KDI tërheq vërejtjen: Skenat nga Kuvendi mund të barten jashtë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) reagon ndaj ngjarjeve të sotme në seancën plenare, që po pengojnë zhvillimin e jetës parlamentare në vend dhe vendosin institucionet në rrethana të jashtëzakonshme.




«Mekanizmat institucional për të kundërshtuar çështjet të cilat trajtohen në Kuvend janë të përcaktuara në Kushtetutë, dhe asnjë formë tjetër e kundërshtimit nuk ndihmon në sqarimin dhe as zgjidhjen e problemeve. Përkundrazi, veprimet e tilla të deputetëve në Kuvend mund të transmetohen në të njëjtën frymë edhe te qytetarët, dhe kështu të shkaktohen incidente ndërmjet grupeve shoqërore, pasojat e të cilës janë të parikuperueshme, nga të cilat nuk do të përfitojë as opozita e as pozita», thuhet në një komunikatë të KDI-së.

Të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe institucionet tjera përkatëse duhet të kenë rol konstruktiv në adresimin dhe trajtimin e çështjeve të rëndësishme të cilat janë në agjendën e institucioneve. Acarimi i situatës, dhe veprimet që shkojnë përtej debatit politik nuk janë zgjidhje.

KDI bën thirrje tek të gjithë akterët politikë për vetëpërmbajtje dhe në ushtrim të detyrave të tyre brenda mandatit që kanë, sepse çdo veprim i cili mund të gjenerojë një ambient politik të dhunshëm është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Gjithashtu KDI kërkon nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga që t’i vë në funksion përgjegjësitë e saja kushtetuese dhe të kontribuojë në nxitjen e bashkëpunimit politik mes pozitës dhe opozitës në funksion të arritjes së unitetit për çështje të cilat nuk kanë konsensus politik e shoqëror.