Karin Kneissl do të jetë ministre e Jashtme e Austrisë, por për agjendën europiane ajo nuk guxon të flasë

Në krye të ministrisë së Jashtme të Austrisë vjen një grua. Karin Kneissl, juriste, arabiste, gazetare dhe eksperte e çështjeve kufitare, do të jetë më shumë përgjegjëse për çështje përtejeuropiane. Për Ballkanin dhe integrimin e tij në BE përgjegjës do të jetë kancelari Sebastian Kurz. Më 1999 Kneissl ka shkruar edhe për Kosovën.

Në të shumtën e rasteve janë burrat që ndezi luftëra dhe qëndrojnë në krye të frontit: Karin Kneissl, ministre e re e Jashtme e Austrisë. Foto: Gilbert Novy (KURIER)



Karin Kneissel nuk është anëtare e asnjë partie politike në Austri, por ajo është e afërt me FPÖ-në, një trupë populliste, e cila do të qeverisë Austrinë bashkë me Partinë Popullore (ÖVP) të kancelarit Sebastian Kurz. Në kabinetin e ri Kneissel do të jetë ministre e Jashtme – gruaja e tretë në këtë post në historinë e Republikës së Dytë, siç quhet Austria e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore. Para saj shefe të diplomacisë kanë qenë Benita Ferrero-Waldner dhe Ursula Plassnik. Kneissel ka një karrierë të pasur. Ka qenë diplomate, publiciste dhe njihet si eksperte e Lindjes së Afërt.

Për shkak se FPÖ, e cila në vitet ’50 ishte themeluar nga një ish-gjeneral nazist, është skeptike ndaj Bashkimit Europian, ministrja e re e Jashtme e Austrisë nuk do të ketë kompetenca sa i përket çështjeve europiane. Pas vendimit të britanikëve për të dalë nga BE, edhe politikanët e FPÖ-së patën paralajmëruar një Öxit apo Auxit, domethënë dalje të Austrisë nga BE. Një ide e tillë nuk ka hasur në mirëkuptim nga shumica e austriakëve, andaj FPÖ është larguar nga ky synim aventurier. Si shefe e diplomacisë Karin Kneissl do të jetë më shumë përgjegjëse për çështje përtejeuropiane. Për Ballkanin dhe integrimin e tij në BE përgjegjës do të jetë kancelari Sebastian Kurz. Që nga viti 1987, kur ministër i Jashtëm qe bërë Alois Mock, ky resor ka qenë në duar të Partisë Popullore (ÖVP). Së fundi postin e ministrit të Jashtëm e mbante Sebastian Kurz. Ai ishte ministri më i ri i Jashtëm në Europë dhe tani, me 31 vjet, do të jetë shefi më i ri i një qeverie në Europë.

Karin Kneissl flet gjashtë gjuhë të huaja – mes tyre arabisht, hebraisht dhe hungarisht. Ajo është juriste dhe arabiste dhe ka punuar në ministrinë e Jashtme mes viteve 1990-1998. Kneissl ka vepruar pastaj si publiciste e lirë në profesion, duke shkruar kryesisht për gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» dhe atë vjeneze «Die Presse». Shpesh Kneissl ka shkruar për temat e energjisë. Kneissl ligjëron në Vjenë dhe në Bejrut. (Më shumë si kuriozitet për opinionin kosovar është fakti se Kneissl është eksperte e demarkacionit të kufijve. Në disertacionin e saj mbi të drejtën ndërkombëtare ajo ka hulumtuar mbi nocionin e kufirit te palët në konflikt në Lindjen e Afërt). Kneissl ka ligjëruar edhe në Universitetin Hebraik në Jerusalem dhe në Universitetin e Amanit (Jordani). Me një bursë Fulbright ajo më 1989 qëndroi në Center for Contemporary Arab Studies në Universitetin Georgetown në Washington, pastaj Kneissl absolvoi shkollën e famshme administrative ENA në Paris.

Gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015 Kneissl ishte kritike e ashpër e politikës tolerante të Bashkimit Europian dhe sidomos e kancelares gjermane Angela Merkel. Ajo tha se pjesa më e madhe e azilkërkuesve nga bota arabe janë refugjatë ekonomikë. Sipas saj një ndër arsyet e revoltës në botën arabe është se «shumë nga këta burra të rinj» nuk arrijnë «të kenë një grua», sepse s’kanë as punë, as banesë dhe kështu nuk mund të kenë «statusin e burrit në një shoqëri tradicionale».

Sa i përket Ballkanit Kneissl ka shkruar mbi paralizën e fuqive të mëdha në Bosnjë dhe më 1999 ka botuar në gazetën «Die Welt» një intervistë me Jody Williams, nobelisten e vitit 1997 për fushatën kundër minave. Williams parashihte që Kosova do të jetë e pastruar nga minat brenda tri viteve. Kneissl ka shprehur dukshëm simpati për pavarësinë e Katalonisë. «Republika e Katalonisë? Jo vetëm në Ballkan lindin shtete», shkroi ajo në një editorial të botuar në gazetën «Die Presse» para disa vitesh. Me atë rast ajo bëri një paralele mes Katalonisë dhe Sllovenisë. Kneissl ka raportuar me vite të tëra nga Sllovenia si korrespondente e «Die Presse». «Si do të ishte nëse Katalonia do ta shpallte veten të pavarur me referendum dhe ditën tjetër do të kërkonte hyrjen në BE? A do të refuzohej një vend i tillë demokratik, i cili ekonomikisht është më shumë se i aftë për të mbijetuar? BE negocion madje edhe me Kosovën!», shkroi Kneissl.

Kneissl është autore e disa librave, mes tyre edhe «Pushteti si testosteron». Testosteroni është një hormon seksual. Kneissl është e mendimit se në të shumtën e rasteve janë burrat që ndezi luftëra dhe qëndrojnë në krye të frontit. «Kjo ka të bëjë dhe me arsye biologjike. Edhe gjatë kryqëzatave qëllimi ishte që të kanalizohet energjia e tepërt mashkullore». Sipas Kneissl «burri fokuson energjinë e tij në mënyrë shumë më të koncentruar se gruaja, e cila një çështje e shikon në tërësinë e saj, domethënë e hulumton nga disa anë. Burrat vendosin në mënyrë shumë më spontane se gratë, të cilat shumë gjërave i qasen duke menduar mirë». Kneissl ka mendime për shumë tema – për Kinën, Lindjen e Afërt, burimet e naftës dhe gazit, të ardhmen e Sirisë, gjendjen e tanishme të Irakut dhe për testosteronin. Si shefe e diplomacisë ajo me siguri do të merret edhe me Ballkanin, madje edhe nëse kjo bie ndesh me ambiciet e kancelarit Kurz.