KE: Shtetet e Ballkanit të marrin më shumë refugjatë




Shefi i Komisionit Europian ka prezantuar një plan të ri për kuotat kombëtare të refugjatëve, duke propozuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor të futen në listën e «sigurt» prej nga ku nuk mund të pretendojnë azil.

 

Nga Sven MILEKIC, Marian CHIRIAC

Zagreb, Bukuresht

 

Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Europian, të mërkurën propozoi një plan të ri për pranimin e 160’000 refugjatë në BE dhe njëkohësisht propozoi që shtetet jo anëtare në BE në Ballkanin Perëndimor të futen në listën e vendeve të sigurta.

Propozimi i prezantuar në PE shton 40’000 kuota të reja te plani i hartuar në maj.

Sipas këtyre kuotave të reja, Kroacia do të marrë 1064 persona, Bullgaria 1600 dhe Rumania 4’646. Kuotat më të mëdha iu dhanë Gjermanisë, me 31’443 refugjatë dhe Francës me 24’031.

Pavarësisht planit për kuotat kombëtare, Juncker tha se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të futen në listën e vendeve të sigurta të origjinës, që do të thotë se njerëzit nga këto shtete do të klasifikohen si migrantë ekonomikë.

Kështu, shtetasit nga Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, bashkë me Turqinë, nuk do të mund të kërkojnë azil në BE dhe mund të deportohen nëse lejet i hiqen.

«Nëse një vend e humbet statusin e vendit të sigurt, do t’i mohohet e drejta për të hyrë në BE», shtoi Juncker.

Rumania është shtetit ballkanas që do të marrë më tepër refugjatë gjatë rialokimit të azilkërkuesve, por kryeministri i vendit Viktor Ponta u shpreh se vendi i tij nuk mund të bëjë shumë për refugjatët.

Gjashtë qendra strehimi në Rumani kanë një kapacitet prej vetëm 1200 vendesh.

Megjithatë, Rumania nuk është goditur nga vala e refugjatëve që kalojnë Ballkanin për në Gjermani. Vetëm 913 njerëz kanë aplikuar për azil këtë vit, 12 për qind më shumë se në 2014.

Kroacia thotë se mund të akomodojë qindra refugjatë, në qendrat e ndërtuara dhe në ato që do të ngrihen në fund të këtij viti.

Vetëm 720 persona kanë aplikuar për azil në Kroaci këtë vit dhe vetëm 40 janë miratuar.

(BIRN Albania, Reporter.al)

Foto: Procyk Radek / Shutterstock.com