Jolie: Përdhunimi, arma kryesore e ISIS-it




Aktorja e famshme Angelina Jolie është paraqitur para Dhomës së Lordëve në Britani të Madhe për të bërë thirrje për «një reagim të fuqishëm» ndaj Shtetit Islamik për të ndalur përdhunimet e shumta të terroristëve.

 

Ylli hollivudian, në paraqitjen e saj në institucionin e dytë pas Parlamentit në Britani, institucion që merret me përpilimin e ligjeve, ka thënë se ky është grupi terrorist më agresiv që njerëzimi ka njohur deri tani.

«Grupi terrorist më agresiv në botë e di atë që tashmë e dimë, e di që është armë efektive dhe ata po e përdorin këtë si armë kryesore të terrorit të tyre dhe në këtë mënyrë po shkatërrojnë komunitetet dhe familjet, po sulmojnë dhe po shkatërrojnë njerëzimin», ka thënë Jolie, raporton «The Telegraph».

«Grupi terrorist me të cilin po përballemi në Siri dhe Irak është duke përdorur përdhunimin. Ata po e diktojnë atë si politikë. Kjo është përtej asaj që kemi parë deri tani… Ata po thonë, ‘Ju duhet të bëni këtë, kjo është mënyra për të krijuar një shoqëri, ne kërkojmë nga ju që të kryeni përdhunime’. Ne me të vërtetë duhet të kemi një përgjigje të fuqishme drejt këtij grupi», ka shtuar aktorja e famshme, transmeton koha.net.

Jolie ka kohë që ka bërë fushata kundër përdhunimeve si armë e luftës dhe ka bërë filmin «In The Land of Blood and Honey» për përdhunimet masive që u bënë në luftën e Bosnjës në vitet e ’90-ta.