Kapitulli 35 për Beogradin është imponim i Prishtinës për statusin e Kosovës

Drejtori i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq ka thënë se pala serbe ka marrë informata serioze, të besueshme të vlefshme se në pozicionin negociues për Kapitullin 35, ekzistojnë shumë dispozita të cilat kanë për qëllim që paraprakisht të përcaktojnë rrjedhën e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës.




Gjuriq, njofton gazeta e Beogradit «Blic» ka theksuar se qëllimi i këtyre dispozitave është që të imponohet qëndrimi i Prishtinës për statusin e Kosovës, transmeton Koha.net.

Ai ka konstatuar se ka informacione se ekziston përpjekja që në platformën negociuese për hapjen e Kapitullit 35, e cila aktualisht po përgatitet në Bruksel, të futen dispozita me të cilat që më parë përcaktohet rrjedha e dialogut të Brukselit dhe të imponohet qëndrimi i Prishtinës për statusin Kosovës.

«Ne konsiderojmë se BE duhet të qëndrojë objektive dhe neutrale lidhur me statusin», ka thënë ai.