John Bolton: Nëse Kosova dhe Serbia pajtohen, nuk e kundërshtojmë rregullimin e territoreve

Këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha të premten se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë.

John Bolton.



Këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha të premten se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite ne Kiev, ku mori pjesë në shënimin e 27-vjetorit të pavarësimit të Ukrainës. Përmes kësaj deklarate Washingtoni qartë shprehet kundër ndarjes së Kosovës dhe hedhjes në ajër të pavarësisë së Kosovës, siç po synohet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kolegu i tij kosovar, Hashim Thaçi.

Bolton tha: «Mirëpo unë mendoj se ka shenja të reja se të dyja qeveritë mund të kenë vullent për të negociuar këtë çështje në heshtje. Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territoriale. Nuk na takon neve».

«Nuk do të jemi pengesë, dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse të dyja palët në konflikt arrijnë një marrëveshje të kënaqshme. Ne jemi gati të ndihmojmë nga distanca apo nga afër. Ne nuk mendojnë se do ta zgjidhim atë (problemin) për ata. Ne mendojmë se ata duhet ta zgjidhin atë vet», citohet të ketë thënë Bolton.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, angazhohet për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për «korrigjimin e kufirit» që, sipas tij, nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Por, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve. Të dy presidentët pritet të takohen ndërkaq të shtunën në Austri në kuadër të punimeve të forumit të Alpbachut, ku do të diskutohet për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. (Zëri i Amerikës/DP)