«Kalkulatori» pa bateri

E ka të përfunduar vetëm shkollën fillore, por ai mund t’ua kalojë edhe ekspertëve të matematikës a ekonomisë për llogaritje. Njësoj si një kalkulator, Fehmi Dërmoku (32) nga fshati Letanc i Podujevës është në gjendje që shumë shpejt t’i llogarisë mbledhje-zbritjet e shumëzim-pjesëtimin edhe me numra shumëshifrorë. Ata që e ndalin në rrugë për t’iu treguar «sa bëjnë kaq e kaq» janë të shumtë.




Aftësinë për mbledhje-zbritje e shumëzim, Fehmi Dërmoku e ka pasur edhe para se të regjistrohej në shkollë. Thotë të jenë habitur familjarët e të afërmit e tij kur kanë dëgjuar përgjigjet e sakta, edhe pse nuk i kishte as shtatë vjet, shkruan sot «Koha Ditore».

Por në këtë kohë numrat nuk bënte që të ishin të gjatë. Hyrja në shkollë ia kishte rritur aftësinë për të shtuar edhe numrat. Dhe më nuk paraqitej asnjë pengesë për të. Bile as presjet e shumta gjatë pjesëtimit.

«Edhe pa hi në shkollë kam ditë mbledhje-zbritje e shumëzim. Kur kam hi në shkollë kam ditë edhe më shumë. Shumica e numrave-përgjigjeve më vijnë vetë qashtu. Në shkollë shumë më vetshin edhe nxënësit, edhe arsimtarët sa bëjnë qikaq me qikaq», tregon tridhjetedyvjeçari nga fshati Letanc i Podujevës.

Shkolla nuk i ka shkuar mirë. Për çudi as matematika. Por, për mbledhje-zbritje e shumëzim-pjesëtim Fehmiu nuk e ka pasur problem asnjëherë. Ka pasur plot raste që i ka ndihmuar edhe nxënësit nëpër hartime e kur janë pyetur për nota.

Jo që i ka ditur detyrat, por u ka shërbyer si kalkulator. Pyetjet për të janë bërë të zakonshme që prej kur e kanë kuptuar të tjerët aftësinë e tij prej një kalkulatori. Edhe kureshtja për ta njohur ka qenë e madhe si në fshat, ashtu edhe në shkollë.