhoqi njëri ndër themeluesit e kësaj partie, Vehbi Berisha.

Ndërsa shpalosjen e rrugëtimit të kësaj partie dhe programit të saj, para delegatëve e prezantoi bashkëthemeluesi tjetër, Besnik Xhogoviqi.

Në emër të Forumit të gruas, para delegatëve foli Eneida Kelmendi, e cila tregoi se FJALA do të punojë që pozita e gruas në shoqërinë kosovare do të fuqizohet në të gjitha fushat për faktin se femra kosovare është shtyllë e shoqërisë sonë.

Kryetari i posa zgjedhur i partisë FJALA, Gëzim Kelmendi në fjalimin e tij para delegatëve konfirmoi qëndrimin e tij dhe subjektit politik që ai e drejton se do të punojnë dhe angazhohen fuqishëm kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai tregoi se ndjehet krenar që në këtë rrugë ka bashkë me vete një strukturë të pasur intelektualësh dhe profesionistësh nga të dy gjinitë të cilët janë të gatshëm me profesionalizmin dhe ndershmërinë e tyre të jenë në shërbim të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Duhet të bashkohemi në luftën kundër terrorizmit i cili nuk njeh fe, komb, ngjyrë dhe gjuhë dhe i cili rrezikon jetën e qytetarëve”, tha Kelmendi. “Do ta mbrojmë fuqishëm tolerancën ndërfetare të cilën populli ynë e ka kultivuar me shekuj dhe nuk do të lejojmë asnjë individ apo grup të rrezikoj këtë harmoni ndërfetare”.

Për fund, kryetari Kelmendi theksoi se mesazh i qartë për neve janë Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Beteja e Prekazit, Beteja e Loxhës dhe Beteja e Koshares që na treguan se populli ynë e do lirinë dhe nuk dorëzohet para të keqes “andaj edhe ne nuk do të dorëzohemi para kësaj të keqe aktuale në Kosovë krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Kuvendi zgjedhor i Partisë FJALA miratoi statutin cili rregullon çështjen e zgjedhjes së Kryesisë së re dhe programin e kësaj partie.