«Ju lumtë!»

Kadri Veseli dhe Aleksandër Vuçiqi provojnë talentin e tyre prej aktori. Rezultati? Zbavitje e zezë.

Ilustrimi: Shutterstock



Aleksandër Vuçiqi, më i miri nxënës i vojvodës çetnik Vojislav Sheshel, ka vendosur të kandidojë për postin e presidentit të Serbisë. Për këtë synim ai ka marrë mbështetjen e partisë së tij SNS – gjithçka tjetër do të ishte befasuese: si shumë autokratë ballkanikë edhe Vuçiq e mban partinë nën kontroll të ashpër, ku mendimet e ndryshme nuk durohen dhe devotshmëria ndaj shefit është kusht për përparim në karrierë brenda partisë dhe në institucionet shtetërore. Që nga koha e Slobodan Millosheviqit në vitet ’90 Serbia nuk ka pasur pushtetar më të fuqishëm se Vuçiqi. Pa marrë parasysh se a është kryeminisitër apo president në të ardhmen – pushteti do të jetë i koncentruar te ai.

Një shembull i ngjashëm me sundimtarë të tjerë ballkanikë si Milo Gjukanoviq, Milorad Dodik, Nikola Gruevski, Hashim Thaçi. Me shpalljen e kandidaturës Vuçiq ka zemëruar Tomislav Nikoliqin, kryetarin e Serbisë dhe mentorin e tij politik shumëvjeçar. Mediat bulevardeske të Beogradit, të cilat kryesisht kontrollohen nga Vuçiqi, kanë filluar fushatën kundër Nikoliqit, duke e quajtur person të pabesë që po ia fut thikën pas shpine Vuçiqit, madje me përkrahje të Rusisë. Nikoliq, i cili është kërcënuar se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale, mendon të kundërtën: i pabesë është Vuçiqi.

Ndërsa vazhdon ky debat, Vuçiqi i ka prezantuar opinionit një spot elektoral, duke zgjuar interesimin, nxitur humorin dhe shpotinë e opinionit në Serbi. Në profilin e Facebookut të kryeministrit aktual serb është postuar një reklamë e xhiruar në avion me shumë statistë dhe aktorë, shkruan Al-Jazeera Balkans. Në spot pilotët grinden mes vete për shkak se nuk janë të një mendimi se në ç’drejtim të fluturojnë. Pasojë e fjalosjes është një rrëmujë e paparë në avion. Në këtë çast zgjohet nga gjumi kryeministri i tanishëm serb dhe paralajmëron shikuesit se ky do të mund të ishte ankthi më i madh. «Si ky avion edhe vendi ynë i është besuar dy njerëzve për ta udhëhequr, kryetarit dhe kryeministrit. Kryetarit dhe kryeministrit. Nëse këta dy njerëz e udhëheqin shtetin në drejtime të ndryshme, nuk do të arrijmë të ruajnë kursin stabil të cilin e kemi tani».

Me fjalë të tjera: lideri e qetëson popullin e frikësuar sidomos në situata të rënda. Ai thotë: mos u bëni merak, sepse unë jam kapiteni që nuk lejoj të rrëzohet avioni, madje as atëherë kur harxhohet kerozina. Aterrimi është i sigurt me Vuçiqin. Dhe vetëm me Vuçiqin, këtë version ballkanik të Harry Potterit në opinga dhe me shajkaçë. Spoti tregon se sa e mbivlerësojnë veten politikanët e gjithëpushtetshëm në Ballkan. Siç pritej spoti ngjalli reagime të panumërta në Serbi. Një shfrytëzues i Twitterit shkroi se spoti është plagjiat nga Ukraina, ku vitin e kaluar një reklamë e ngjashme merrej me situatën në atë vend, ndërsa sllogani «më i mirë. më i shpejtë. më i fuqishëm» me gjasë është vjedhur nga reklama e Team Viewer, softuerit për riparim të kompjuterëve nga distanca. Në të vërtetë Vuçiqi nga sllogani i Team Viewerit nuk e ka marrë fjalën «më i mençur» – mbase për arsye që ai i di. «Aty ku mbaron ky spot i Vuçiqit fillon seria Lost», shkroi një tjetër person në Twitter. Si përherë kreativë ishte edhe një person që në Twitter mban një profil me emrin e Slobodan Millosheviqit: «Atë çfarë Vuçiqi nuk e kupton as ne spot, as në jetë është se për fuluturimin e sigurt të avionit janë të domosdoshëm shumë më tepër njerëz se piloti dhe ko-piloti».
Rastësi apo jo: pothuaj në të njëjtën kohë me Vuçiqin me një spot u paraqit në opinionin kosovar edhe Kadri Veseli, shef i dikurshëm i shërbimit nëntokësor të PDK-së për mbrojtjen, çlirimin, lulëzimin dhe përparimin e Kosovës. Kur ke një imazh të tillë të shkëlqyer politik në fakt nuk ke nevojë t’i bësh reklamë fare vetes. Por Veseli s’ndalet. Si Vuçiqi edhe ky nuk pushon kurrë, nuk e zë gjumi kurrë, përherë është këtu, pranë popullit, duke u kujdesur për hallet e vogla e të mëdha. Ai është kudo për t’i treguar opinionit sa e shenjtë është parulla: «Familja, prona, shteti». Që në rastin e Kosovës domethënë: shteti është pronë e «familjes» Thaçi dhe Veseli dhe mbështetësve të tyre pranë vegshit të pushtetit.

