Kampala – qyteti i kaosit që funksionon

Për shiun pothuaj letrar të Ugandës, kinezët që ndërtojnë autostrada, kaosin fantastik nëpër rrugët e Kampalës dhe çudira të tjera afrikane – ndër to janë edhe lagjja Kosova në Kampala dhe një ish-diktator me emër të gjatë. Reportazh nga kryeqyteti Ugandës.

Parku i taksive në Kampala të Ugandës.



Është sezoni i shirave ne Ugandë. Ky vend tropikal afrikan di të të përvëlojë në këtë kohë. Por, papritmas, fillon një shi i njëtrajtshëm që ndodhë të bie dy-tri ditë me radhë. Shiu mbështjellë gjithçka. Zhaurima e tij monotone përcjellë ritmin e ditës. Toka e kuqërremtë ugandase është mjaft e etur dhe shpejt e përpinë atë. Gjithë ai shi i jep hov vegjetacionit shpërthyes nëpër vendet rurale gjithandej. Ke përshtypjen se ke humbur në Makondon e novelave të Gabriel Garcia Marquezit, të vërshuar nga shiu. Kur, papritur, shiu ndalet dhe dielli tropikal rrezon përsëri.

Rruga nga ish-kryeqyteti Entebbe për në kryeqytetin e tanishëm Kampala është rreth 80 kilometra e gjatë. Por, është vështirë të parashikohet se sa kohë merr kjo rrugë me veturë. Mund të marrë një orë, por mund të marrë edhe pesë. Mjafton që një pikë e rrugës të bllokohet nga ndonjë aksident apo prishje veture dhe gjithë trafiku ndalet. Kur e përjeton këtë, e kupton se pse të gjithë të këshillojnë që t’i japësh vetes kohë të bollshme për të shkuar në aeroportin ndërkombëtar në Entebbe.

Rruga që lidhë Entebben me Kampalën është në ndërtim e sipër. Pjesë të mëdha të saj tashmë kanë marrë formën e autostradës. Pastaj papritmas, në pika të caktuara, punimet e autostradës duket se kanë stagnuar. Gjithandej autostradës, dhe jo vetëm, shihen logot e kompanisë CCCC. Kjo është një firmë kineze (China Communications Construction Company), e kontraktuar që të bëjë shtrimin e rrugëve kryesore në shumë zona të Ugandës. Me zgjimin e gjigandit ekonomik kinez në këto 10-15 vitet e fundit, kompanitë e Kinës janë duke e vërshuar tregun afrikan në përgjithësi. Kanë shtrirë ndikimin në ndërtimtari, xehetari, komunikacion. Ofrojnë çmime kompetitive, shpesh më të leverdishme sesa firmat perëndimore.

Mirëpo, firmat kineze nuk çajnë aq kokë për respektimin e të drejtave të punëtorëve. Për më tepër, bashkë me mjetet e punës ata zakonisht e sjellin edhe fuqinë punonjëse nga Kina. Firmat kineze fitojnë tenderin, kinezët punojnë, të hollat e tenderit i merr qeveria, ndërsa afrikanët vazhdojnë të mbeten të papunë. Atyre u mbetet infrastruktura, e ndërtuar nga kinezët.

Ngasja e veturës në Ugandë është sfidë e madhe. Në Kampala, ku jetojnë rreth dy milionë banorë, manovrimi i makinës nëpër trafikun kaotik shndërrohet në art. Por, në gjithë atë kaos urbanistik, ku rregullat e trafikut nuk kanë kurrfarë kuptimi, mbretëron një logjikë dhe mirëkuptim i çuditshëm në mes drejtuesve të makinave. Disi, gjithë ai kaos, funksionon për mrekulli. Gjithë ajo tollovi, këmbësorët, biçikletat, veturat e kamionët sillen e pështillen, por sërish e gjejnë drejtimin e vet.

