Katastrofa demografike dhe iluzioni i çunërisë në Ballkan

A janë vërtetë të rinjtë e ardhmja e Ballkanit? Jo shumë e sigurt! Qe një çerek shekulli, rajoni zbrazet nga forcat e veta aktive, të rinjtë e diplomuar janë të parët që ikin nga të gjitha shtetet e rajonit. I fundit që do të largohet i mbetet ta fikë dritën.

Ardhmëria dhe kontejnerët: fëmijë në Mitrovicë duke mbledhur mbeturina. Foto: Shutterstock



Më 8 tetor, Regional Youth Cooperation Office (RYCO) i ka hapur zyrtarisht dyert në Tiranë. Iniciativa niset nga qëllimet më të mira të njerëzimit: ajo synon, mbi modelin e Zyrës Franko-Gjermane të Rinisë (OFAJ), që të zhvillojë takime dhe kontakte midis të rinjve të shteteve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, të cilët vërtetë kanë pak mundësi për t’u njohur. RYCO është rezultati i vetëm konkret i «Procesit të Berlinit», si dhe i Samitit të Parisit që u mbajt në korrik 2016. Ai e mirëmban, pas shumë të tjerash, edhe iluzionin që ka për qëllim të «investohet gjithçka rininë», përderisa të rinjtë e Ballkanit, në mënyrë masive, vazhdojnë të ikin, në përpjekje për ta ndërtuar jetën e tyre jashtë vendit.

25 vjet. Kjo është periudha kohore që i referohen demografët për ta përcaktuar një brez. Dhe ka një çerek shekulli, që nga shpërbërja e Jugosllavisë federative dhe rënia e regjimit komunist në Shqipëri, që festojmë, paralajmërojmë, shpresojmë ardhjen në fuqi të një rinie «të re» në Ballkan, më në fund të çliruar nga paragjykimet e së kaluarës, të orientuar drejt së ardhmes, vendosmërisht «evropiane»…

Kjo është edhe temë mediatike: në vazhdimësi, gazetarët, mbase jo doemos të rinj, e shkruajnë kronikën e përjetshme «Të jesh 20 vjeçar» në Sarajevë, Prishtinë, Mitrovicë, Banjallukë, Beograd etj. Në të vërtetë, kjo mbështetet në një ide para së gjithash optimiste: atë që brezat e rinj do të nxjerrin mësime nga gabimet e paraardhësve të tyre, për të mos rënë në abuzimet e njëjta. Fatkeqësisht, asgjë nuk e konfirmoi këtë hipotezë, ngaqë fakti se të rinjtë të cilitdo qoftë fshat ose qytet në Ballkan marrin pjesë në një kulturë globale çdo herë e më hegjemonike, nuk do të thotë se ata nuk do të bien pa u lodhur në urrejtjet, në frikësimet dhe në obsesionet lokale.

Kalkulimi brezor «optimist» mbështetet në një gabim thelbësor. Janë brezat më të vjetër, të lindur në kohën e Jugosllavisë së bashkuar, që e kanë zakonin «natyror» të bashkëjetesës, që kanë udhëtuar «nga Vardari në Trigllav», që kishin dhe që kanë ruajtur nganjëherë ende miq në bashkësitë «e tjera», që janë rrëqethur pas këngëtarëve dhe skuadrave të njëjta sportive, që kanë qenë dëshmitarë të dërrmuar të shpërbërjes së dhunshme të ish-shtetit të tyre të përbashkët. Në anën tjetër, të rinjtë e lindur para 25 viteve në Slloveni, Kroaci, Maqedoni ose Serbi kanë pasur shumë pak raste të udhëtojnë në republikat e tjera, ku nuk kanë shpeshherë as miq, asnjë njohuri për një bashkësi tjetër, për një traditë tjetër fetare… Këta janë brezat që janë edukuar, nga Zagrebi në Prishtinë, duke mos e harruar Beogradin, në frikë dhe shpeshherë me urrejtje ndaj të «tjerëve».

