«Kam një ëndërr: dua të ngjitem në 14 Majat e Himalajeve»

INTERVISTË - 40 pyetje – 40 përgjigje: Uta Ibrahimi, alpiniste.

Uta Ibrahimi.



  1. Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?

Më pëlqejnë Prishtina e Tirana. Bashkë, të dyja. Sa herë jam larg, më merr malli shumë për to. Kur kaloj më shumë kohë larg, më ndalet fryma. Prishtina më pëlqen shumë për energjinë e mirë të njerëzve që ka, e Tirana më pëlqen shumë për parqet edhe për hapësirën e gjerë që nuk na e ofron Prishtina. Mirëpo, në periudhën afatgjatë nuk mendoj se do ta kaloj jetën në kryeqytetet shqiptare. Më pëlqen shumë Valbona. Besoj në një të ardhme do të zhvendosem atje.

  1. Cilin personalitet të historisë shqiptare do të dëshironit ta takonit sikur të ishe e mundshme?

Enver Hoxhën.

  1. Çka do ta pyetnit së pari?

Pse?

  1. Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik për ju?

Adem Jashari. Unë e kam jetuar kohën kur Adem Jashari sakrifikoi veten e familjen për një të mirë të përbashkët, lirinë tonë.

  1. A ekziston Zoti?

Ekziston forca që është më e madhe se krejt njerëzimi. Disa e quajnë zot, disa të tjerë në mënyrat e tyre. Unë besoj në forcën e natyrës, e që për mua zoti është «nona natyrë». Ky lloj besimi më është zhvilluar edhe më shumë gjatë kohës sa jam ngjitur nëpër majat e Himalajeve. Ka aq shumë energji dhe forcë, saqë për të përballuar ngjitjen, bajagi të duhet një fokus, e ky besim në diçka që është mbi neve, më ndihmon shumë të fokusohem edhe të mos jem e vetmuar.

  1. Cilin libër po e lexoni aktualisht?

Për momentin jam duke e lexuar një libër për sëmundjet e lartësive, «Altitude Illnes» Stephen Bezruchka. Kohëve të fundit lexoj më shumë publikime dhe libra të profesionit, guidës dhe alpinizmit. Shpesh më pëlqejnë edhe librat biografik si «Persepolis» nga Marjane Satrapi.

  1. Cilin qytet të ish-Jugosllavisë keni dëshirë ta vizitoni?

Kam shumë dëshirë të vizitojë Bosnjën. Është i vetmi vend në ish-Jugosllavi që ende nuk e kam qenë. Kam dëgjuar shumë tregime të mira për Sarajevën dhe qytetin e vjetër, kombinimin e të vjetrës dhe modernes, ushqimin dhe jetën e natës. Shpresoj ta realizoj këtë vizitë në të ardhmen e afërt.

  1. Kur keni udhëtuar për herë të parë jashtë shtetit dhe në cilin vend keni qenë?

Mendoj kanë qenë Mali i Zi dhe Sllovenia. Në kohën e ish-Jugosllavisë babai im ka punuar në «Bankkos» dhe si shumë punëtorë të ndërmarrjeve shtetërore në atë kohë, edhe babai im kishte një shtëpi – një vilë në det, në Kamenovë. Më kujtohet që disa vite rresht kemi shkuar atje për verime. Pas disa viteve vilën e rrënuan. Shkuam sërish vite më vonë për të parë atë vend. Vilën e gjetëm, por të shkatërruar. Në atë kohë shpesh kemi udhëtuar edhe në Slloveni për të vizituar axhën tim, Muharrem Ibrahimi, në atë kohë major i Armatës Popullore të Jugosllavisë, i cili ka përfunduar studimet në Slloveni gjatë viteve ’80 dhe pastaj vendosi të jetojë në Maribor – deri kur u kthye në Kosovë dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në prill 1999 ndërroi jetë në front. Mali i Zi dhe Sllovenia më zgjojnë kujtime të bukura.

