Jo vetëm për shkak të borës: turistët kthehen në Zvicër

Bora dhe frangu jo aq i shtrenjtë në raport me euron po e ndihmojnë sektorin e turizmit në Zvicër.




Të dhënat janë impozante: në Zermatt lartësia e borës është 3,5 metra, në Saas-Fee 4,6, në Engelberg (Titlis) 6,42. Zviceranët, sidomos ata që punojnë në sektorin e turizmit, nuk kanë arsye të ankohen. Për dallim nga vitet e tjera sivjet në malet zvicerane ka borë me bollëk – jo vetëm në kodrat më të larta. Andaj nuk shihen askund topat e borës, me të cilët në të kaluarën prodhohej borë artificiale për t’i bërë të gatshme pistat e skijimit.

Në 10 vitet e fundit turizmi dimëror në Zvicër ka shënuar kryesisht rënie më shumë për shkak të frangut të shtrenjtë. Për shumë turistë ky vend ishte dhe vazhdon të jetë i shtrenjtë «helm». Që nga viti 2008 Zvicra i ka humbur 40 për qind e turistëve europianë, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Që nga vera e vitit të kaluar frangu ka humbur vlerë ndaj euros dhe kjo tani vërehet në kodrat zvicerane – atje po kthehen gjithnjë e më shumë turistë, sidomos nga Gjermania. «Më në fund kemi të dhëna pozitive, të cilat i kemi pritur moti», tha Martin Nydegger, drejtor i Agjencisë së Turizmit të Zvicrës. Aktualisht një euro kushton 1,15 frangë. Trendi pozitiv është vërejtur edhe vitin e kaluar. Në hotelet zvicerane janë regjistruar 37,4 milionë bujtje. Kjo rritje u arrit falë besnikërisë së zviceranëve ndaj atdheut: vitin që shkoi 4,2 për qind më shumë zviceranë pushuan në vendin e tyre. Edhe nga eurozona është shtuar numri i turistëve.

Ekspertët e turizmit në Zvicër kanë arritur me sukses të tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë nga Azia. Në vitin 2017 nga Koreja erdhën 35 për qind më shumë turistë, nga India 23 për qind. Agjencia e Turizmit e Zvicrës e ka angazhuar aktorin e njohur të Indisë Ranveer Singh për të bërë reklamë për Zvicrën. Singh ka gati 9,5 milionë ndjekës në Facebook, më shumë se që ka Zvicra banorë. Fotografitë dhe spotet e Singh para kodrave dhe liqeneve të Zvicrës e kanë bërë konfederatën helvetike të popullarizuar në subkontinentin indian. Në Zürich është xhiruar edhe një spot i popstarit korean Kyuhyun. (dp)