Qe një çerek shekulli, projekte të pafundme dhe të shtrenjta të «demokratizimit», të krijimit të mirëbesimit (Confidence Building) apo edhe të ballafaqimit me të kaluarën (Dealing with the Past) janë jetësuar, por me rezultate shumë pak bindëse: ç’rëndësi ka, thonë, kjo është gjithnjë një «mbjellje fidani për të ardhmen» dhe sidomos «përkrahje për brezat e rinj»! Po këto breza që u plakën duke ndjekur rrugën e paraardhësve të tyre: votojnë për partitë nacionaliste dhe ikin, vazhdojnë të emigrojnë, në Gjermani, Belgjikë, Kanada, Australi, Zelandë të Re etj.

Eksodi i pafund

Një brez i tërë është arratisur përgjatë shpërbërjes së shtetit të përbashkët, ai që kishte 20 vjet më 1990: të rinjtë – shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, serbët, por edhe kroatët ose boshnjakët – ikën sepse frikësoheshin se do të mund të mobilizoheshin për të luftuar. Në Kosovë, ikja ishte masive, duke prekur të gjitha kategoritë shoqërore, përderisa në Serbi ishin më shumë të diplomuarit që ikën, e që sot përbëjnë kuadrot, shpesh prosperuese, të diasporave të Vancouverit ose të Chicagos. Luftërat, përfshirë ajo e Bosnjë-Hercegovinës, prodhuan pastaj flukset e tyre masive të refugjatëve, shumë prej të cilëve nuk janë kthyer kurrë në vendlindje.

Pas vitit të «jashtëzakonshëm» demokratik të vitit 2000 dhe përfundimit të luftërave, priteshin kthimet masive të «forcave të reja», që patën braktisur vendin. Disa kuadro të reja u kthyen për t’i ofruar shërbimet e tyre për ta ndërtuar Serbinë «e re» pas Millosheviqit. Disa fëmijë të diasporës kosovare të Zvicrës dhe të Gjermanisë tentuan aventurën e kthimit në vendlindje, por shumë pak prej tyre qëndruan aty. Pa ndonjë përjashtim këto shtete nuk arritën t’i integrojnë në mënyrë të mjaftueshme kuadrot e administratës, të ndërmarrjeve ose të politikës. Nuk arritën të nisin projekte të reja ekonomike. Në Kosovë, investimet e diasporës mbeten fiktive dhe vetëm disa kuadro të ministrive përkatëse vazhdojnë ende sot t’i përmendin në mënyrë rituale. Gjendja është e njëjtë në Bosnjë-Hercegovinë.

Megjithatë, eksodi ishte ngadalësuar në fillim të viteve 2000, përderisa gjendja ekonomike dhe sociale e vendeve të rajonit dukej se do të përmirësohej. Fenomeni është ringjallur me shpejtësi qe dhjetë vite, prej se kriza globale e vitit 2008 e goditi me vrull Ballkanin. Tash, të gjithë ikin. Prej gjithkah. Para dy vitesh, në dimrin e viteve 2014-2015, ndodhi eksodi masiv i kosovarëve (rreth 5-10 për qind e popullatës së përgjithshme të vendit iku, për disa javë, për ta provuar fatin në Austri dhe në Gjermani). Boshnjakët e veriut të Malit të Zi ndoqën kosovarët, përderisa shqiptarët, maqedonasit dhe serbët ikin në valë të vazhdueshme. Edhe kroatët kanë marrë rrugën e ekzilit, duke i lënë të gjitha rajonet lindore të vendit në një rrezik të braktisjes së jetës aktive.

Hyrja e Kroacisë në Bashkimin Europian më 1 korrik 2013 nuk e ngadalësoi ikjen, por e përshpejtoi procesin: që nga vera e vitit 2015, banorët kroatë kanë qasje të lirë në tregun gjerman të punës, gjë që ka provokuar një valë largimesh, sidomos në mesin e të rinjve të diplomuar ose të kualifikuar – në Gjermani, ku mungojnë mjekët ose teknikët e rinj. Në Bosnjë-Hercegovinë janë rajonet lindore që po zbrazen, por eksodi selektiv i të rinjve të diplomuar, përfshirë ata në sektorin e shëndetësisë, e vënë vendin para problemeve të frikshme sociale.

