Katër projekte bashkëpunimi ndërkufitar Kosovë – Shqipëri

Ministri i Mjedisit, Ferid Agani, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi, kanë vizituar sot Komunën e Gjakovës. Atje me kryetaren Mimoza Kusari-Lila kanë biseduar për projektet e zhvillimit në komunat në të dy anët e kufirit Kosovë-Shqipëri.




Ministri Agani sqaroi se bëhet fjalë për projekte të cilat parashohin bashkëpunim në fushën e turizmit, zhvillimit ekonomik, shfrytëzimin e resurseve natyrore, krijimin e një brezi të gjelbër ku do të ndërtohen staza shëtitore, një shteg për çiklistë dhe përmbajtje të tjera turistike, transmeton Koha.net.

Agani bëri të ditur se më 15 nëntor do të shpallet konkursi publik për projektet. Sipas tij, takimi i sotëm me kryetaren e Gjakovës, Kusari-Lila, ka për qëllim të identifikojnë nevojat që duhet përmbushur në këtë komunë.

Kreu i MMPH-së ka treguar se tashmë janë ngritur grupet e punës nga ministritë e dy shteteve.

«Grupet punuese kanë zhvilluar një aktivitet sistematik duke punuar së bashku në këtë periudhë nëntëmujore dhe kanë dalë para nesh me 4 projekte konkrete të bashkëpunimit ndërkufitar të cilat konkretizojnë bashkëpunimin e komunave të Gjakovës dhe Prizrenit në anën e Republikës së Kosovë me bashkitë e Hasit, Kukësit dhe Tropojës në Republikën e Shqipërisë».

Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari- Lila, tha se takimi i sotëm është karakterizuar me një diskutim e analizë të thellë për projektet zhvillimore ndërkufitare.

Nga ana e tij, ambasadori Qemal Minxhozi theksoi se më e rëndësishmja është që të analizohen dhe të gjenden rrugët më të shkurtra për realizimin sa më të shpejtë të projekteve zhvillimore ndërkufitare sepse resurset turistike janë të shumta në këtë zonë por janë të fjetura. «Me rëndësi është që projektet të shfrytëzohen nga banorët e asaj dhe kësaj ane të kufirit».

Më pas, delegacioni nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe Ambasada e Shqipërisë, bashkë me ekipin nga Komuna e Gjakovës, vizituan në terren pjesët kryesore ku do të realizohen këto projekte.