Kacafytja mes Haradinajt dhe Thaçit bartet në mediat ndërkombëtare

Pas polemikave në Kosovë kryeministri dhe presidenti po shtyhen edhe në mediat ndërkombëtare lidhur me idenë e «korrigjimit të kufijve». Sot Haradinaj ka kaluar në ofensivë edhe në gazetën «Financial Times». Më parë Haradinaj kishte shkruar një editorial të ashpër në «Washington Post» kundër idesë së ndarjes së Kosovës. Kjo mësymje e Haradinajt ka shkaktuar panik në mesin e lobistëve të ndarjes në Prishtinë, në Vjenë dhe në Beograd. Njëra ndër to, Jelena Miliq, së pari habitet se si Haradinaj arrin të botojë tekste në mediat e rëndësishme ndërkombëtare, pastaj e mbron Hashim Thaçin duke gënjyer.

Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi.



Kur në fillim të tetorit kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, filloi të kundërshtojë edhe më zëshëm idenë për «korrigjimit të kufijve» mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti Hashim Thaçi u kërcënua hapur: «Ata që nuk korrigjohen, shumë lehtë mund të ndërrohen». Thaçi tërthorazi paralajmëroi edhe zgjedhje ose shkarkim të Haradinajt nëse nuk ndryshon mendjen për «korrigjimin e kufijve» apo «shkëmbimin e territoreve» mes Kosovës dhe Serbisë. Para se të atakohej nga Thaçi, Haradinaj tha: «Shpreh ngushëllimet e mia për këtë ide të kufijve, pasi mendoj se ajo ka vdekur». Në fillim të këtij muaji Haradinaj foli për emisionin «Interaktiv», ku tha se nëse bie qeveria, atëherë do të rrëzohen nga pushteti edhe Kadri Veseli e Hashim Thaçi.

Dukej se muajve të fundit Thaçi kishte krijuar një avantazh në mediat ndërkombëtare sa i përket propagandimit të idesë për «korrigjimin e kufijve». Në fund të shtatorit presidenti i Kosovës botoi një editorial në gazetën «Financial Times», ku ndërsa i binte daulles për «korrigjimin e kufijve» kurthohej në kundërthënie, për shembull kur shkruante se «një korrigjim kufitar nuk duhet të bazohet në parimin e ndarjes etnike. Ne nuk duam të ndajmë dy popujt tanë». Menjëherë pas editorialit të Thaçit edhe gazeta «Financial Times» përkrahu «shkëmbimin» e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por me argumente tejet sipërfaqësore, të dëgjuara tashmë edhe nga lobistët e paguar nga qeveria e Serbisë dhe presidenca e Kosovës.

Në fund të nëntorit Haradinaj ngjalli panik në kampin e Thaçit me një editorial në «Washington Post». Aty Haradinaj shkruante: «Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i mbështetur nga Rusia, e ka bërë një ofertë të neveritshme: Serbia do ta njohë Kosovën nëse ne japim një pjesë të territorit. Serbia dëshiron të krijojë një shtet ‘të pastër’ etnik, duke ua marrë njerëzve nënshtetësinë dhe duke i dëbuar ata nga shtëpitë e tyre. Ky është një çmim shumë i lartë për ta paguar. Ne nuk do ta shkelim Kushtetutën tonë, nuk do të heqim dorë nga sovraniteti ynë dhe nuk do ta shkatërrojmë integritetin tonë territorial vetëm që Serbia ta njohë një fakt që tashmë ekziston. Ne gjithashtu nuk do të vendosim precedent të rrezikshëm që do ta destabilizonte Ballkanin dhe ato shtete që luftojnë për integritetin e tyre territorial, si Izraeli, Ukraina dhe India». Tonaliteti i shkrimit tregonte se edhe Haradinaj ka lobistët e vet në Washington. Nëse Thaçi gjen gazetarë britanikë për t’ia shkruar biografinë, atëherë edhe Haradinaj gjen njerëz për t’ia përgatitur një editorial dhe botuar në gazetën «Washington Post».

