«Ka një imazh të mirë dhe një jo aq të mirë»

Martine Brunschwig Graf është kryetare e Komisionit Federal Kundër Racizmit dhe anëtare e Partisë Liberale. Ajo ka qenë ministre në Qeverinë e Gjenevës nga 1993 deri 2005, si dhe deputete në Parlamentin Federal nga 2003 deri më 2011. Brunschwig Graf e ka një perspektivë të veçantë për imazhin e shqiptarëve.

Martine Brunschwig Graf. Foto: zVg.



Zonja Brunschwig Graf, si do ta përshkruanit imazhin e shqiptarëve në Zvicër?

Është e ndryshme: Ka një emër të mirë dhe një emër jo aq të mirë. Kemi njerëz shumë të integruar edhe zvicerano-shqiptarë, të cilët transmetojnë një imazh pozitiv. Ekipi zviceran i futbollit jep një shembull të mirë për të rinjtë. Pastaj janë edhe deliktet, të cilat nuk vlejnë vetëm për komunitetin shqiptar, por që shkaktojnë një paushalizim të këtyre rasteve. Ky nuk është observimi im, por një observim. Këtu e sheh shpejt që dhuna dhe shqiptarët e bëjnë një lidhje në kokën e njerëzve. Edhe pse nuk është e justifikuar, sepse ka probleme edhe me komunitetet e tjera dhe me vetë zviceranët. Mjerisht është kështu.

Do të përmendja, dhe kjo për mua është e re, se shqiptarët sikur po radikalizohen pak në drejtim të fesë. Nuk e di sa thellë shkon kjo, por është vetë komuniteti që flet për këtë. Po shihet një rrezik, që të rinjtë shqiptarë po shkojnë pak në drejtim të radikalizimit. Nuk është saktësisht e njëjta sikur me komunitetet e tjera myslimane, por është më shumë një prirje që po duket.

Si shpjegohet imazhi që e kanë shqiptarët? Cila është hipoteza juaj për këtë?

Për të gjitha komunitetet, të cilat duhet të integrohen në Zvicër, ka klishe. Qoftë në fillim, apo për kohë më të gjatë. Besoj që kjo ka të bëjë më shumë me faktin, që kur ndodh ndonjë e keqe njerëzit shohin menjëherë nga komuniteti përkatës. I njëjti problem, edhe pse në masë më të madhe, ndeshet me afrikanët, të cilët lidhen me drogën. Kështu nis shumë shpejt paushalizimi. Menjëherë krijohet lidhja: «Ata janë të zinj, pra kanë të bëjnë me drogën». Shqiptarët asociohen shpesh me dhunën. Kjo klishe ka zënë vend.

Por, ka edhe shpresë. Tamilët që kanë ardhur në vitet ‘80 dhe ‘90 sot janë shumë mirë të integruar. Që integrimi të ketë sukses, merr edhe pak kohë.

Cilat janë përvojat tuaja me komunitetin shqiptar në Zvicër?

Komunitetin shqiptar e njoh nga koha në Qeverinë e Gjenevës. Ne e kemi përkrahur Universitetin Popullor Shqiptar në Gjenevë. Unë e kam ndjekur zhvillimin e tij dhe ne i kemi ofruar mjetet që ky universitet të mund të punonte. Kjo ka qenë një përvojë e mirë në atëbotë. Por, nuk ishte gjithmonë e lehtë. I kam njohur edhe njerëzit të cilët i kanë prirë atij. Para dy vjetësh isha aty për një ligjëratë. Çështja ishte nëse ka një rrezik të radikalizimit të shqiptarëve të rinj. Dhe, unë besoj që ky komunitet në Gjenevë po e bën një punë të mirë bindëse. Ata mendojnë që një element i integrimit është edhe shtetësia zvicerane dhe marrja e përgjegjësisë si qytetarë të Zvicrës; ata ligjërojnë për shtetin ligjor, për sistemin zviceran etj.

Përvojat tuaja me shqiptarët në Zvicër i referohen vetëm Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë?

Jo, unë kam, për shembull, edhe kontakte me Institutin Zviceran për Studime Shqiptare në Zvicër. Ne shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Kam edhe kontakte të tjera me njerëz që na drejtohen neve, për problemet që kanë, ose për të diskutuar. Janë njerëz të angazhuar. Për Zvicrën është shumë me rëndësi që ka komunitete, shoqatat e të cilave kultivojnë kontakte me autoritetet, ose me Komisionin Federal Kundër Racizmit. Këtë e kam përjetuar më shumë herë.