Në Ballkan, regjistrimet e popullsive nuk janë assesi veprime të thjeshta administrative. Ato janë gjithnjë momente të ngjeshura konfliktesh politike, aq shumë, saqë regjistrimi i paraparë për vitin 2011 është shtyrë për vitin 2013 në Bosnjë-Hercegovinë, apo nuk është organizuar kurrë në Maqedoni.

Por, pyetja e vërtetë, megjithatë, nuk është sot të dihet sa serbë ose romë jetojnë ende në Kosovë, sa shqiptarë në Maqedoni ose kroatë në Bosnjë-Hercegovinë: të gjitha shtetet të rajonit përballen tani e tutje me katastrofën e njëjtë demografike. Lindshmëria stagnon tashmë disa vite – edhe bota shqiptare po i afrohet fqinjëve të saj në këtë fushë -, vdekshmëria është në rritje të pjesshme (në Jugosllavinë socialiste njerëzit vdisnin më të moshuar dhe me shëndet më të mirë se në shtetet pasardhëse) dhe sidomos emigrimet masive. Në këto kushte, jo vetëm popullata e të gjitha shteteve të rajonit stagnon ose pakësohet – ky është rasti tragjik i Bosnjë-Hercegovinës, si dhe i Maqedonisë, sipas vlerësimeve asnjë regjistrim nuk ka mundur të bëhet nga viti 2002 -, por edhe vazhdon të plaket.

Qytetarë të moshuar dhe liderë të rinj

Vullneti për të investuar gjithçka në rininë nuk është i ri. Vërtetë, shkaktarët kryesorë të shkëputjeve të para territoriale që i dhanë fund Jugosllavisë ishin kalorësit e vjetër jugosllavë të transformuar në politikanë të rinj – slloveni Millan Kuçan (lindur më 1941), kroati Franjo Tugjman (1922-1999), pa e harruar maqedonasin Kiro Gligorov (1917-2012). Përballë tyre, Sllobodan Millosheviqi (1941-2006) pothuajse dukej më i ri, por shumë shpejtë, përmbysja e kuadrove politike dhe shtetërore favorizonte ngritjen e shpejtë të liderëve të rinj: më shpejtë ngjitesh në krye të pushtetit në shtetet e reja (dhe të vogla), se në demokracitë «e vjetra». Shembulli më i mirë në këtë kontekst mbetet ai i Millo Gjukanoviqit, që bëhet kryeministër më 15 shkurt 1991, ditëlindjen e 29 të tij: në këtë fundvit 2016, ai ka hequr dorë për momentin nga kjo detyrë, duke e ruajtur kryesimin e Partisë Demokratike Socialiste (DPS). Për zotëruesin e Malit të Zi, pushteti mbetet një detyrë përtëritjeje e përjetshme.

Shumë shpejtë u mendua se ky buthtim i liderëve të «rinj» do ta ndryshonte gjendjen, duke e shkaktuar një shkëputje shpëtimtare me modelin e «vjetër» socialist dhe jugosllav. Para njëzet vitesh, opozita serbe protestonte çdo ditë në rrugët e Beogradit, për ta mbrojtur fitoren e saj në zgjedhjet lokale të nëntorit 1996. Në krye të protestuesve ishin pa mungesë Vesna Peshiqi (lindur më 1940), Vuk Drashkoviqi (lindur më 1946) dhe Zoran Gjingjiqi (1952-2003): ky i fundit është vrarë para se të ketë kohë të plaket, përderisa dy bashkëpunëtorët e tij perceptohen sot si «dy pleq të urtë» të politikës serbe. Pak më larg, në qarqet studentore rropatej gjaknxehti Çedomir Jovanoviqi (lindur më 1971), i cili e ka humbur tërë sharmin e rinisë së tij dhe tanimë përfaqëson vetëm një figurë të një afaristi që ngërdheshet dhe që e shfrytëzon ende hapësirën e ngushtë të gjendjes politike që i ka mbetur atij.

Aleksandër Vuçiqi ka lindur në të njëjtin vit me Çeda Jovanoviqin. Por ku ky i fundit mëlkonte parulla në amfiteatret e fakultetit në Beograd, kryeministri i tanishëm, asokohe i biri shpirtëror i Vojisllav Sheshelit, ishte ministër i informacionit dhe shpjegonte me tonin e një dituri se si vlente të vriten 100 myslimanë për një serb të vdekur.

