Kamenica kërkon nga Ministria e Financave korrigjimin e projektbuxhetit

Komuna e Kamenicës nuk e ka votuar projektbuxhetin për vitin 2016.




Sipas qarkores buxhetore, të lëshuar nga Ministria e Financave, për këtë komunë është planifikuar buxhet prej 7 milionë e 100 mijë eurosh, ndërsa investimet kapitale parashihen vetëm 351 mijë euro, shkruan sot «Koha Ditore».

Fatmir Matoshi nënkryetar i Komunës së Kamenicës, ka vlerësuar se Ministria e Financave duhet që të bëjë një korrigjim të projektbuxhetit komunal.

Sipas tij, buxheti i alokuar nga ana e Ministrisë do të shkaktojë probleme në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët e Kamenicës.

«Shqetësimet tona kanë të bëjnë me buxhetin për investimet kapitale, i cili për vitin 2016 është paraparë të jetë vetëm 351.000 euro. Nëse llogarisim se në këtë shumë mund të hyjnë edhe projekte shërbimesh, siç janë mirëmbajtjet e rrugëve, hapësirave gjelbëruese dhe ndriçimit publik, atëherë vetëm gjysma e kësaj shume mund të mbetet në dispozicion për rrugët, kanalizimet, ujësjellësit, trotuaret dhe shumë e shumë nevoja të tjera të infrastrukturës në tërë komunën tonë», ka thënë Matoshi

Për dallim prej kësaj komune, ato fqinje miratuan buxhetet komunale.