Kelmendi me biçikletë – një udhëtim gati ekzotik

Male, liqene, kodra dhe shumë histori: një reportazh nga trekëndëshi kufitar Kosovë, Mali i Zi shqiptar dhe Shqipëri veriore.

Urë afër Shkodrës. Foto: Shutterstock

Këtë udhëtim me biçikleta e kisha planifikuar një vit më parë. Doja shumë të isha pjesë e kësaj eksperience të veçantë që përshkonte një territor intrigues e ekzotik – pjesën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si dhe ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Udhëtimin e quajtëm Kelmend – për arsye se një pjesë të madhe të tij kalon nëpër këtë krahinë, nëpër Plavë e Guci që dhunshëm iu dhanë Malit të Zi në Kongresin e Berlinit (1878) si dhe në pjesën tjetër të kësaj krahine që mbeti brenda kufijve të Shqipërisë – krahinë kjo që gjatë diktaturës së Enver Hoxhës ishte ndoshta rajoni më i persekutuar dhe më i izoluar në Europë.

Jemi nëntëmbëdhjetë biçiklistë. Udhëtimin e fillojmë herët në mëngjes nga Gjakova, ku me shpejtësi ngarkojmë biçikletat në kamion. Rrugën nëpër Grykë të Deçanit deri te Zalli i Rupës e kalojmë me automjete. Vërejmë se në këtë zonë ndërtimi i disa hidrocentraleve të reja e ka transformuar lumin Lumëbardh të tërin dhe me të është transformuar edhe biodiversiteti.

HEC-omania nëpër lumenj të Ballkanit është duke e shkatërruar natyrën, po e përplas atë në një rrugë pa kthim. Nga Zalli i Rupës nisemi përpjetë bjeshkës, përmes një «stanishtëje» e cila sapo kishte filluar të popullohet. Rrugën e vazhdojmë deri në Qafë te Bogiqës, kufiri i Kosovës me Malin e Zi. Marr vesh që kjo pikë kufitare nuk ishte e kontestuar. (Kosova dhe Mali i Zi ende nuk janë pajtuar për vijën kufitare ndërmjet dy shteteve).

Lëshohemi teposhtë bjeshkëve të Plavës. Gjëja e parë që më bie në sy janë pishat e paprekura andej kufiri. Çfarë dallimi! Në krahasim me prerjet pothuaj gjenocidale të pishave në pjesën e Kosovës, andej kufirit ato ruheshin të paprekura. Sundim ligji, vetëdija e banorëve, apo që të dyja?

Ndërsa ende kërkoja përgjigje, pashë se kishim arritur në hyrje të Plavës. Aty u ndalëm në pazar pasi kishim disa defekte të vogla në biçikleta dhe kishim nevojë për disa bulona. Tregtarët përveç që na shërbejnë me dashamirësi, nuk na lejojnë as të paguajmë. Njëri me humor na thotë: «Pse nuk na sollët ndonjë shalqi nga Kosova?» Kjo pyetje nuk u tha rastësisht – në ish-Jugosllavi, Peja ka qenë një port furnizimi më pemë dhe perime për të gjitha qytetet lindore të Malit të Zi. Nuk vazhdojmë tutje pa e shijuar pak edhe freskinë e liqenit të bukur të Plavës. Aty takojmë një fëmijë shqiptar që flet me theks të fort malësor të kësaj ane kurse shoku i tij rreth 11 vjet ndonëse kishte nënën shqiptare nuk dinte shqip. Nuk nisemi pa e bërë bashkë një foto duke e formuar me dore shqiponjën, tashmë një shenjë dalluese e shqiptarëve kudo na Ballkan.

