Ka halle PDK…

...andaj sulmon në të gjitha drejtimet, sepse e ka zënë paniku: kësaj partie s’po i besojnë më as anëtarët e saj më të zjarrtë. Megjithatë, shumë keqardhje nuk duhet pasur për LDK-në. Ajo me pavendosmërinë e saj e ka futur veten në qorrsokak politik. Një parti që pajtohet me rolin e realizueses së ëndrrave të të tjerëve, nuk ka kërkesa të mëdha as për veten, as për Kosovën.




Ka halle PDK. Partia Demokratike e Kosovës. Projekti për ndarjen e Kosovës s’po ecën sipas planit. Madje as Vladimir Putini nuk e përkrahu dje gjatë vizitës në Serbi. Pak a shumë tha se u takon Serbisë e Kosovës të merren vesh. Nuk dihet kush është kryetar i PDK-së: ky që është zgjedhur apo ai që është president i Kosovës? Ky që është zgjedhur e ka problem të artikulojë një mendim të kuptueshëm. Ai që është zgjedhur president dikur kishte një ëndërr (anëtarësimin e Kosovës në BE), tani ka ëndrra të tjera.

Të papriturat nga Gjykata Speciale po shkaktojnë tensione të mëdha brenda PDK-së. Kjo qeveri, që në pjesën më të madhe kontrollohet nga PDK, është ndër më të dobëtat e pasluftës. Sa më shumë që po rritet numri i zëvendësministrave, aq më shumë po bie numri i njohjeve të Kosovës nga shtete të tjera. Qe 10 vjet PDK premton heqjen e vizave. Dhe kjo pritje ka edhe këtë arsye: 10 për qind e tenderit të pasaportave biometrike është fshirë nga njerëz të PDK-së. Ky është një shembull nga shumë të tjerë të keqqeverisjes dhe keqpërdorimit të parasë publike.

Drejtësia është e kapur. Policia po ashtu. Zhvillimi ekonomik është gati inekzistent. Kosova importon gati çdo gjë (përfshirë hudhrat dhe shkopinjtë për dëlirjen e dhëmbëve). Kosova eksporton kryesisht hekurishte të vjetra. Asnjë investim i madh nga shtetet perëndimore nuk është bërë. Ndërtimi i autostradave nga buxheti i varfër nuk është investim, sepse financohet nga qytetarët e Kosovës. Sistemi arsimor dhe shëndetësor janë në gjendje të rëndë. Kush sëmuret, vrapon në Shkup. Kur gjendja është më serioze, ëndrra e çdo pacienti kosovar është të trajtohet në Perëndim ose në Turqi. Kush arrin të mësojë diçka të vlefshme në shkollat kosovare, bën plane për ikje nga Kosova. Mjafton të shikohet numri i mjekëve që ia kanë kthyer shpinën Kosovës. Janë me mijëra. Shumica kanë gjetur punë në Gjermani.

20 vjet keqqeverisje e plaçkitje këtë çmim kanë: Europa nuk i heq vizat, sepse frikësohet se mbi 100 mijë të rinj do të vërshojnë Europën si refugjatë ekonomikë. Shifrat flasin në mënyrë brutale. Numri i azilkërkuesve nga Kosova në vendet e Schengenit në vitin 2015 ishte 72’480 persona; në vitin 2016 – 11’675 persona; në vitin 2017 – 7410 persona (prej tyre 44,4 për qind në Francë, 31,7 për qind në Gjermani, 8 për qind në Itali). Refugjatë të kthyer: 18’789 në vitin 2015 (prej tyre 9749 vullnetarisht, 9040 me forcë); 13’030 në vitin 2016 (prej tyre 6511 vullnetarisht, 6519 me forcë); 4509 në vitin 2017 (prej tyre 1886 vullnetarisht, 2623 me forcë). Migrimi legal: 2015 – 19’258 persona; 2016 – 21’007 persona; 2017 – 25’937 persona.

Me këtë trashëgimi PDK nuk i fiton zgjedhjet. Kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit. Kur e hetoi rrezikun e disfatës kolosale, kryetari i PDK-së i frikësuar shkoi e u rehatua në prehrin e kryetarit të AAK-së, të cilit ia fali pozitën e kryeministrit. Tash PDK-në e ka kapur paniku: nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, rreziku i humbjes është i madh. Andaj PDK sulmon në të gjitha drejtimet, sepse kësaj partie s’po i besojnë më as anëtarët e saj më të zjarrtë. Në situata të tilla në shënjestër vihet sidomos LDK. Kufij etikë eksponentët e PDK-së nuk kanë: në kacafytjet verbale përmendet paraliza (një aludim perfid në gjendjen shëndetësore të kryetarit të LDK-së). Kush është kundër një aleance të re të LDK-së me PDK-në quhet pioniere e Albin Kurtit.

Ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje ishte një zhvillim i mirëseardhur për PDK-në. Tani shigjetat e PDK-së janë drejtuar ndaj LDK-së. Një ndarje e re e saj për PDK-në do të ishte më shumë se një fitore në loto. Një fitore batakçiu. Megjithatë, nuk duhet pasur keqardhje për LDK-në. Ajo, në fund të fundit, në këtë derexhe e ka sjellë veten me vendimet e forumeve të saj. Pavendosmëria është e meta më e madhe e kësaj partie. Kur është në opozitë, mallkon PDK-në; kur vjen në pushtet, ankohet se PDK, ndonëse partnere në koalicion, i bën kurthe LDK-së në bashkëpunim me opozitën militante. Me siguri shumëkujt i kujtohet sa lojën teatrale e pati luajtur kryetari i AAK-së në Kuvend e rreth Kuvendit kur debatohej ashpër mbi demarkacionin me Malin e Zi. Ra qeveria, u harrua demarkacioni. Në të vërtetë u miratua siç e kishte dizajnuar koalicioni LDK-PDK. Më shpejt shkrihen parimet në politikën e Kosovës se bora nën rrezet e forta të diellit. Në këtë aspekt edhe LDK ka qenë shpesh fleksible. Neveritshëm fleksible. LDK ia plotësoi ëndrrën kryetarit të tanishëm të PDK-së që të bëhet shef i parlamentit. LDK ia plotësoi ëndrrën kryetarit shumëvjeçar (dhe faktik) të PDK-së që bëhet president i Kosovës. Një parti që pajtohet me rolin e realizueses së ëndrrave të të tjerëve, nuk ka kërkesa të mëdha as për veten, as për Kosovën.