Spoti me Veselin, i Veselit dhe për Veselin është xhiruar me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Me gjasë nga zyra e tij në Kuvendin e Kosovës Veseli fillon të recitojë: «Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Jemi mbedhur këtu për të festuar…». Këto vite kanë ecur shpejt, thotë Veseli, por Kosova ka arritur shumë, ndonëse «jemi rrëzuar herë pas here për t’u ngritur përsëri». Mesazhe si këto tingëllojnë si reklama të dobëta për shitjen e veturave apo kikirikut. Ndërsa Veseli flet, zhurma e disa fëmijëve mbizotëron në sallë dhe një top fluturon drejt kokës vizionare të kryetarit, i cili arrin ta kap topin e futbollit me po aq shkathtësi siç i kapte granatat, mortajat, gjylet dhe bombat në luftë. Më së voni këtu shikuesi e kupton se ky është edhe një spot për të treguar anët «humane, njerëzore, dashamirëse, plot dhembshuri e përkushtim» të Kadri Veselit. Duket se ky është preokupimi i tij kryesor: të duket normal në opinion! Këtë preokupim mund ta kenë vetëm politikanët që e kanë të qartë se çfarë mendojnë njerëzit normalë për ta. Në këtë kategori nuk hyjnë klientët politikë, sepse ata janë cinikë dhe në gjendje të pranojnë madje edhe kusarë si prijës.

«Ejani këtu», urdhëron Veseli fëmijët. Urdhri është urdhër dhe fëmijët tubohen rreth udhëheqësit të madh, i cili me duart e tij bekon ardhmërinë e Kosovës. «Cili nga ju është 9-vjeçar?» Të gjithë janë 9-vjeçar, kjo kuptohet nga brohoritjet pothuaj robotike. «Po sot kush i mbush 9 vjet?» Fëmijët përgjigjen me zë buçitës: «Kosova». Ky komunikim me popullin i pëlqen udhëheqësit, i cili pasi ka dëgjuar përgjigjen e fëmijëve thotë: «Ju lumtë». Pastaj fëmijët zënë vend në prehrin e ngrohtë të prijësit – një skenë që imiton dobët spotet e shokut Tito me pionierë. (Mirë që nuk po shënohet përvjetori i ’14 apo ’15 i pavarësisë së Kosovës, sepse pjesëmarrës në xhirimin e spotit të Veselit mund të ishin edhe nxënëse që kanë marrë pjesë në testin PISA dhe i kanë treguar krejt botës se sistemi arsimor kosovar ia kalon edhe Singaporit).

Zbavitja e zezë ballkanike këto ditë u pasurua me një spot tjetër. Gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës kamera regjistroi këto pamje madhështore: Isa Mustafa dhe Elmi Reçica (njëri nga shefat e bandës) po ushtronin përshëndetjen «Give me five». Që të mos ketë keqkuptime: banda, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, është një «grup muzikantësh, që luajnë me vegla fryme; orkestër frymore kryesisht me vegla bronzi dhe vegla me goditje. Bandë muzikore. Banda ushtarake. Banda e qytetit. Pjesë (melodi) për bandë. Festivali i bandave». Ndonjë spot tjetër akademik Isa Mustafa nuk ka mundësi ta xhirojë. Pilot si Vuçiqi nuk mund të bëhet. Ky është rol i rezervuar për Kadri Veselin. Në komedinë e ardhshme.