Kanadaja vazhdon përkrahjen për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot, ambasadorin e Kanadasë në Zagreb, ambasador jorezident për Kosovën, Daniel Maksymiuk, njofton kumtesa nga Kuvendi.




Në takim, Veseli dhe Maksymiuk diskutuan për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, sfidat aktuale të Kuvendit, agjendën legjislative dhe prioritetet. Në takim, po ashtu u theksua përkushtimi për zhvillimin ekonomik dhe gatishmëria e tërë spektrit politik kosovar për përmbushjen e kritereve në procesin e euro-integrimeve, gjë të cilën Kanadaja e mbështet fuqishëm, transmeton Koha.net.

«Ne si Kuvend jemi në një situatë të ndjeshme që po ngjan këtyre ditëve, qytetarët kanë shumë urtësi dhe i respektojnë institucionet e veta dhe nuk do të lejojnë që rruga t’i zëvendësojë ato sepse institucionet i kemi ndërtuar me shumë mund dhe besojmë fuqishëm se aty është vendi për t’i zgjedhur mosmarrëveshjet. Megjithatë, zhvillimi ekonomik dhe procesi i euro-integrimeve mbetet prioritet yni nacional», theksoi kryetari Veseli.

Ambasadori i Kanadasë, Maksymiuk, jorezident për Kosovën, theksoi se është i përkushtuar për ngritjen e profilit të Republikës së Kosovës në Kanada, të begatohet agjenda me bashkëpunimin ekonomik Kanada-Kosovë si dhe do të vazhdojë mbështetja e Kosovës në iniciativat dhe organizatat ndërkombëtare. Po ashtu, theksoi ai, vend të veçantë do të ketë thellimi i bashkëpunimit ndër parlamentar. Ambasadori rreth gjendjes aktuale theksoi se do tejkaluar me urtësi, maturi dhe pozitivitet duke mos i hedhur poshtë të arriturat e deritashme pozitive të Kosovës, kontribut të cilin e ka dhënë edhe Kanadaja.

Kryetari Veseli diskutoi edhe për marrëdhëniet e deritashme me Kanadanë duke theksuar se ato mund të thellohen dhe begatohen me përmbajtje të reja, jo vetëm atë ndër parlamentar por edhe në bashkëpunimin ekonomik.