Kambana e propagandës

Serbët «viktima të përhershme», shqiptarët – këta «myslimanë agresivë» që vetëm kërkojnë arsye për të shtënë me armë: mbi filmin propagandistik serb «Enklava», prodhimin e të cilit e ka mbështetur edhe televizioni publik gjerman ZDF. Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» e quan këtë film «padurueshëm të njëanshëm». Një rol në këtë film e luan edhe Çun Lajqi.

Bashkimi, shqiptar, kërcënon Nenadin. Skenë nga filmi Enklava.



Kanali televiziv Arte ka shfaqur javën e kaluar filmin «Enklava» të regjisorit serb Goran Radovanoviq. Filimi është një bashkëprodhim serbo-gjerman. Nga pala gjermane xhirimi është përkrahur nga televizioni publik ZDF dhe nga Arte, një kanal gjermano-francez, i cili emiton programe kryesisht kulturore dhe kryesisht të nivelit të lartë.

Filmi «Enklava» synon të prezantojë gjendjen e serbëve në Kosovë në vitin 2004, kur shpërthyen trazira me gjasë të inskenuara nga shërbimet serbe dhe strukturat e nëntokës politike shqiptare me qëllim të ndarjes së Kosovës. Me muzikë emocionale të marrë nga filmi «Toka qan» të Teo Angelopulos dhe me klishe pothuaj poetike synohet të rrëfehet jeta e një fëmiu në një enklavë serbe në Kosovë.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Hero i filmit është djaloshi 10-vjeçar serb Nenadi. Ai rritet në një familje të traumatizuar: babai adhurues i tepërt i rakisë, gjyshi duke luftuar me vdekjen. Ata jetojnë në një enklavë të serbëve të Kosovës, ku Nenadin në shkollë e dërgon një patrullë e KFOR-it. Në shkollë Nenadi është nxënësi i vetëm i mësueses së vetme. Popi i katundit Drazha, i cili jeton pranë një kishe të djegur, e përkrah Nenadin. Popi po ashtu ka marrë dhuratë një kambanë për kishën.

Nenadi nuk ka shokë (serbë), andaj një ditë fillon të luajë me tre djem shqiptarë. Pa asnjë shkak të jashtëm gjendja eskalon, shkruan gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) në një kritikë të filmit. Bashkimi (të cilin e luan Denis Muriq), i cili është një lloj zëdhënësi i djemve shqiptarë, nuk dëshiron ta falë Nenadin për shkak se serbët kanë vrarë babanë e tij. Nenadi thotë se ai nuk ia ka vrarë babanë Bashkimit, kjo është e vërtetë, por filmi nuk e shpjegon fare historinë e konfliktit të Kosovës, andaj gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» e quan «padurueshëm të njëanshëm».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Në këtë film Nenadi është simpatik, melankolik, poetik, i pafajshëm, ndërsa shqiptari me emrin Bashkim një tip i rrezikshëm, i paarsimuar (gazeta gjermane shkruan: «duket se asnjëri nga djemtë shqiptarë nuk shkon në shkollë»). Filmi, vazhdon FAZ, është habitshëm i ndarë në dy pjesë: në njërën anë serbët që heroikisht i rezistojnë shtypjes dhe të cilëve fqinjtë shqiptarë ua marrin armët dhe lopët dhe familja e Nenadit nuk lejohet të mbajë zi për gjyshin e vdekur, ndërsa në anën tjetër «shqiptarët myslimanë», këta katundarë të pagdhendur, të cilët vetëm kërkojnë arsye për të shtënë me armë, të cilët shpikin arsye për të qenë të dhunshëm dhe të cilët përdhosin varreza të serbëve.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Nga historia e krimeve serbe në Kosovë në film përmendet vetëm rasti i Bashkimit, të cilit serbët ia kanë vrarë të atin. Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» e quan filmin «Enklava» të njënashëm dhe ahistorik dhe shpreh habi mbi naivitetin e televizionit publik gjerman ZDF për t’u bërë pjesë e këtij shou propagandistik të regjisorit Goran Radovanoviq. Në vitin 2016 Serbia e futi këtë film në garë për çmimin «Oscar». Nga prizmi kosovar edhe një detaj jo aq i parëndësishëm: në këtë film një rol dytësor e luan edhe Çun Lajqi. (dp/-lli)