KDI-ja me asistencë ligjore për viktimat dhe denoncuesit e korrupsionit

Instituti Demokratik i Kosovës, degë e «Transparency Internationalit» për Kosovë, të martën, në Prizren, ka prezantuar shërbimin e ri për ofrimin e ndihmës për denoncuesit dhe raportuesit e rasteve të korrupsionit.




Aktivistët e kësaj organizate kanë theksuar se për këtë qëllim është themeluar Qendra për Avokim dhe Këshilla Ligjore, ku viktimat apo denoncuesit e korrupsionit do të marrin asistencë ligjore, shkruan sot «Koha Ditore».

«KDI-ja do të ndihmojë viktimat dhe denoncuesit e korrupsionit përmes këshillave ligjore pa pagesë nga këshilltarët juridikë të angazhuar në këtë qendër, të cilët do të qëndrojnë në ditë të caktuara edhe në zyrat e KDI-së në Prizren, për të ndihmuar në formulimin e rasteve dhe adresimin adekuat të tyre», ka thënë Majlinda Kurti, koordinatore projekti në KDI.

Ajo ka bërë të ditur se rasti i Abdullah Thaçit, ish-punonjësit të «Pro-Credit Bank», që kishte nxjerrë të dhënat bankare të drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj dhe që për këtë vepër ishte dënuar me 5 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore e Prizrenit, nuk është bërë shkas si i vetëm, por se ka edhe shumë raste të tjera që nuk janë bërë publike, e ku denoncuesit kanë nevojë për këshilla ligjore për adresimin e duhur të rastit.