Përveç togut të mbështetësve të Thaçit në Prishtinë shkrimi i Haradinajt në «Washington Post» i futi në siklet edhe propagandistët e Aleksandër Vuçiqit në Beograd. Njëra ndër to, Jelena Miliq, në një shënim në blogun e organizatës së saj të quajtur «Qendra për Studime Euro-Atlantike» s’mund të fshihte habinë se si Haradinaj ia doli të botojë një shkrim në gazetën amerikane bash në momentin kur Hashim Thaçi po vizitonte Washingtonin dhe po takohej me ministrin e Jashtëm amerikan dhe këshilltarin për siguri nacionale të Donald Trumpit. Miliq e quan Thaçin «president të institucioneve të përkohshme» të Kosovës dhe thekson se përgjithësisht merret me mend se Thaçi ndjekë «një qasje më fleksible për të arritur një marrëveshje kompromisi shumëdimensionale, të cilën Washington Post nuk e shikon si të favorshme». Në vazhdën e pallavrave të saj Miliq e akuzon Haradinajn se e ka kundërshtuar Gjykatën Speciale, ndërsa Thaçin nuk e përmend fare si kundërshtar. A nuk qëndroi bash Thaçi para një viti pas aksionit të Krishtlindjeve për të rrëzuar Gjykatën Speciale me vendim të parlamentit? Si të gjithë propagandistët edhe Jelena Miliq realitetin e sheh me një sy. Thaçi është i «mirë» për aq kohë sa është «president të institucioneve të përkohshme» të Kosovës dhe angazhohet për një «marrëveshje kompromisi shumëdimensionale», që në përkthim domethënë: Serbia do të marrë një copë të mirë të veriut të Kosovës, ndërsa Kosova ndoshta disa fshatra në brezin kufitar të Luginës së Preshevës.

Sot kacafytja mes Haradinajt dhe Thaçit rreth kufijve të rinj të Kosovës ka vazhduar: Haradinaj i ka dhënë një intervistë gazetës «Financial Times». Intervista duket si një përpjekje e gazetës britanike për t’i dhënë hapësirë edhe argumenteve kundër ndarjes. Pas editorialit të «Financial Times» në favor të ndarjes, kishte reaguar Kurt Bassuener, hulumtues nga Këshilli për Demokratizimin e Politikës (DPC), një organizatë me seli në Mbretërinë e Bashkuar. Bassuener shkruante se ndarja nuk është as zgjidhje progresive, as stabilizuese, siç shkruan «Financial Times». Në intervistë Haradinaj i bën thirrje Brukselit t’i marrë më seriozisht ambiciet e Kosovës për integrim në BE për të shmangur jostabilitetin e mëtutjeshëm në Ballkan. Haradinaj akuzoi Serbinë se po vepron në interes të Rusisë për të destabilizuar rajonin. Kryeministri i Kosovës fajësoi Serbinë se ka ndërmarrë një ofensivë diplomatike për të minuar pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008. Sipas Haradinajt «të gjitha masat e Serbisë janë kundër interesave të BE-së për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe në interes të Rusisë për të ruajtur gjendjen kaotike në rajonin tonë». Sa i përket tarifave ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe, kryeministri i Kosovës nënvizoi: «Nuk e kemi bërë këtë për shkak të arrogancës, por nuk kemi pasur zgjidhje tjetër. (…) Taksa hiqet pas normalizimit të plotë, dhe normalizim i plotë domethënë njohje (e pavarësisë së Kosovës nga Serbia)».

Kacafytja mes Haradinajt dhe Thaçit sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë: njëri duke i rënë thumbit, e tjetri patkoit. Ekziston rreziku që «zgjidhja finale» ta gjejë Kosovën të papërgatitur, të polarizuar, me një klasë politike dhe shoqëri të përçarë. Në një situatë të tillë Kosova zor se do të dalë fitimtare.