Kartoni i kuq për Sulltan Erdoganin

Partia e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan është ndëshkuar ashpër në zgjedhjet parlamentare. Tani Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) duhet të gjejë një partner për të qeverisur – pasi ka sunduar 13 vjet me shumicë absolute. Zgjedhjet e së dielës turqit i shndërruan në referendum kundër arrogancës së Erdoganit.




Kështu duket Turqia e re. Në hënën presidenti i shtetit i anuloi të gjitha takimet, nuk foli fare 24 orë, qëndroi i strukur në pallatin e tij, pasi me javë të tëra kisha bërtitur në të gjitha skenat dhe në të gjitha kanalet – duke bërë fushatë për partinë e tij AKP, ndonëse si president i vendit ai duhej të qëndronte anash. Pastaj ai foli, por befasisht tha pak fjalë: asnjë parti nuk mund të krijojë vetë qeverinë dhe partitë duhet të sillen me përgjegjësi përballë rezultatit zgjedhor. Gazetat shtyheshin me tituj euforikë apo me paralajmërime apokaliptike. Bëhej fjalë për një «erë të re», «për kolaps» dhe për «karton të kuq» për Rexhep Taip Erdoganin.

Së pari duhet thënë një gjë: zgjedhjet parlamentare të së dielës ishin një festë për demokracinë turke. Këtë e tregon mbi të gjitha pjesëmarrja e madhe – 85 për qind e turqve me të drejtë vote morën pjesë në zgjedhje. Nuk u regjistruan as manipulime, siç ishte supozuar para zgjedhjeve. Për vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) zgjedhjet qenë të rregulla dhe të pastra, me përjashtim të ndonjë problemi minor. Por befasia më e madhe është rezultati: për herë të parë pas 13 vitesh Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) humbi shumicën absolute. Rrjedhimisht, edhe kryeministri shumëvjeçar dhe presidenti i tanishëm Erdogan humbi rolin e tij si figurë kryesore dhe e pakontestueshme e politikës turke.

Erdogan kishte ëndrra të tjera: ai në mënyrë të palejueshme ndërhyri në fushatën elektorale, ëndërroi për pushtimin e Jerusalemit – «Pushtim domethënë Mekë. Pushtim domethënë Sulltan Saladini, domethënë që flamuri i islamit të valojë sërish në Jerusalem» –, e mbi të gjitha ai luftoi për shumicë absolute në parlament, në mënyrë që të instalojë një sistem presidencial me kompetenca ekzekutive. Atëherë kabineti i kukullave do t’i nënshtrohej urdhrave të tij.

Të dielën zgjedhësit turq thanë me zë të lartë, qartë dhe disa herë: jo! Jo fantazive të Erdoganit për dominim, jo arrogancës së tij, jo sistemit të tij të korruptuar dhe të mbajtur prej familjarëve dhe njerëzve të besueshëm të tij, jo fushatës së tij agresive dhe cinike kundër atyre që mendojnë ndryshe, kundër mediumeve kritike, kundër drejtësisë. Shumë turq me orientim properëndimor hodhën poshtë edhe botëkuptimin patriarkal të Erdoganit, atyre u kishte ardhur te hunda që një popullist përzihej edhe në jetën e tyre private dhe – për shembull – përpiqej t’i urdhëronte gratë turke që të lindin së paku tre fëmijë.

Me shuplakën që Erdogan mori të dielën qytetarët deshën t’ia tregojnë Erdoganit kufijtë e pushtetit. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, të cilat janë fundosur në luftëra civile dhe konfesionale, Turqia përkundër pësimeve në vitet e shkuara ende ka një shoqëri civile të gjallë dhe aktive. Erdogani ka merita të mëdha për zhvillimin ekonomik të vendit, pas marrjes së pushtetit në vitin 2002 ai e ka çliruar Turqinë nga duhma e viteve të plumbta të gjeneralëve puçistë, në fillim të mandatit të tij qeverisës ai ishte i gatshëm të pranojë edhe kritika dhe nisi procesin paqësor me kurdët. Por më së voni me shtypjen brutale të protestave në lidhje me parkun Gezi në Stamboll 2013 imazhi i Erdoganit ishte i shkatërruar. Përveç kësaj për herë të parë prej vitesh po stagnon ekonomia, shumë turq e financojnë konsumin me kredi. Por presidenti më me dëshirë fliste për restaurimin e Perandorisë Osmane dhe Sulltan Mehmetin e II-të, pushtuesin e Stambollit, se sa mbi problemet e përditshme sociale të Mehmetit të vogël. Erdogan nuk deshi të ishte vetëm babai i të gjithë turqve, por edhe një lloj padishahu postosman me ndikim të madh nga Bosnja, viset shqiptare në Ballkan deri në Palestinë dhe Egjipt.

