Kapiten Dragani dënohet për krime lufte

Ish-komandanti paraushtarak serb Dragan Vasilkoviq, i njohur si «Kapiten Dragani», u dënua me 15 vjet burg për krime lufte në Kroaci.

Dragan Vasilkoviq, i njohur ndryshe si «Kapiten Dragani», në sallën e gjyqit, në Split. Foto: BETA/AP



Gjykata e qarkut në qytetin kroat të Splitit sot dënoi Dragan Vasilkoviqin për krime lufte kundër ushtarëve, policëve dhe civilëve të burgosur kroatë, gjatë kohës që ai ishte lideri i luftëtarëve rebelë serbë.

Vasilkoviq, 62 vjeç, i cili ka shtetësi australiane dhe serbe, u shpall fajtor për krime në kalanë e Kninit në qershor dhe korrik 1991, ku policë dhe ushtarë të burgosur kroatë u abuzuan, si edhe gjatë një sulmi në një rajon policor në qytetin e Glinës dhe fshatrat përreth në korrik të vitit 1991, gjë që rezultoi në vrasjen e një civili dhe të një gazetari.

Gjyqtari Damir Romac shpjegoi se gjykata konstatoi se rojet në kalanë e Kninit «ishin vartës të Vasilkoviqit» dhe prandaj ai mund t’i kishte parandaluar ata që të mos rrihnin dhe abuzonin mendërsisht policët dhe ushtarët e burgosur kroatë.

«Edhe pse ai e pa që vartësit e tij po vepronin kundër ligjit, duke rrahur dhe goditur të burgosurit me pushkët e tyre, ai nuk arriti ta parandalonte këtë apo të reagonte më tej ndaj këtyre çështjeve», tha Romaç.

Gjyqtari theksoi gjithashtu se si në një incident, Vasilkoviq madje e goditi me shkelm një të burgosur, dukë thënë «Më lejoni t’ju tregoj se si bëhet kjo punë».

Romaç tha gjithashtu se gjykata përcaktoi se Vasilkoviq «personalisht dha urdhra» për të sulmuar rajonin e policisë në Glina dhe fshatrat përreth tij ndërsa disa civilë kroatë fshiheshin ende në shtëpitë e tyre.

«Ai urdhëroi të hapej zjarr nga të gjitha armët e mundshme, duke urdhëruar të sulmoheshin ndërtesat me rëndësi kulturore dhe objektiva civile, gjë që përfundoi në një krim kundër civilëve në të cilin u vranë dy prej tyre», shtoi Romaç.

Megjithatë, Vasilkoviq u lirua nga akuzat për krime në fshatin Bruska, pranë qytetit të Benkovacit, në shkurt 1993, kur u vranë dy ushtarë kroatë.

Avokati i tij Tomislav Filakoviq tha se ata do të apelojnë kundër vendimit, duke shtuar se Vasilkoviq «ishte i habitur me përfundimin e gjyqit».

Ai u deportua në Kroaci nga Australia në korrik 2015, ku kishte vite që jetonte me emrin Daniel Snedden dhe punonte si instruktor golfi.

Ai ishte shpërngulur në Australi në moshën 14 vjeçare, por u kthye në Jugosllavi para fillimit të konflikteve të viteve 1990 dhe më pas u dërgua nga autoritetet në Beograd të ishte komandant i një qendre trajnimi për një njësi paraushtarake speciale serbe në Kroaci në vitin 1991.

Ai mohoi kryerjen e krimeve të luftës dhe deklaroi se nuk ishte fajtor në gjyq.

Gjatë deklaratës së tij mbyllëse në gjykatë, ai e dënoi gjyqin si të motivuar politikisht dhe “një proces fashist shtypës”.

Vasilkoviq u dënua me 15 vjet burg, por gjykata do të marrë parasysh kohën që ai kaloi në një burg australian dhe në një burg hetimor kroat – pothuajse 11 vjet.

Sipas ligjit kroat, të gjithë të dënuarit mund të kërkojnë të lirohen pasi kryejnë dy të tretat e dënimit të tyre, që do të thotë se ai mund të lirohet së shpejti.

Veterani i luftës Ivan Turudiq nga Shoqata Kroate e të Burgosurve në Kampet Serbe të Përqendrimit e dënoi vendimin si shumë të butë.

«Është zhgënjyese të dëgjosh se kapiten Dragani, Vasilkoviqi, nuk u dënua me më shumë vite sesa numri i miqve që unë kam varrosur, fatet e të cilëve i vendosi ai», tha Turudiq.

Ai tha se shpresonte që Gjykata e Lartë do të vendoste dënimin maksimal për Vasilkoviqin, i cili në Kroaci është 20 vjet për krime lufte, sepse ai «e kishte parë sasinë e provave kundër tij» ndërsa ndiqte çështjen në gjykatën e Splitit.