Katër sprovat

Foto: Shutterstock

I. Sprova e zjarrit

a e ke provu me e zhytë dorën në flakë
me e kapë drunin që digjet ngadalë
me ia shkërmoqë prushin me gishta
mandej me e shtrëngu në pëllambë
dhe me ia ndi erën lëkurës që përcëllohet
ulurimën mishit që shkrumbohet
të fikunin gjakut që përthahet në vena
me ia ndi shkrimjen
kocit që përpihet deri në palcë
a e ke provu?

II. Sprova e ujit

a e ke provu me e shpuplu me gishta
borën mbi detin e ngrimë
me e shkërmoqë shtresën e hollë të akullit
mandej me e zhytë dorën thellë në ujin e ftohtë
dhe me ia ndi
mpimjen lëkures që mavijoset
kuisjen mishit që tkurret
të fikunin gjakut që ngurtësohet në vena
me ia ndi kërcitjen
kocit që kriset deri në palcë
a e ke provu?

III. Sprova e ajrit

a e ke provu me e tundë dorën në lamtumirë
me i zgjatë gishtat në ajër ngadalë
me e mbushë pëllambën me erë
mandej me e lanë me të përshku
dhe me ia ndi zhuritjen lëkurës që flladitet
mallin mishit që bjen për thonjsh
të fikunin gjakut që ik teposhtë
me ia ndi dobësinë
kocit që mpaket deri në palcë
a e ke provu?

IV. Sprova e dheut

a e ke provu me e gërmu me gishta
dheun e ngurtë në pranverë
me e gërry me thonj shtresën e parë
mandej me e hapë një gropë thellë e ma thellë
dhe me ia ndi djegien lëkurës që çahet
shkërmoqjen mishit që copëtohet
të fikunin gjakut që derdhet prej venash
me ia ndi braktisjen
kocit që varroset deri në palcë
a e ke provu?
A dhemb?