Kapitalizmi pas kapitalizmit

Vështrim i librit të Paul Masonit «Postcapitalism: A guide to our future / Postkapitalizmi: Udhërrëfyes për të ardhmen tonë».




Është fjala për një libër tepër ambicioz. Në më pak se 300 faqe, Paul Masoni interpreton jo vetëm 300 vitet e kaluara të kapitalizmit dhe tentimeve që ai të zëvendësohet me diçka tjetër (me socializmin), por edhe tregon se si ai do të transformohet në të ardhmen dhe propozon një grup politikash, të cilat do ta ndihmojnë këtë transformim. Por ky nuk është një libër i shkruar sipërfaqësisht, siç do të mund të mendonte dikush duke e krahasuar gjerësinë e temave të përfshira dhe numrin jo të madh të faqeve. Lexuesit nuk duhet t’i mashtrojë as stili popullor i Masonit. Mënyra në të cilën shkruan ndoshta është gazetareske, por çështjet të cilat i hapë, cilësia e debatit dhe caqet e vëna janë të klasit të parë.

Libri i Masonit mund të lexohet në shumë mënyra. Mund të fokusohemi në tre kapitujt e fundit të natyrës programatike, në të cilët ai i paraqet caqet e zgjedhura pozitivisht për të majtën e re, apo mund të diskutojmë mbi besimin e autorit në zhvillimin ciklik të kapitalizmit, të cilin e nxisin ciklet afatgjata të Kondratievit (sipas llogarisë së Masonit në këtë çast gjendemi në fazën e ngritjes të ciklit të pestë), apo mund të ndalojmë në paraqitjen e tij të shkurtër, por mjaft mbresëlënëse të historisë së lëvizjes punëtore (kapitulli VII), në njërin prej vendeve të rralla ku pajtohet me Leninin në mendimin se punëtorët në rastin më të mirë mund të arrijnë «vetëdije sindikaliste» dhe se nuk janë të interesuar për ta rrënuar kapitalizmin. Apo do të mund ta shtronim pyetjen se sa vërtet është i dobishëm gjallërimi nga Masoni i teorisë së vlerës së punë së Marxit.

Nuk do të bëj asnjërën nga këto, sepse ky është një vështrim relativisht i shkurtër. Do të kufizohem në pikëpamjet e Masonit për gjendjen aktuale të kapitalizmit dhe forcat objektive të cilat, siç thotë ai, pashmangshëm çojnë në postkapitalizëm. Esenca e argumentit të tij është në konstatimin se, duke iu falënderuar mekanizmave të ekonomisë së vëllimit, revolucioni teknologjik informatik i zvogëlon shpenzimet kufitare të prodhimit praktikisht në zero, meqë sasia e kapitalit dhe punës e lëndëzuar në prodhime të tilla synon zeron. Paramendojeni një skicë elektronike të objektit të cilin duhet ndërtuar me ndihmën e shtypësit 3D apo softuerin, i cili e drejton punën e makinës: pas investimit nistor në një prodhim të tillë, aty më praktikisht nuk ka nevojë për punën njerëzore e, meqë kapitali (softueri) ka thuaja se jetëgjatësi ta pafundme, pjesëmarrja e kapitalit e «lëndëzuar» në secilën njësi të prodhimit është minimale (ideale është makina e cila qëndron përherë apo mund të zëvendësohet pa shpenzime, fq. 166).

Kur shpenzimet e prodhimit bien në zero, sistemi i çmimeve më nuk funksionon, prandaj shkaku i kësaj më nuk mund të ekzistojë as kapitalizmi standard: nëse shpenzimet e prodhimit bien në zero, nuk ka klasë kapitaliste, nuk ka mbivlerë, nuk ka prodhim kufitar pozitiv të kapitalit, prandaj as punë me mëditje. I afrohemi botës së bollëkut, në të cilën rregullat e rëndomta të kapitalizmit më nuk vlejnë. Kjo është diçka e ngjashme me botën në të cilën temperatura ka rënë në zeron absolute në të cilën koha e energjia janë bërë njësh. E fjalë tjera, një botë në esencë të ndryshme nga bota në të cilën jetojmë sot, e të cilës, thotë Masoni, pashmangshëm po i afrohemi.

