Katedralja ku përplaset feja me politikën




Një grup të rinjsh që ngjiten shkallëve të mermerta para hyrjes së Katedrales Ortodokse në Tiranë ia ndërron goxha shumë çehren priftit ortodoks Nikolla Kodheli.

Klerikut, që tash e tre vjet dy ditë të javës i kalon në objektin kryesor kishtar të ortodoksëve shqiptarë, i qeshet fytyra. Gëzohet edhe më kur merr vesh se ata vijnë nga Librazhdi.

“Të rinj nga Librazhdi. Është gjë e madhe kjo”, thotë Kodheli, që mban të veshur veladonin e zi priftëror. Veshja komplete deri në fund të këmbëve mban të njëjtën ngjyrë sikur flokët e Kodhelit, që i ka të lidhur prapa kokës, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Mirë se erdhët në katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’”, është fjalia që thotë para se të prezantohet. Krejt historia e ndërtimit të Katedrales nis ende pa u futur brenda.

“Ngjallja e Krishtit” për ngjalljen e fesë

Muhabeti i priftit me vizitorët fillon prej emrit që ka objekti fetar dhe simbolikat që e plotësojnë atë. Për emrin, Kodheli thotë se u përshtatet dy ngjarjeve të mëdha.