Karriera e Azem Sylës: mashtroi Zvicrën, manipuloi me prona në Kosovë, u bë milioner

Gazeta zvicerane «SonntagsZeitung» shkruan se Azem Syla, kuadri i lartë i PDK-së, mund të jetë bërë milioner duke mashtruar.

Në opinionin zviceran Azem Syla nuk është i panjohur. Ai jetoi në këtë shtet që nga mesi i viteve ’90, ndërsa mes viteve 2002 dhe 2011 Syla mori gjysmë milioni ndihma sociale në Biberist të Kantonit të Solothurnit.

Katalogu i akuzave që Azem Sylës ia bën drejtësia kosovare është i gjatë: ryshfet, spastrim parash, mashtrim, keqpërdorim posti, evazion fiskal. Mbi 30 milionë euro dyshohet t’i ketë fituar një bandë prej 38 kriminelësh në Kosovë. Prijës i tyre dyshohet të jetë Azem Syla, shkruan në numrin e së dielës gazetës zvicerane «SonntgsZeitung».

Në opinionin zviceran Azem Syla nuk është i panjohur. Ai jetoi në këtë shtet që nga mesi i viteve ’90, ndërsa mes viteve 2002 dhe 2011 Syla mori gjysmë milioni ndihma sociale në Biberist të Kantonit të Solothurnit. Siç rikujton gazeta autoritetet zvicerane filluan të dyshojnë se Syla po merrte para në mënyrë të paligjshme nga enti social kur vërejtën se ai qëndronte kryesisht në Kosovë, ndonëse vendbanimin zyrtar e kishte ende në Zvicër. Komuna e Biberistit e akuzoi atë për mashtrim, Syla u kundërpërgjigj duke e çuar lëndën në gjyq. Aty Syla doli humbës. Në një vendim gjykata thotë se me vite të tëra Syla kishte shfrytëzuar dhe madje keqpërdorur sistemin social zviceran.

Kantoni i Solothurnit e paditi Sylën për mashtrim, në të njëjtën kohë autoritetet e emigracionit ia anuluan lejeqëndrimin në Zvicër tashmë ish-deputetit të PDK-së. Edhe kundër kësaj mase Syla u ankua në Gjykatën Federale, por pa sukses. Në vitin 2012 ai dhe gruaja e tij braktisën Zvicrën. «Në vitin 2014 ndodhi befasia. Prokuroria e Solothurnit e shfajësoi Sylën. Akuzat se kishte mashtruar sigurimin invalidor nuk ishin përforcuar. Prokuroria ndërpreu procedurën», shkruan «SonntagsZeitung». Ekspertë juridikë supozojnë se hetimet u ndërprenë për arsye pragmatike: një proces gjyqësor kundër Sylës do t’i kushtonte Zvicrës disa mijëra franga, në mos qindra-mijëra, përfshirë edhe lejimin e Sylës të kthehet në Zvicër për të marrë pjesë në procesin gjyqësor.

«Syla erdhi më 1994 me gruan dhe tre fëmijë në Zvicër, ku iu dha azili. Gjatë luftës së Kosovës në fund të viteve ’90 ai ishte shef i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së. Pasta një kohë të shkurtër ishte ministër i Mbrojtjes i Kosovës. Deri në arrestimin e tij në prill Syla ishte anëtar i parlamentit kosovar nga radhët e Partisë Demokratike. Ajo e qeveris vendin në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga viti 2014. Ai dha dorëheqje nga posti i deputetit kur përfundoi në burg. Syla përflitet edhe me shkeljen e të drejtave të njeriut. Në vitin 2010 zvicerane Dick Marty shkroi në një raport se Syla kishte dhënë urdhër për vrasje dhe torturë. Ai përshkruhej të ketë qenë <figurë kyçe> në shumë krime të luftës», shkruan gazeta zvicerane «SonntagsZeitung». (-lli)