  1. Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

Në vitin 2002, kur sapo filluan lëvizjet mes Kosovës e Shqipërisë me grupe më të mëdha. Unë isha në vitin e dytë të gjimnazit në Gjilan. Për nxënësit më të mirë, rreth 50, shkolla jonë organizoi një vizitë në gjimnazin e Lezhës. Ideja ishte të kalonim disa ditë bashkë me nxënës të Lezhës, të shkëmbejmë përvojat tona, të njihemi. Ky ka qenë udhëtimi im i parë jashtë vendit pa familje. Pas shumë mundimeve e problemeve gjatë rrugës kur arritëm në Pukë krejt ëndrrat për Shqipërinë m’u rrënuan para syve. U futëm në një lokal, njerëzit silleshin çuditshëm. Nuk i kuptoja mirë kur flisnin. Në lokal kishte vetëm burra dhe të gjithë ishin të veshur me xhaketa prej lëkure. Ishte pamje e trishtueshme, ndoshta edhe për shkak se arsimtarët na kishin futur frikën me këshilla se si të kemi kujdes në Shqipëri. Nga Puka shkuam në Lezhë dhe kaluam 5 ditë në shtëpitë e nxënësve të qytetit. Nuk e harroj kurrë bukën e zezë dhe dhomën e ftohtë. Familja ku banova ishte shumë e përzemërt, por edhe për rrethanat tona në Kosovë mjaft e varfër. Pas Lezhës vizituam edhe Krujën dhe Tiranën. Kur pamë më shumë Shqipërinë, ndryshuan edhe bindjet, paragjykimet dhe përshtypjet tona.

  1. Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe?

Nuk e di. Ndoshta s’kam dëshirë të mendojë asnjëherë për gjëra jo të mira. Përveç kësaj, unë mendoj që shpesh kur mendojmë keq, gjithçka shkon keq. Andaj, përpiqem të mos mendoj për gjëra të tilla. S’ka fatkeqësi.

  1. Cilin shkrimtar të huaj e pëlqeni më së shumti?

Më pëlqejnë disa, por dua ta veçoj Edith Durhamin. Kur dua të di më shumë për shqiptarët në të kaluarën, për zakonet e traditën veriore, lexoj librat e saj.

  1. Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më së shumti?

«Po punojke si gjerman» – shpesh e kam dëgjuar këtë fjali gjatë jetës sime. E kam kuptuar këtë fjali kur kam takuar gjermanë. Më pëlqejnë si jetojnë: të organizuar!

  1. Cili emër ju pëlqen më së shumti?

Nima – është emër tibetian dhe e do të thotë diell – rreze dielli.

  1. A do të merrnit pjesë në dasmën e një çifti homoseksual?

Po, patjetër. Ndonëse nuk më pëlqejnë dasmat e festat. Jam person i hapur, nuk gjykoj, as nuk paragjykoj homoseksualët. Gjithmonë angazhohem për të luftuar pabarazinë gjinore apo ne shoqëri.

  1. A do të ishit e gatshme të luftoni në rast se rrezikohet liria e vendit?

Nuk besoj se lufta zgjidh problemet. Mendoj që lufta duhet të bëhet në forma të tjera, me punë, për shembull.

  1. Cilin person s’do të kishit dëshiruar ta takoni kurrë?

Nuk kam persona të tillë në jetë. Ka njerëz që s’më pëlqejnë, por nuk ka njerëz që i urrej. S’më pëlqejnë dembelët dhe mendjengushtit. Por, mendoj që kur je në paqe me veten, i pranon edhe të këqijtë në takime.

  1. A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria?         

Jam rritur me idenë e bashkimit kombëtar. Me kalimin e kohës, duke parë botën e duke u zhvilluar, mendoj se kufijtë nuk duhet të ekzistojnë mes Kosovës dhe Shqipërisë, por kjo vlen edhe për gjithë globin.

  1. A është dëmtuar dialekti gegë me standardin gjuhësor të vitit 1972 dhe a duhet të ndryshohet ky standard?

E vërteta është se nuk jemi mjaftueshëm të familjarizuar me standardin. Unë mendoj se duhet vlerësuar dialektet si pasuri të gjuhës shqipe. Nga ana tjetër gjuha standarde është e domosdoshme për sistemin arsimor, institucionet etj. Ndryshimet e kujdesshme dhe pozitive duhet përkrahur përherë.

  1. Cilit komb dhe cilës kulturë do t’i kishit takuar me qejf?

Jam shumë krenare që jam shqiptare. Mendoj që kombi ynë ka njerëz shumë të mirë dhe me vlerë. Shpresoj që në të ardhmen do të ketë edhe më shumë shqiptarë që do të na bëjnë krenarë.