Çka mund të ndërmarrin kapitalistët që të mos fshihen nga ekzistenca? Ekzistojnë tri zgjidhje, të cilat njohësve të literaturës marksiste nga decenia e dytë e shekullit XX, kur janë zhvilluar diskutime të ngjashme, do t’u duken të njohura. Zgjidhja e parë është vendosja e monopoleve, mu ajo që Apple, Amazon, Google e Microsoft sot po përpiqen të bëjnë. Ekonomia mund të monopolizohet e të kartelizohet, ashtu siç ka ndodhur në deceniet e fundit të shekullit XIX dhe të parat e atij XX.

Zgjidhja e dytë është zgjerimi i mbrojtjes së pronës intelektuale. Dhe, sërish, kompanitë e përmendura më lart, si dhe autorët e këngëve të popullarizuara dhe Disney, po e bëjnë mu këtë, dhe atë gjithnjë e më me agresivitet, duke shfrytëzuar fuqinë e aparatit shtetëror. (Lexuesit sigurisht e dinë se mbrojtja e të drejtave të pronësisë i ngrit shpenzimet për njësi të prodhimit dhe kështu  pengon që shpenzimet kufitare të prodhimit të bien në zero.)

Zgjidhja e tretë është zgjerimi i vazhdueshëm i «fushës së veprimit» të kapitalizmit: nëse profitet në një fushë lëvizin drejt zeros, koha është të kalohet në një fushë tjetër, në «garën e përjetshme drejt buzës së kaosit» ndërmjet ofertës në rritje dhe çmimeve në rënie, apo… mund të gjejmë gjëra të reja, të cilat do t’i komercializojmë dhe t’i komodifikojmë.

Lexuesit e Rosa Luxembugut në këtë do të njohin një ide shumë të ngjashme – se mbijetesa e kapitalizmit varet nga interaksioni i vazhdueshëm me mënyrat jo kapitaliste të prodhimit; pasi që këto dikur të kenë shteruar, kapitalizimi do të përfundojë në botën me profit zero. Po kjo ide ka rrënjë edhe më të thella te Ricardo, i cili mendonte se, në qoftë se nuk do të hiqen masat proteksioniste për mbrojtjen e prodhuesve vendorë të ushqimit («Corn Laws»), të tërë profitin kapitalist do ta hanë rentat e pronarëve të tokave, gjë që do ta ngufasë zhvillimin; apo te Marxi, në “ligjin mbi tendencën e rënies së shkallëve të fitimit”, e cila është rezultat i prodhimit gjithnjë e më intensiv  kapital.

Gjetjet e Masonit në këtë aspekt nuk janë të reja, por e re është vendosja e tyre në fazën e tashme të zhvillimit të kapitalizmit dhe mjedisi i revolucionit informativ. Që të tri metodat, me të cilat kapitalistët përpiqen ta zgjidhin problemin e rënies së pashmangshme të shkallëve të fitimit janë treguar si të pamjaftueshme. Pranimi i monopolit si mënyrë e ruajtjes së kapitalizmit në jetë nënkupton ndalimin e zhvillimit teknologjik. Kapitalizmi do të bëhej sistem «regresiv». Të paktë janë ata që do të kundërshtonin qëndrimin e Masonit se duhet penguar monopolet të cilat sot i ndërtojnë Amazoni e Microsofti. E njëjta gjë vlen edhe për mbrojtjen e të drejtave pronësore të pronës intelektuale, të cilën, përndryshe, edhe ashtu gjithnjë e më vështirë  mbrohet.

Krahas tendencës së rënies së profitit dhe pamundësisë që të drejtat pronësore të mbrohen, zgjidhja e vetme e mbetur është komercializimi i jetës së përditshme (një «fushëveprimi» e re). Kështu Masoni shpjegon tentimet e kapitalistëve që të hyjnë në fushën e transaksioneve, të cilat dikur kanë qenë jo të tregut: të krijojnë mallra të reja nga shtëpitë tona, të cilat i japim me  qira për një ditë, nga shkollat tona, nga koha jonë e lirë. Praktikisht, çdo interaksion njerëzor do të jetë i detyruar të modifikohet: nënat do të paguhen një peni për të shtyrë fëmijën e huaj në luhajë në park.  Por kjo, thotë Mason, nuk mund të zgjasë shumë, sepse ekziston kufiri natyror i asaj që njerëzit janë të gatshëm ta pranojnë në procesin e komodifikimit të aktiviteteve të përditshme: «njerëzit, të cilët puthen pa para në rrugë do të duhej t’i trajtojmë ashtu siç i kanë trajtuar gjuetarët pa leje në shekullin XIX» (fq. 175).

