Kapen në Kukës rreth 19 tonë kafe kontrabandë

Aksidenti i një kamioni të ngarkuar me kafe në fshatin Topojan, në aksin rrugor Kukës-Shishtavec, ka qenë zanafilla që ka zbuluar një kontrabandë kafeje në sasi të mëdha, duke implikuar njëherësh edhe komandantin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec-Krushevo dhe tre policë.

Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, në orët e para të mëngjesit të së hënës ka vënë në pranga 4 efektivë policie të pikëkalimit kufitar Shishtavec-Krushevo, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, shkruan sot «Koha Ditore».

Arrestimi i tyre u bë, pasi në datë 11 qershor 2016 kanë lejuar kalimin në këtë pikë kufitare të automjetit tip «Scania» me targë AA763DC, që drejtohej nga shtetasi Altin Basha, i cili transportonte 16 800 kg kafe kontrabandë, ndarë në 280 thasë me peshë 60 kg secili.