Por shikoni, thonë sot, qeverinë e tanishme, atë që Vuçiqi e drejton mirë, si një menaxher me eksperiencë: shumica e ministrave janë të lindur në këtë dhjetëvjeçarin e 1970. Kryeministri është një nga të rrallët që ka kaluar të dyzetat e tmerrshme. Këta të rinj, nuk janë sikurse shefat e tyre, fashistë të pandreqshëm! Nuk kanë milituar kurrë për Partinë Radikale Serbe. Janë profesionistë, teknokratë, të formuar në shkollat më të shtrenjta ose më të mira të huaja. Nuk kanë njohur asgjë nga socializmi ose nga betejat për demokracinë e viteve 1990. Nuk shikojnë drejt së kaluarës, por e kanë shikimin drejt së ardhmes, medoemos të ndritur, atë të integrimit europian të Serbisë.

Ata janë vendosur tanimë jashtë historisë, sepse ata që ecin në histori ruajnë gjithnjë një sy prapa tyre, siç e kujtonte Walter Benjamin, duke u shalakatur doemos në rrugët plot gurë të njëmendësisë: këta teknokratë posthistorik nuk mërziten për këto hezitime, dilema.

«Fletërrugëtimi» i tyre është i përcaktuar. Ata ndjekin rrugën, edhe nëse ajo duhet të shtrihet në pafundësi pa çuar asnjëherë ndokund.

Natyrisht se e vërteta është që qeveria serbe është gjerësisht e përbërë prej çunave falsifikues, të cilët kanë diploma false të lëshuara nga Universiteti i dyshimtë privat i Megatrendit të Beogradit (themeluar më 1989), tezat e doktoratave të të cilit janë plagjiatura si ajo e Ministrit të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviqit (lindur më 1976), por kjo ngritje në pushtet e kuadrove të reja dinamike, pozitive, me shpirtin më në fund të çliruar nga skoriet e së kaluarës, përputhet aq shumë me pritjet e mentorëve europianë të Ballkanit që parapëlqejnë ta harrojnë këtë «hollësi». Pse, athua diplomat e Universitetit Megatrend të Beogradit janë më të këqija se ato të çfarëdo shkolle gjermane apo franceze të biznesit? A nuk është qenësorja të jesh «pozitiv» dhe «doemos i kthyer drejt së ardhmes»?

«Demokracitë e reja» dhe pleqtë perëndimorë

Kjo çunëri po zgjerohet edhe në shtetet e tjera. Në periudhën e parë të pavarësisë kroate, përderisa lufta shpërthente ende në Krajinë dhe në Sllavoni dhe që të gjitha abuzimet e nacionalizmit mbështeteshin nga Zagrebi, mbrojtësit e Kroacisë justifikonin këto shpërdorime me argumentin e «njomësisë» së demokracisë kroate. Një njomësi e perceptuar si sinonim i çmendurive të pashmangshme, të një radikalizmi që do të kalojë me vitet. Mëkatet e rinisë janë gjithnjë të vogla, gjithnjë të falshme, thuhet zakonisht.

Argumenti i njëjtë është përsëritur në Kosovë, prezantuar me dashamirësi, kur e shpalli pavarësinë e saj më 2008, si «shteti më i ri në Europë». Kjo formulë mund të shihej në dy kuptime: Kosova kishte një popullatë të moshës së mesme, një rini masive dhe Kosova ishte shtet i «sapolindur», një New Born State. Dhe dihet, të «sapolindurit» duhen të shoqërohen nga tutorët e tyre të urtë drejt rrugës së tyre të gjatë të maturisë: EULEX, ICO, OSBE, UNMIK dhe të gjitha lodrat e tjera të inxhinierisë ndërkombëtare të shtetndërtimit (State Building) që ishin aty për ta orientuar foshnjën e re kosovare. Dhe nëse ndokujt, në mesin e kosovarëve, do t’i dukej protektorati shumë i rëndë, atëherë ai përshkruhej natyrisht si përkrahës i një revolte adoleshente.

