Kah po don me shkue, Afrikë?




Kah po don me shkue,
oj Afrikë?
A don me u kthy prapa?

Te koha e tupanave
dhe valleve gazmore nën hijen
e palmave që i ka puthun dielli;
A don me u kthy prapa?
Te ditët kur s’dinim asgja
dhe vasha përherë ishte e virgjën
dhe djali i shmangej të keqes
nga frika prej perëndive të lashta;
A don me u kthy prapa?
Te kasollat e mbulueme me kashtë
ku mirësia sundonte
dhe ngushëllimi pushonte, –
A don me u kthy prapa, te besëtytnia?

Apo don me ec përpara?
Përpara! Ku?
Në lagjet e lana pasdore
ku njerëzit shkarkohen mbi njerëz
si bërllok:
ku varfënia
dhe mjerimi
kanë ndërtue votrën e tyne fatzezë
dhe ku gjithçka asht terr e shkretë?
Përpara? Ku?
Në fabrikë
nëpër orë të vështira me e mundue veten
në mullinin çnjerëzor
të një ndërrimi të vetëm e të pafund?
Përpara? Ku?

Përkthye nga E. Robelli
Michael Francis Dei-Anang (1909-1977), poet ganez, novelist dhe dramaturg.