A ishte imazhi i shqiptarëve shpesh objekt bisedash në përditshmërinë tuaj – qoftë atë profesionale, apo private?

Jo, këtë desha ta them edhe më parë: Shqiptarët nuk janë në qendër të diskutimeve në Komision. Kjo domethënë që nuk ka probleme për të cilat duhet të bisedohet këtu. Edhe në përditshmërinë time sigurisht jo.

A është problemi i imazhit tani më pak prioritar në opinionin publik, duke u nisur nga ajo se ai është përmirësuar?

Nuk mund të them kështu. Mund të bëhet prioritar, nëse ata janë myslimanë dhe konfrontohen me njëjtat probleme sikur të tjerët. Domethënë, me një disponim kundër myslimanëve. Me këtë trend të islamofobisë, i cili artikulohet në trajtën «të gjithë myslimanët janë të këqij». Kjo reflekton te të gjithë, qofshin këta shqiptarë, apo marokenë, apo zviceranë myslimanë. Në këtë kuptim vijnë probleme, të cilat janë të njëjta për komunitete të ndryshme. Kjo nuk ka të bëjë me atë se këta janë shqiptarë, por kjo lidhet për shembull me «Shtetin Islamik» dhe paushalizohet – këtu lindin probleme, për të cilat duhet të flitet. Ne e kemi identifikuar këtë si një problem dhe duhet ta luftojmë.

A mendoni se imazhi i shqiptarëve në fillim ka qenë më i mirë, pastaj është përkeqësuar dhe tani është përsëri më i mirë?

Sikur vërejta më parë, kjo është e ndryshme. Dhe, nuk mund t’i përgjigjem direkt me ‹po› ose ‹jo›. Në fillim e kishim këtë situatë: Në Kosovë kishte probleme të mëdha, njerëzit duhej të mërgonin në Zvicër dhe këtu duhej të integroheshin. Kur zviceranët e panë se çfarë po ndodhte atje, u solidarizuan me ta. Kjo është e qartë. Pastaj vjen normaliteti. Sot diskutimet janë ndryshe. Njerëzit pyesin se ç’po ndodh me një komunitet të tillë. Imazhi është variabël dhe varet nga ajo nëse ka delikte. Vjen identifikimi doras-shqiptar, apo sido që të jetë – dhe pastaj paushalizimi.

Çfarë shihni për sa u përket shqiptarëve në medie?

Ndoshta vijnë disa shembuj pozitivë më shumë. Edhe në medie. Po shihet çdo ditë që këta njerëz po e luajnë një rol në Zvicër. Qoftë në kulturë, qoftë në sport apo në komunitet etj. Dhe, këta nuk shihen më si shqiptarë, por si prominetë.

Çfarë duhet të bëhet për ta përmirësuar këtë imazh të shqiptarëve?

Duhet parë se si mund të sillesh si qytetar dhe si shqiptar në Zvicër. Jemi zviceranë, apo jetojmë këtu – duhet respektuar shtetin ligjor. Është shumë me rëndësi që shoqëria të jetë e aftë ta shprehë këtë dhe t’ua transmetojë të rinjve. Me rëndësi është që të mos biem në komunitarizëm, sepse kështu nuk mund ta përmirësosh imazhin. Duhet një punë e gjatë, sidomos me të rinjtë. Në Zvicër mund ta ruash identitetin e trashëguar, por është shumë me rëndësi që t’i respektosh rregullat dhe ta mësosh gjuhën. Kështu arrihet te një imazh i mirë. E kundërta ndodh kur ke përshtypjen se disa nuk dëshirojnë t’u përmbahen rregullave. Detyra e një komuniteti është ta mendojë se përse ekzistojnë këto klishe dhe çfarë mund të bëjë kundër. Dihet që integrimi nuk është një rrugë e thjeshtë. Por, shumëçka varet nga ajo se si t’u shmangesh klisheve.

Edhe shoqëria nikoqire duhet të bëjë diçka, që integrimi të ketë sukses…

Prandaj e përmenda edhe shembullin me Universitetin Popullor Shqiptar, kur shteti ka dhënë para, dhe kjo ishte e drejtë.

(Intervista është zhvilluar për botimin «Image-Entwicklung der Albaner in den Schweizer Medien», Alain Maillard & Kujtim Shabani, ISEAL, 2016 Lausanne.)