Me zgjedhjet e së dielës turqit e kanë kthyer AKP-në në realitet. Për të qeverisur kësaj partie të përkëdhelur nga sukseset tani i duhet një partner koalicioni. Kjo është një përvojë krejtësisht e re për funksionarët si kryeministri Ahmet Davutoglu, i cili ishte afër të qante kur filluan të bëhen publike rezultatet e para të zgjedhjeve. Gazeta «Hürriyet» përmend tri mundësi për të ardhmen politike të vendit: një qeveri koalicioni, një kabinet pakicë apo zgjedhje të reja. Mediumet e afërta me qeverinë e deritanishme alarmojnë për rrëshqitjen e Turqisë në kaos. Si partner i mundshëm koalicioni i AKP-së përmendet partia ultra-djathtiste Lëvizja Nacionaliste (MHP), e cila fitoi 16,3 për qind të votave. Por MHP hedh poshtë afrimin me kurdët. Ajo e konsideron veten si përfaqësuese të atyre familjeve turke që kanë humbur pjesëtarë në luftën kundër Partisë së Punës të kurdëve (PKK). Edhe për këtë arsye kryetari i MHP-së Devlet Bahceli kërkon rikthimin e dënimit me vdekje: në rast të tillë shteti do të mund të ekzekutonte liderin e arrestuar kurd Abullah Öcalan. Në fund të viteve 90-të po kjo parti kishte ndihmuar në heqjen e dënimit me vdekje. Pas zgjedhjeve Bahceli refuzoi një aleancë me APK-në e Erdoganit. Edhe Partia Popullore Republikane (CHP), dikur e themeluar nga Mustafa Kemal Ataturku, nuk u deklarua për bashkëveprim me islamistët e Erdoganit. CHP mori 25 për qind të votave.

Si alternativë mbetet një koalicion me Partinë Demokratike të Popujve, shkurt HDP, e cila përfaqëson në radhë të parë kurdët. Hyrja në parlament partisë së Selahatin Demirtashit paraqet një sensacion. Avokati i të drejtave të njeriut tashmë po lavdërohet si «Obama i kurdëve». HDP fitoi 13,1 për qind të votave dhe kështu kaloi pragun prej 10 për qind – një prag i vendosur në vitet 80-të për të penguar hyrjen e partive të kurdëve në parlament. Gjatë fushatës Demirtash nuk e ka përjashtuar plotësisht bashkëpunimin me AKP-në, por ai ka premtuar se HDP e tij nuk do të lejojë një sistem presidencial sipas kërkesave të Erdoganit. Për shefin e HDP-së, i cili para dy dekadave pa sukses ishte përpjekur t’i bashkohet luftës së armatosur kundër Turqisë, epilogu zgjedhor është edhe triumf personal. «Ne, si popull i shtypur i Turqisë, i cili dëshiron drejtësi, paqe dhe liri, kemi arritur një fitore të jashtëzakonshme», tha ai në Stamboll. «Tani HDP është një parti e vërtetë turke».

Për Demirtashin llogaria doli mirë: ai nuk kërkoi vetëm votat e kurdëve, por edhe të liberalëve turq, të cilëve u ka ardhur të hunda stili i udhëheqjes i Erdoganit. Paranoja e funksionarëve të AKP-së është absurde dhe shkon deri aty, saqë ata për humbjen e së dielës e fajësojnë «lobin hebraik» dhe «kryqëzatësit». Disa deputetë të AKP-së nuk duan të pajtohen me situatën e re. Sundimi pa partner koalicioni në 13 vitet e fundit me gjasë ka ndikuar që AKP ta shoh ndarjen e pushtetit, kompromiset dhe rregullat e lojës të demokracisë si mbarim të botës.

Por nuk mund të përjashtohet mundësia që kritikët brendapartiakë të Erdoganit të marrin guxim. Zëvendëskryeministri Bülent Arinc gjatë fushatës i kishte kritikuar sulemt frontale të Erdoganit kundër kundërshtarëve politikë dhe kishte thënë se është e mundshme që së shpejti të vijë dita kur do të bërtitet: «Perandori është lakuriq!» Edhe ish-presidenti Abdullah Gül mund të marrë fjalën. 61-vjeçari Erdogan tani ka shansin të pranojë dështimin dhe të tregohet i kënaqur me rolin e tij ceremonial si kryetar shteti. Por karakteri i tij shpërthyes edhe më tutje mund ta polarizojë dhe përçajë shoqërinë turke. Megjithatë, me zgjedhjet e së dielës ka nisur fundi i erës së tij.