Në antikitet, Herodoti besonte tashmë se Skitët formonin «kombin më të ri në botë», përderisa Bartolomeu i Las Kasas nuk mendonte se konkistadorët kishin zbuluar, përtej Atlantikut, një botë «të re», por një botë të lashtë të mbetur në nivelin e një fëmijërie të përjetshme. «Rinia» e Kosovës do ta përafronte atë me pastërtinë e virgjër të fëmijërisë, por edhe me padjallëzinë e këtyre «fëmijëve të mëdhenj», siç ishin afrikanët në shikimin e tyre, «dashamirë» dhe aq të interesuar për kolonizatorët e tyre.

Me glinën e saj të butë, Kosova do të duhej të bëhej Galateu i Perëndimit-Pigmalion, që sigurisht se me një dozë sinqeriteti është përpjekur ta bëjë shtetin e «ri» një model të demokracisë moderne, të qeverisjes së mirë. Fatkeqësisht, ferri është i pllakosur me qëllime të mira dhe krijesa që ka dalë nga kallëpi duket si një dështak që çalon, një pseudo-shtet që Perëndimi dëshiron megjithatë ta ruajë ende nën protektoratin e tij, si një i mitur i përjetshëm që thuhet se duhet «mbrojtur» nga vetvetja. Sa i përket rinisë së «vërtetë» të Kosovës, ajo e Prishtinës, Mitrovicës, Prizrenit ose Drenicës po ajo largohet nga shteti ku vlerëson se nuk ka asnjë shans për jetë me dinjitet, qoftë edhe duke i thyer hundët në muret dhe në gardhet që kanë ngritur «miqtë» ndërkombëtarë të Kosovës, për t’u mbrojtur nga këta të rinj «bukëshkalë».

Ata ikin, sikurse bashkëmoshatarët e tyre boshnjakë, maqedonas ose serbë, duke parashtruar një pyetje që tanimë nuk ka të bëjë me science-fiction: në çfarë do të përngjajë pas dhjetë vitesh, njëzet vitesh, Ballkani i zbrazur nga të rinjtë e tij aktivë, nga forca e tij aktive?  Një rezervat natyror, ku disa autoktonë do të mirëmbajnë «traditat e paraardhësve» në një grusht fshatrash?

Dhe çka për pjesën e mbetur? Një tampon-zonë e madhe, një limes i gjerë që e mbron shpatin juglindor të një Perëndimi të «kërcënuar» nga fluksi i vazhdueshëm i migrantëve dhe refugjatëve? Në këtë Ballkan të zbrazur të nesërm, pa dyshim se do të vendosën shtëpitë e pleqve ose «rezidencat e pensionistëve të rinj», ku pleqtë nga Perëndimi do të mund të siguronin me kosto të ulët kushte për një (fund) jete më të favorshme se në vendet e tyre. Oferta tanimë ekziston, në Kroaci për gjermanët, në Shqipëri për italianët. Në Mal të Zi, fshatra me kura mjekësore ofrojnë tashmë shërbimet e tyre për klientelën frankofone.

Kjo nuk është science-fiction, por një hipotezë sot e mundshme, edhe pse historia nuk i ndjek kurrë rrugët që mendohet se imponohen dhe kthesat, revolucionet prodhohen gjithherë. Por ajo që mbetet e sigurt është se po të shikohet Ballkani vetëm për nga prizmi i «rinisë» së tij, ky mbetet një gabim i çmeritur perspektive.

Post-scriptum optimist: që të mos përfundohet ky shkrim në një qasje shumë të zezë, duhet rikujtuar se të rinjtë e të gjitha shteteve takohen fatmirësisht në vendet e tyre të prejardhjes sikurse në vendet e reja të tyre të banimit. Ata shkëmbejnë, krijojnë si dhe marrin pjesë në manifestime kulturore, qoftë edhe për të kultivuar nostalgji për ish-shtetin e përbashkët të cilin nuk e kanë njohur – po, nostalgjia mund edhe të jetë gjithashtu ushqim i rinisë. Nëse RYCO mund t’i ndihmojë këto iniciativa, mund të jetë i nevojshëm. Kjo është mjaft e rëndësishme.

PS. Ndalohet ribotimi nga mediat elektronike dhe të shtypura.