Shumë turq në Zvicër – të kërcënuar

Një konferencë për media e ambasadës turke në Bernë po shkakton debat. Turqia ithtarët e Gülenit i ndjek edhe në Zvicër. Mediat zvicerane merren me domethënien e kësaj.

Simpatizantë të partisë së presidentit turk duke festuar pas dështimit të puçit. Foto: esrk / Shutterstock.com

Ambasada e Turqisë në Bernë në një konferencë për shtyp ka shpërndarë një mesazh: Turqia dëshiron të veprojë kundër ithtarëve të Fetullah Gülenit edhe në Zvicër. Ai llogaritet si kundërshtari më i madh i presidentit turk Erdoan dhe nga Turqia zyrtare konsiderohet si autori i tentim-puçit në vend dhe lëvizjen e tij e konsideron si terroriste.

Dhe lëvizja Gülen ka ithtarët e saj edhe në Zvicër, i tillë është Instituti për Bashkëpunim Ndërkulturor dhe Dialog në Cyrih. Kryetari i kësaj organizate është i merakosur pas konferencës për shtyp të ambasadës turke në Bernë. Ai nuk është i trembur, sepse ka shtetësinë zvicerane, mirëpo shumë ithtarë të tjerë të kësaj lëvizje në Zvicër mud të kishin probleme. Mesazhi i ambasadës për të është një kërcënim.

Ndondëse për drejtorin e nstitutit nuk është e qartë se çfarë nënkupton ambasada me shprehjen ithtarë të Gülenit. Po ta kesh parasyshë kuadrin e organizatave të Gülenit, atëherë në Zvicër në shënjestër janë një duzinë njerëzish. Nëse llogarit edhe simpatizantët, atëherë bëhen shumë më shumë se njëmijë veta. Drejtori kërkon ndërhyrjen e Zvicrës që të pengojë bartjen e tensioneve brendaturke në Zvicër. Sepse këtu ka filluar vërtet një sherr ndërmjet turqve; një shkollë private në Cyrih që bën pjesë në rrjetin e Gülenit është kërcënuar njëmend.

Sipas drejtorit të institutit, në komunitetin e emigracionit turk në Zvicër janë rritur tensionet. Një pjesë e tyre janë distancuar nga lëvizja Gülen që nga viti 2013, kur Erdoan u nda nga aleati i tij Gülen. Drejtori siguron se asnjë ithtar i Gülenit, të cilët angazhohen në fushën e arsimit, nuk përkrahen nga jashtë. Ata financohen nga donacionet në Zvicër, transmeton Tages Anzeiger.

Ndërkohë që mediat sjellin edhe prononcimin e amabasadorit turk pas kërcënimit të shkollës së rrjetit Gülen në Cyrih. Ai thotë se siguria e këtyre njerëzve është çështje e autoriteteve zvicerane; ata mund të ankohen në rrugë ligjore kundër kërcënuesve. Sipas ambasadorit, gjendja e jashtëzakonshme është vendosur për të garantuar sigurinë dhe luftuar organizatat terroriste, transmeton 20 Minuten. Asnjë shtetas turk nuk duhet të ketë frikë – përveç nëse ai bën pjesë në një organizatë terroriste. Dhe, terroristë, sipas autoriteteve turke janë kundërshtarët e prsidentit, përkatësisht rrjeti Gülen. Në konferencën për media, ambasada ishte shprehur se është e mundshme që qeveria do t’i gjejë përkrahësit e Gülenit në Zvicër dhe do t’i padisë ata. ks