  1. Sikur të kishit pushtetin politik çfarë do të ndryshonit së pari?

Tani që jemi shumë të preokupuar me çështjen e ndotjes së ajrit, gjithsesi se do të veproja me urgjencë për të ndikuar në përmirësimin e gjendjes, duke përfshirë edhe takimet e domosdoshme rajonale. Sistem të mirëfilltë edukimi që ndikon në vetëdijesimin e popullit, pastaj automatikisht masa për më shumë kujdes për ruajtjen e ambientit, kulturës dhe zhvillimin e Kosovës.

  1. Cili është personi më i rëndësishëm për ju?

Baba. Gjithmonë ka qenë idoli im. Me kalimin e kohës, e sidomos këto 3-4 vitet e fundit, mendoj që nana është personi shumë më i rëndësishëm në jetën time. Por, nana e baba s’ndahen për nga rëndësia.

  1. Cilat media preferoni t’i lexoni?

S’kam pasur kurrë televizion ose radio. Informohem nga mediat digjitale.

  1. Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?

E kaltra. Më jep shumë jetë dhe më paqëson.

  1. Cila lule ju pëlqen më së shumti?

Orkideja. Është elegante edhe e ndjeshme.

  1. Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?

Vazhdimësinë dhe këmbënguljen.

  1. Cilat virtyte i çmoni te një grua?

Aktivizmin, dashurinë dhe respektin. Jam kundër të qenmit viktimë duke u arsyetuar me diskriminimin gjinor.

  1. Cilat virtyte i çmoni te një burrë?

Sinqeritetin dhe respektin.

28.Cilin politikan të kohës së Jugosllavisë e vlerësoni më shumë?

Mahmut Bakallin.

  1. Cilin politikan të Kosovës pas vitit 1989 e vlerësoni më shumë?

Ibrahim Rugova.

  1. Cilin politikan të Republikës së Shqipërisë në këto 25 vitet e fundit e vlerësoni më shumë?

Pandeli Majkon. Kishte një rol të rëndësishëm gjatë luftës së Kosovës.

  1. A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?

Jo. Ai ishte i zënë e i preokupuar me ndërtimin e diktaturës në Shqipëri. Ndonjëherë ka dhënë deklarata që kanë mundur të jenë në interes të Kosovës.

  1. A ka Josip Broz Tito ndonjë meritë për zhvillimin politik, arsimor, ekonomik dhe kulturor të Kosovës?

Mendoj se po. Kosova nga vitet ’70 përjetoi një zhvillim të hovshëm në ekonomi dhe ndërtim, por edhe në arsim. Por kurrsesi nuk mund ta anashkalojmë të vërtetën për diskriminimin e shqiptarëve nga pushteti jugosllav.

  1. Cili është për ju personaliteti më i urryer historik?

Sllobodan Millosheviqi për shkak të krimeve ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Jugosllavisë. Por, në kategorinë e njerëzve që i urrej hyjnë edhe Stalini e Hitleri.

  1. Sikur të kishit jetuar në Luftën e Dytë Botërore a do t’iu kishit bashkuar lëvizjes partizane në luftë kundër pushtimit nazist?

Nuk e di! Unë nuk jam person i luftrave, gjakun, tmerret. Preferoj sfidat pozitive të natyrës.

  1. Cili është intelektuali më i madh i Kosovës?

Albin Kurti.

  1. Cili është shkrimtari më i madh shqiptar?

Ismail Kadare.

  1. Cili është aktori/aktorja më e madhe shqiptare?

Bekim Fehmiu dhe Arta Dobroshi.

  1. A keni marrë pjesë në ndonjë demonstratë?

Po, në vitin 1998-1999 në Gjilan. Dhe çdoherë, edhe tani, bashkohem me iniciativat protestuese për të mirat qytetare.

  1. A është toleranca fetare mes shqiptarëve mit apo realitet?

Po.

  1. Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Kam një ëndërr: dua të ngjitem në 14 Majat e Himalajeve. Gjatë jetës sime kam pasur shumë ëndrra, por me kalimin e kohës dhe me përjetimet e përditshme, jeta na ofron mundësi të reja, prandaj ndërrojnë edhe ëndrrat.