«Karamelet» për të cilat bën kompromise Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi po paralajmëron kompromise të mëdha në dëm të territorit të vendit. Cili do të jetë përfitimi personal për Thaçin kësaj radhe? Ndoshta diçka më substanciale se sa një skenar hollywoodian, një bisedë telefonike me presidentin e SHBA, apo edhe më shumë se sa mbijetesa e tij në skenën politike. Ndoshta liria personale e Thaçit është kompromisi për tkurrjen e territorit të Kosovës.

Agron Demi.



E kisha marrë me shumë rezerva rrëfimin e Veton Surroit në librin e tij «Këmbët e Gjarprit» ku shkruan se Hashim Thaçi pranoi kompromisin në Konferencën e Rambujesë më 1999, ngase iu premtua një skenar filmi në Hollywood. Më dukej disi e pabesueshme. Por, vite më vonë, këtë e konfirmon edhe vetë Hashim Thaçi. Madje me shumë mburrje.

Në biografinë e shkruar për të nga dy gazetarët britanikë, Roger Boyes dhe Suzy Jagger, «Shteti i ri, burrështetas modern: Hashim Thaçi – biografi» («New State, Modern Stateman: Hashim Thaçi – a biography»; Biteback Publishing, Londër, 2018), Thaçi i rrëfen autorëve se si James Rubin, zyrtar në Departamentin Amerikan të Shtetit, i kishte thënë se nga e gjithë kjo mund të dilte një material interesant për një skenar filmi hollywoodian.

Se Thaçi bën kompromise për interesat madhore të vendit për të përfituar personalisht, e konfirmon edhe një rrëfim tjetër i gjeneralit të parë të KFOR-it, Mike Jackson. Në librin e tij autobiografik «Ushtari» («Soldier – an authobiography», Londër, 2008), Jackson rrëfen për momentin e nënshkrimit të marrëveshjes për çarmatosjen e UÇK-së dhe shndërrimin e saj në TMK në shtator 1999. Ishte sërish James Rubin ai i cili kishte ardhur nga Washingtoni për të bindur Thaçin të nënshkruante marrëveshjen. Pas nënshkrimit të marrëveshjes Rubin tha: «‘Ah, po, tash radha e shpërblimit’ – dhe nxori një telefon satelitor dhe pas shkëmbimit të disa fjalëve, telefonin ia kaloi Thaçit», shkruan Jackson. Shpërblimi ishte një bisedë telefonike me presidentin e SHBA, Bill Clinton.

Nominimi për një çmim Nobel për rolin e tij në negociatat e Brukselit ishte «karamelja» e radhës të cilën e synonte Thaçi. Tërë rrjedha e negociatave të Brukselit, të filluara që nga viti 2011, ka qenë në funksion të mbetjes në pushtet të Hashim Thaçit. Mbijetesa politike e Thaçit varet nga mbajtja konstante e vendit në konflikt. Kësisoj, Thaçi mund të imponohet si politikan i cili mund të shuaj zjarret të cilat vetë i ndezë.

Skenari i filmit nuk u realizua kurrë. Por, në vend të saj, vite më vonë u publikua një raport i tmerrshëm, i cili i ngjanë skenarëve të horrorit hollywoodian. Këshilli i Europës publikoi raportin e senatorit zviceran Dick Marty me pretendimet e krimeve të kryera nga UÇK. Ky raport i hapi rrugën themelimit të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila do të hetojë pretendimet e Martyt. Shumëkush beson se pjesë e gjykimeve në Hagë do të jetë edhe presidenti Thaçi. Në dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ndërmori një nismë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Thaçi u konsiderua si arkitekt i kësaj nisme.

Tani presidenti Hashim Thaçi insiston me çdo kusht që t’u prijë negociatave me Serbinë në fazën finale dhe tashmë ka filluar të heq vijat e kuqe dhe të paralajmërojë kompromise të mëdha në dëm të territorit të vendit. Por, cili do të jetë përfitimi personal për Thaçin kësaj radhe? Ndoshta diçka më substanciale se sa një skenar hollywoodian, një bisedë telefonike me presidentin e SHBA, apo edhe më shumë se sa mbijetesa e tij në skenën politike. Ndoshta liria personale e Thaçit është kompromisi për tkurrjen e territorit të Kosovës, ose gjymtimi i shtetësisë përmes themelimit të asociacionit me të drejta ekzekutive dhe autonomi territoriale.