Kadastra e Prishtinës rrit shërbimet për qytetarët

Drejtoria e Kadastrës e Komunës së Prishtinës ka njoftuar sot me anë të një komunikate se ka vazhduar të bëjë ofrimin e shërbimeve sa me efikase për qytetar duke ofruar informacione dhe të dhëna të azhurnuara për pronat e paluajtshme.




Gjatë muajit shtator, thuhet në komunikatë, në 4 zyrat pritëse janë pranuar 2,524 kërkesa, nga të cilat janë aprovuar 2,519 ndërsa janë refuzuar 12 kërkesa, transmeton Koha.net. Në procedurë kanë mbetur 63 kërkesa të cilat janë realizuar përmes 2 sektorëve: sektorit të kadastrës dhe sektorit të gjeodezisë.

Sa i përket të hyrave të grumbulluara për muajin shtator në këtë drejtori, janë arkëtuar 47,785 euro.

Duke filluar nga muaji tetor në Drejtorinë e Kadastrës dhe Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit të gjithë qytetarët do të mund të marrin shërbime duke filluar nga ora 8:30 – 15:00 pa ndërprerje, respektivisht këto shërbime do të ofrohen nga stafi përkatës edhe gjatë orës që më parë shërbente si pauzë.

Po ashtu, në kuadër të reformave administrative në Drejtorinë e Kadastrës ka filluar menaxhimi digjital i radhëve, janë krijuar edhe pikat «One stop shop» me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të gjitha shërbimet të cilat i ofron Komuna, t’i kryejnë në këtë pikë, e jo si më parë kur pagesat e ndryshme duhet t’i kryenin në vende të tjera dhe sërish të futeshin në radhët e pritjes, thuhet në njoftim.