Vazhdojmë rrugëtimin tonë në drejtim të Gucisë. Kalojmë disa fshatra me shtëpi të bukura dhe kopshte të punuara me kujdes. Njerëzit e pakët rrugës me të kuptuar që jemi shqiptarë na përshëndesin në gjuhën shqipe. Në skaj të rrugës, nën hijen e rrushit dy burra pinë birra. Njëri na përshëndet. I them: «Shqiptar je?» Thotë: «Po, unë jam Shefqet Rugova». E më pas vazhdon rrëfimin se si në këtë anë të gjithë janë shqiptarë, bile edhe ata të cilët të flasin serbisht. Tregon që ky regjion tradicionalisht ka qenë i banuar me shqiptarë, por për shkaqe ekonomike dhe politike shumë prej tyre kanë emigruar në Amerikë, Europën Perëndimore dhe në Kosovë.

Në pasdite e kalojmë kufirin dhe hyjmë në Vërmosh, në pjesën më veriore të Shqipërisë. Udhëtojmë përmes një peizazhi të bukur, të virgjër, me shumë pak shtëpi. Ajo braktisje ishte shenjë e një jete të vështirë të banorëve të kësaj ane, shqiptarë katolikë, të njohur si kryengritës kundër osmanëve dhe të padëgjueshëm ndaj diktatorit Hoxha. Rrugës takojmë dy-tre grupe të turistëve të huaj. Takoj edhe Barbaran, e cila shënjon shtigjet për t’i shitur pastaj si produkte turistike në tregun gjerman. Ndjehem i lumtur që pas transicionit, ky regjion ka filluar të shndërrohet në atraksion turistik. Janë bërë investime nga qeveria shqiptare dhe janë derdhur fonde të huaja në përmirësim e infrastrukturës rrugore dhe turistike. Turizmi është shpresa e vetme për këtë regjion.

Pas dy orësh arrijmë në Lëpushë, një fshat jashtëzakonisht i bukur dhe pothuajse i braktisur. Gjatë viteve të fundit disa banorë ishin rikthyer, tash si ndërmarrës, pronarë bujtinash për turistë. Një kishë e re që po ndërtohej ishte shenjë që fshatit po i rikthehej jeta.

Vendosemi te Luigji, një banor i fshatit, i cili së fundmi kishte hapur një bujtinë. Ai na pret me qengj të pjekur në hell, djathë fshati e raki boronice. Pas kësaj darke tradicionale, të përgatitur për mrekulli, shkojmë të pushojmë. Pushimin tonë e përcjellin të lehurat e qeneve  që s’pushonin.

Në mëngjes përshëndetemi me Luigjin, lëshohemi teposhtës deri te lugina e lumit Cem. Kjo luginë m’i kujton këngët e viteve të ‘80 të Kosovës që këndoheshin për këto vende, përfshirë edhe këngët për vetë lumin Cem. Kalojmë kilometra të tëra pa takuar njeri e pa parë asnjë shtëpi. Para se të mbërrijmë në Tamarë shohim disa kazerma të braktisura dhe disa bunkerë që ishin ndërtuar gjatë regjimit diktatorial – relikte të frikës së diktatorit nga sulmet e mundshme të Jugosllavisë.

Pas pushimit në Tamarë erdhi sfida e vërtetë, rrugët zigzage e të pjerrëta të Leqeve të Hotit, mjaft të vështira për t’u kaluar me biçikletë. Pas tre orësh ngjitje arrijmë në një pikë nga e cila shihej Liqeni i Shkodrës. Me kënaqësinë më të madhe lëshohemi drejt ultësirave të saj. Dikur vonë në mbrëmje arrijmë në qytetin e vjetër të Shkodrës, festojmë për udhëtimin që gati po i vinte fundi.

Të nesërmen marrim biçikletat, kalojmë edhe segmentin e fundit 30 kilometrash. Në Velipojë na presin birrat, peshqit e përgatitur mirë dhe kënaqësia e larjes në det. Në pasdite nisemi me autobus nga Velipoja duke lënë mbrapa një eksperiencë fantastike, një udhëtim nëpër histori, nëpër legjenda e nëpër këngë. Një rrugëtim nëpër bukuritë e paharruara të Plavës, Gucisë, Vermoshit, Lepushës, Selcës, Tamarës, Hotit dhe qytetit historik të Shkodrës.