Kah është Evropa?

Para disa ditësh kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte thënë se «Evropa nuk është në gjendje të mirë».




Këtë diagnozë për BE-në e ka dhënë njëri ndër politikanët më me përvojë në kontinentin e vjetër në fjalimin e tij vjetor, para deputetëve të Parlamentit Evropian, për gjendjen e unionit, shkruan sot Koha Ditore.

Juncker pati konstatuar se «në Unionin Evropian duhet më shumë Evropë dhe më shumë unitet».
Së pari kriza greke e tash edhe ajo e refugjatëve kanë nxjerrë në sipërfaqe ndasitë në BE edhe rreth vlerave dhe kuptimit të solidaritetit.

Por edhe në kohën e ndarjeve në BE besojnë se integrimet mund të thellohen edhe më shumë.

Dallimet më të mëdha kanë dalë mes disa shteteve të Evropës Qendrore dhe shteteve të vjetra anëtare rreth propozimit të Komisionit Evropian që barra e refugjatëve të ndahet në mënyrë më të barabartë mes të gjitha shteteve anëtare.

Kryeministri i Sllovakisë, Rober Fico, po jo vetëm ai, e ka kundërshtuar këtë ide, madje duke thënë se vendi i tij mund të pranoj një numër të vogël të refugjatëve, por me kushtin që ata të jenë të krishterë.

Kjo deklaratë ka shkaktuar aq shumë indinjatë në disa qarqe, saqë Grupimi i Partive Socialiste dhe Demokrate në Parlamentin Evropian ka kërkuar shkarkimin e Ficos nga kjo parti për shkak se «nuk i ndan vlerat për të cilat angazhohet ky grupim».

Vendet e BE-së në takimin e ministrave të brendshëm kaluan vendimin për kuotat e refugjatëve që secili shtet duhet të strehojë, duke mbivotuar vendet si Sllovakia, Çekia dhe Hungaria. Një mbivotim i tillë nuk ndodh shpesh, por me këtë këtyre shteteve u është dërguar një porosi se nuk mund të bllokojnë secilin vendim që nuk u pëlqen.