Mendoj se argumentet e Masonit deri në këtë pikë janë mjaft të bindshëm, por në këtë jam në sprovë që të shkëputem prej tij.  Shpjegimi i tij pse jetojmë në epokën e komodifikimi që s’mbahet mend të jetës private është me vend. Por, ai nuk ka të drejtë kur me optimizëm beson se ka kufij të komodifikimit, si edhe kur e thekson rëndësinë gjithnjë e më të madhe të transaksioneve jo ekonomike (softueri pa pagesë, të shkruarit pa pagesë të blogjeve të ngjashëm me këtë etj.).

Të fillojmë nga pika e dytë. Masoni e tepron në rëndësinë të cilën ua përshkruan teknologjive të reja dhe mallrave të reja, të cilat zhvillohen me punë të përbashkët dhe distribuohen falas. Po, shumë çka mund të merret pa pagesë, por madje dhe kur ajo është rezultat i punës vullnetare, në prapavijë fshihet edhe diçka: mund të shkruani pa pagesë një kod kompjuterik apo tekste, por këtë e bëni për të ndikuar tek të tjerët, për të qenë i vërejtur dhe në fund edhe të paguheni. Masoni sigurisht librin e ka shkruar pa pagesë, por suksesi i saj do të sigurojë që ai të jetë i paguar për gjënë tjetër të cilën e bën apo e shkruan. Prandaj është e gabuar të fokusohesh në njërën e ta injorosh tjetrën.

Ku gabon ai në interpretimin e komodifikimit? Ai nuk na është imponua së jashtmi nga ana e kompanive në kërkim të profitit. Në vullnetarisht bashkëpunojmë në këtë proces, sepse gjatë socializimit afatgjatë në kapitalizëm dhe duke iu falënderuar shtrirjes së tij globale, dhe nga kjo mimikria e atyre të cilët janë socializuar në këtë mënyrë – njerëzit janë bërë kapitalistë të makinës llogaritëse. Secili sot është një qendër e vogël e rezonimit kapitalist, me të cilin kohës sonë, emocioneve tona dhe raporteve familjare u përcakton çmime implicite.

Suksesi kurorë i kapitalizmit qëndron në atë se e ka transformuar apo e ka ndërtuar natyrën njerëzore në atë mënyrë, sa të gjithë jemi bërë kalkulatorë të «kënaqësisë e dhembjes», «të fitimit e të humbjes», madje aq sa edhe sikur prodhimi kapitalist i fabrikave sot të zhdukej, ne do të vazhdoni që njëri-tjetrit t’i shesim shërbime për para: do të bëheshim kompani të vogla. Paramendojeni ekonominë (në dukje shumë të ngjashme me ekonomitë primitive) në të cilën i tërë prodhimtaria do të bëhej në shtëpi. Ky do të duhej të ishte model i përsosur i ekonomisë jo të tregut. Sikur këtë ekonomi ta fitonim sot, ajo në tërësi do të ishte kapitaliste, sepse mallrat e shërbimet do t’ia shisnim njëri-tjetrit: bashkëshortët do të paguanin për seks e kështu me radhë. Kjo është bota së cilës po i afrohemi. Prandaj është më e besueshme se fushëveprimi i kapitalizmit nuk do të ketë kufij, sepse do ta përfshijë gjithçka e gjithkënd. «Në epokën e kapitalizmit kognitiv fabrikë është e tërë shoqëria» (fq. 139).

Kapitalizmi do të qëndrojë shumë gjatë, sepse është i suksesshëm në transformimin e qenieve njerëzore në makina llogaritëse të talentuara për nevoja të cilat nuk kanë kufij. Ajo që David Landes e sheh si njërin prej kontributeve kryesore të kapitalizmit: shfrytëzimin më të mirë të kohës dhe mundësinë që gjithçka të mund të shprehet nëpërmjet aftësisë blerëse abstrakte – tash hyn në sferën e jetës private. Modeli kapitalist i prodhimit në fabrika nuk do të jetë i domosdoshëm nëse të gjithë shndërrohemi në qendra të aktivitetit kapitalist.

Autori është ekonomist amerikan me origjinë nga Beogradi. Ka qenë njëri nga ekonomistët udhëheqës të Bankës Botërore.
(Botuar «globalinequality»)