Ka ardhur koha t’u themi jo grabitësve

Ka ardhur koha të vendosim vetë për njerëz kompetentë, të mirë dhe atdhedashës të vërtetë. Ka ardhur koha që vendi ynë të kujdeset për të gjithë «fëmijët» e tij dhe jo vetëm për një grup grabitësish që çdo ditë po e shkatërron të ardhmen e vendit. Ka ardhur koha për një qeverisje të mirë.

Ilustrimi: Shutterstock



Për arsye të shumta rrallëherë kemi qenë kaq kureshtarë se kësaj here për rezultatin e zgjedhjeve që gjenden para nesh. Nëse i shohim zhvillimet në Kosovë që nga çlirimi më 1999 e deri më sot, ka pasur vetëm kombinime të ndryshme të «bashkëqeverisjeve», por pa ndonjë dallim esencial në mënyrën e qeverisjes së tyre. Korrupsioni, degradimi i pronës publike, «dhurimi» i kësaj prone biznesmenëve të ndryshëm nën etiketën e «privatizimit», neglizhenca dhe shumë e shumë fenomene të tjera negative i karakterizuan këto qeveri.

Këto të ashtuquajtura qeveri bënë gjithçka, por jo punën për të cilën zgjidhen qeveritë: zhvillimin e vendit dhe ngritjen e mirëqenies së popullit. Prej zgjedhjeve në zgjedhje vinin duke u rritur premtimet absurde parazgjedhore për të pasuar pastaj nga një qeverisje e dobët dhe një pasurim astronomik i anëtarëve të saj.

Një dimension i ri u arrit më 2014 me premtimet e Hashim Thaçit për 200 mijë vende të reja të punës dhe të Isa Mustafës për 120 sish.

Si duket këta dy politikanë kishin «harruar» të sqarojnë zgjedhësit asokohe se, në fakt, nuk ishte fjala për vende pune, por për numrin e personave që do të largoheshin nga Kosova, 15 vite pas çlirimit. Shumica e këtyre njerëzve që u detyruan ta lëshojnë vendin e tyre nga varfëria, as në ëndrrën më të keqe të tyre nuk do ta paramendonin që një «elitë e jona» politike do ta katandiste vendin në këtë gjendje.

Në vend të dhënies së përgjegjësisë për këto mashtrime dhe manipulime Hashim Thaçi u zgjodh, i shoqëruar me tym dhe lotsjellës dhe me ndihmën e Isa Mustafës, president i vendit. Skena të tilla shumë nga ne i kanë në kujtesë nga koha e okupimit nga regjimi serb dhe i ngjanin një gjendjeje të jashtëzakonshme, por jo zgjedhjes së presidentit të Kosovës nga përfaqësuesit e popullit. Për të bëmat e tij ky person në një shtet funksional juridik jo që nuk do bëhej president, por do të përgjigjej para drejtësisë për keqpërdorime dhe korrupsion.

Premtimet skajshmërisht joreale nuk mungojnë as kësaj here. Njëri premton 7 për qind rritje ekonomike, e tjetri ia kalon me 8 për qind. Njëri i rritë rrogat, tjetri i punëson krejt studentët apo e trefishon buxhetin e shtetit. Dhe meqenëse vendi e ka «arritur» një mirëqenie të mirë për të gjithë banorët, edhe kemi financa të tepërta, atëherë natyrisht që plasohen edhe propozime për të ndërtuar në çdo qytet të Kosovës nga një shtëpi të UÇK-së. UÇK-ja e vërtetë nuk ka luftuar për shtëpi të tilla, por për një jetë më të mirë të krejt popullit. Propozime të tilla e tregojnë fytyrën e vërtetë, injorancën dhe inkompetencën e këtyre kandidatëve.

E tëra kjo më shumë i ngjan një drame tragjikomike se sa një realiteti të qershorit 2017. Shtrohet pyetja se si është e mundur që qytetari, gjatë 17 viteve t’ia jap votën të njëjtëve politikanë manipulues dhe vjedhës? Natyrisht që përgjigjja nuk është e lehtë. Një gjë ama është e sigurt që këta politikanë, që një numër i madh i tyre më shumë i ngjajnë Al Capones se sa përfaqësuesve të popullit, u zgjodhën nga ky popull.

Në zgjedhjet e të dielës është një mundësi që pas shumë viteve apatie dhe qeverisje korruptive të bëhet një ndryshim. Apeli i përfaqësuesve të huaj diplomatikë në Kosovë që të mos votohen kriminelët dhe të korruptuarit, flet jashtëzakonisht shumë se në çfarë gjendje kemi ardhur. Një pjesë të përgjegjësisë për këtë situatë e mban edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila në kalkulimet e veta e favorizoi në shumë situata bashkëpunimin me kriminelë dhe njerëz të korruptuar. Për këto kalkulime të gabuara çmimin po e paguan në rend të parë populli dhe fëmijët tanë.

Ka ardhur koha dhe të dielën është mundësia që të gjithë këtyre bastardëve t’u thuhet JO! Ka ardhur koha të vendosim vetë për njerëz kompetentë, të mirë dhe atdhedashës të vërtetë. Ka ardhur koha që vendi ynë i dashur, për të cilin kanë sakrifikuar gjenerata të tëra, të zhvillohet dhe të përparojë. Ka ardhur koha që vendi ynë të kujdeset për të gjithë «fëmijët» e tij e jo vetëm për një grup grabitësish që çdo ditë po e shkatërron të ardhmen e vendit. Ka ardhur koha për një qeverisje të mirë. Më 12 qershor do ta kemi rezultatin që e «meritojmë». Jam kureshtar të shoh se çka «meritojmë». Shpresoj se 12 qershori të jetë fillimi i «çlirimit» nga vetja jonë.