Pastaj janë motoçikletat. Mijëra e mijëra motoçikleta. Të vjetra, të pluhurosua, me tym, por edhe më ekonomike për transport privat. Gjarpërimi i tyre nëpër trafik sfidon çdo rregull dhe çdo parim. Motoçikleta taksi. Motoçikleta me tërë familjen e hipur mbi to – babai si shofer me djalin e vogël përpara, dhe nëna me foshnjën mbrapa. Motoçikleta me ngasës që flet serbes në mobil – thuajse është duke pushuar në kokërr të shpinës nën hijen e palmës – derisa njëkohësisht manovron rrezikshëm përmes veturave. Dhe të rinj e të reja të pispillosur, që dalin në mbrëmje në qytet me motoçikletat e pluhurosura. Por, disi, ky kaos duket se funksionon dhe të gjithë kanë mirëkuptim për njëri tjetrin.

Populli ugandas është kryesisht i krishterë, në mesin e të cilëve ka katolikë, ortodoksë, episkopalë etj. Rreth 20 për qind janë myslimanë. Është edhe një përqindje e komunitetit baha’i. Të ardhurit nga India (dhe aziatikë të tjerë) janë komunitet që këtu jeton qëmoti. Merren kryesisht me tregti dhe biznese familjare. Me gjithë këtë laramani, duket se këtu mbretëron një tolerancë dhe harmoni fetare. Vetë Kampala është e vendosur në shtatë kodrina, dhe në secilën nga to jeton një nga këto komunitete fetare.

Atraksion i veçantë turistik është kodrina myslimane. Në krye të saj gjendet e vendosur xhamia e dytë për nga madhësia në gjithë Afrikën – xhamia Gadafi! (Që nga ekzekutimi i liderit libian emri i xhamisë është ndërruar në «Xhamia Kombëtare e Ugandës», por të gjithë e thërrasin me emrin e vjetër). Që në vitet ’70 ishte bërë plan që aty të ndërtohej një xhami e madhe për komunitetin mysliman të vendit. Por, pak për mungesë fondesh e pak për shkak të korrupsionit, xhamia kurrë nuk kishte arritur të ndërtohej, deri në fillim të viteve 2000. Në atë kohë, lideri i Libisë, koloneli Muammar Gadafi, vendosi të financojë ndërtimin e kësaj xhamie gjigande. Dhoma e saj e madhe që përdoret për faljen e xhumasë ofron vend për 7000 burra, ndërsa në katin e epërm të saj ka vend për 1000 gra. Shandanët ishin sjellë nga Egjipti, tepihu nga India, vizatimet ishin bërë nga piktorët më të mirë të botës arabe. Nga minarja e xhamisë vizitori sheh si në pëllëmbën e dorës gjithë qytetin e Kampalës. I sheh zonat e varfra me shtëpi një mbi një, të njohura si mëhallët geto apo slum. Sheh tregun në qendër të qytetit ku jeta gëlon plot zhurmë e tollovi. Por, pak më tutje dallon lagjet luksoze të populluara nga shtresa e lartë e shoqërisë dhe «ndërkombëtarët», sheh rezidencat private dhe hotelet e markave ndërkombëtare. Kontraste kaq të ashpra në mes zonave ultra të pasura dhe atyre të mjerueshme takon gjithandej nëpër shoqëri të tilla që janë në zhvillim e sipër. Për disa, «tranzicioni» politik e ekonomik ka qenë jashtëzakonisht i mirë. Për të tjerët, në fakt për shumicën, ky tranzicion nënkupton braktisje nga shoqëria dhe lënie në harresë e varfëri.

Edhe Kosova është e përfaqësuar, të paktën me emër, pasi që një lagje e madhe e Kampalës mbartë emrin e saj. Është një lagje relativisht e varfër, me ardhacakë nga viset e tjera të Ugandës e më tej. Dëgjova dy interpretime në lidhje me emrin: sipas versionit të parë, rezidentët e lagjes ishin ngritur në protestë kundër pushtetit dhe kërkonin shtrimin e rrugëve me asfalt. Pasi protestat ndodhën gjatë luftës në Kosovë, ndërsa banorët e saj u bënë të njohur për kokëfortësi me sfidën e tyre ndaj regjimit, lagja u pagëzua me këtë emër. Sipas versionit të dytë, më thonë se qysh në vitet ’70 e ’80 këtu ka pasur punëtorë nga viset e ish-Jugosllavisë (edhe nga Kosova) të cilët kanë punuar për një firmë ndërtimtarie e quajtur Roko.

Politikisht Uganda udhëhiqet nga diktatori Yoweri Museveni. Kur e pyesin se sa vjeçar është, përgjigjet se nuk e di. Në fund të fundit, proteston ai, ç’rëndësi ka mosha? Me rëndësi është që ai të vazhdojë të ndriçojë si dritë udhëzuese popullin e tij. Museveni ka më shumë se 30 vjet që është në pushtet. Nuk ka shenja që e ka plan të pensionohet në një të ardhme të afërt. Kjo na kujton një anekdotë interesante për kontekstin afrikan. Një president i një shteti afrikan që kishte sunduar për dekada me radhë dhe tashmë ishte në moshë të shtyrë, kishte vendosur të garonte sërish në zgjedhjet që vinin. Gjatë një interviste në kulmin e fushatës elektorale, një gazetare e pyet: «Zoti president, ju keni kaq shumë vjet që jeni në pushtet. Kur planifikoni të përshëndeteni me popullin tuaj?» Presidenti, pa asnjë hezitim, i përgjigjet gazetares: «Zonjushë e nderuar, ndoshta ju dini diçka që unë nuk di. Ku saktësisht është duke shkuar populli im që unë të përshëndetem me të?»

Edhe Museveni duket se nuk e ka ndërmend të shkojë asgjëkund. Thuajse e kanë harruar në fronin e tij presidencial. Njerëzit e vendit e jetojnë jetën, rropaten me peripecitë e sfidat e përditshmërisë, ndërsa diku në pallatin presidencial është një plak, i cili ende komandon respektin dhe bindjen e spektrit politik. Më shumë sesa të indinjuar, duket se njerëzit janë të dorëzuar para këtij fakti. Sa herë përmendet politika, lodhja dhe monotonia shihet kudo në fytyrat e tyre. Ciklet e zgjedhjeve kinse demokratike vetëm se konfirmojnë Musevenin në krye të vendit. Kështu, përgjatë viteve e dekadave, diktatura është shndërruar në diçka të mërzitshme, të lodhshme, si rrugët e pashtruara e të gjata rurale të mbushura me pluhur e diell që përcëllon.

Sidoqoftë, jeta politike në Ugandë është mesatarisht e qetë, me një harmoni të përgjithshme ndërfetare e ndëretnike. Edhe regjimi i Musevenit është shumë më i butë në krahasim me atë të Idi Aminit, diktatorit gjakpirës që sundoi vendin me dhunë e terror përgjatë viteve ’70. Gjatë sundimit të tij, rreth 300 mijë ugandas ishin masakruar. Ai po ashtu dëboi nga vendi shumicën e qytetarëve nga India dhe Pakistani. Pasi që këta të fundit ishin kryesisht pronarë biznesesh të vogla, ky akt i Aminit përshpejtoi edhe kolapsin ekonomik të vendit. Aq ishte e sëmurë egoja e tij, saqë titulli zyrtar i tij ishte: «Shkëlqesia e Tij, president i përjetshëm, mareshal Al Haxhi Doktor Idi Amin Dada, VC (Kryqi i Viktorias), DSO (Urdhri për Shërbim të Shkëlqyer), MC (Kryqi Ushtarak), zot i gjithë kafshëve të tokës dhe peshqve të deteve, zaptues i Perandorisë Britanike në Afrikë në përgjithësi dhe në Ugandë në veçanti».

Në fund të viteve ’70 Museveni ishte një ndër liderët e ushtrisë guerile që ndihmoi në rrëzimin e Aminit. Në mesin e viteve ’80 vetë Museveni mori pushtetin në dorë. Edhe pse ky pushtet nuk është i krahasueshëm me terrorin e Aminit, megjithatë Uganda ka nevojë për një kapitull të ndritshëm në historinë e saj të re. Ky vend, si edhe shumë shtete tjera anekënd Afrikës, është i dërrmuar me gjeneralët heronj që kapen pas pushtetit derisa të japin shpirt në kolltuk.